Kombetarja

Ndeshja ndaj Skocisë-akti i fundit i një post-Europiani dramatik

Nga Redi Jupi

Ishte një ndeshje shumë e lehtë për t’u komentuar, për nga mënyra si shkoi rezultati. Sepse u pa qartë që ekipet kishin diferenca në fushë, në çdo aspekt. Por është e vështirë për t’u komentuar në aspektin emocional dhe të pasojave që kjo humbje kaq e rëndë shkakton. Një humbje e tillë, në këto përmasa, nuk mbaj mend. Pamë vetëm një ekip në fushë dhe nuk është se ky ekip ishte Spanja, Kroacia, Portugalia, apo ndonjë ekip tjetër i madh.

Redi Jupi

Ishte Skocia, një ekip në letër modest, por që në këtë ndeshje u duk sikur ishte kombëtarja e Brazilit e miksuar me atë të Argjentinës. Na mundën në çdo aspekt, teknikisht, taktikisht, psikologjikisht dhe fizikisht po e po, pasi dihej edhe përpara ndeshjes. Por këto janë gjëra që kushdo i konstaton dhe i di. Ajo që më la të habitur ishte mënyra si e kishim përgatitur ndeshjen, duke parë edhe intervistat përpara të stafit teknik dhe të institucionit. Shikoj një mungesë realizmi, në mënyrë e përgatitjes së ndeshjes, gabim në çdo aspekt.

Të thuash që do ta mundim Skocinë me rezultat të thellë dhe ndërkohë mundesh thellë, do të thotë që ti nuk e ke idenë fare se me çfarë kundërshtari po luan, çfarë karakteristikash dhe çfarë cilësish ka dhe si duhet përballur ai. Kjo ishte puna që duhej të bënte stafi paraprakisht.
Ata duhet ta afektonin gjithë ambientin, tifozërinë, medien dhe të gjithë me radhë, në mënyrë që linja e tyre teknike dhe strategjia e tyre të ndiqej pak a shumë nga të gjithë. Kishim një eufori që do e mundim Skocinë, por si do ta mundim Skocinë? Atje na mundi pastër fare, duke u futur shumë pak në lojën e vet. Ne ishim pak në lojë, ishim pak më shumë se dje, sepse ishim 11 kundër 11, por ata teknikisht na mundën kollaj. Në këtë ndeshje duhej të luanim më ndryshe.
Duhej të prisnim më shumë, duhej të ishim më solidë në aspektin difensiv, me një mesfushë të kompozuar ndryshe, me detyra të tjera të lojtarëve të krahut.

Duhej të luanim sa më shumë prapa linjës së topit. Nuk u bë asgjë nga këto, pavarësisht kartonit të kuq. Kartoni i kuq ishte një element, sepse normal që me një ekip që ishte më i përgatitur për ta fituar ndeshjen, të luash me një lojtar më pak nuk është kollaj. Por ama edhe pa marrë kartonin e kuq u duk qartë se ata ishin më të qartë, më të saktë, më të vendosur mirë për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Edhe në momentin e kartonit të kuq nuk jam dakord me zgjedhjet që u bënë, më mënyrën si u vendos ekipi. Ishim me një lojtar më pak dhe 0-1, ndaj duhej të luanim ndryshe.
Duhej të prisnim që të limitonim dëmet dhe pastaj, në një moment të caktuar, gjatë zhvillimit të ndeshjes të tentonim të bënim diçka. Por në atë moment, të tentosh të luash ashtu si ne, me atë mesfushë që nuk kishte asnjë lojtar që bënte filtrin difensiv, ose që të ishte me karakteristika defensive. Të tentosh të luash me dy lojtarë anësorë, përveç Uzunit, i cili po themi se e bën pak fazën defensive, ndërsa Grezda nuk e bën pothuajse fare… Si mund të luash kundër Skocisë me ata lojtarë dhe me atë vendosje në atë moment?

Rajan Frajzër shënon golin e parë për Skocinë. Mavraj i dëshpëruar në sfond


Ka shumë gjëra brenda ndeshjes, sepse është kollaj të thuash që Panuçi duhet të ikë. Ajo është e sigurt dhe Panuçi është thuajse i ikur, sepse nuk ka bërë asgjë në drejtimin e Shqipërisë. E kam thënë edhe më përpara, se ai nuk është një trajner i mirë. Kombëtarja jonë meriton shumë më tepër se kaq, por është problemi i mendësisë. Nuk është vetëm problemi i Panuçit. Ne po humbim në çdo ekip kombëtar, ne po humbim që nga U-15-a e deri tek ekipi A. Post Europiani ka qenë dramatik për ne. Ne duhet të kuptojmë një gjë: shkuarja në Europian ishte një mrekulli, ishte një përjashtim nga rregulli dhe nuk mund ta trajtojmë atë si një gjë normale dhe tani kemi ekip shumë të mirë dhe çdo 2 vjet duhet të shkojmë në Europian dhe çdo katër vjet duhet të tentojmë të shkojmë në Botëror.

Mbetemi një ekip i vogël dhe duket se e kemi harruar këtë. Nuk na lejohet të bëhen gabime në përzgjedhjen e stafeve teknike, në mendësinë dhe filozofinë e punës me ekipet kombëtare. Është kjo që na mungon. Na ngelen shumë gjëra për të bërë. Është nga ato humbje, që janë dorëzuese, humbje pa alibi. Pas humbjeve të tilla duhet një reformim i gjithë sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë