Ndeshje të caktuara mbeten gjatë në memorien e futbolldashësve. Janë shumë të tilla në historinë e futbollit, por për 20 vitet e fundit njëra prej tyre dallon nga të tjerat në çdo drejtim. Statistikat, palmaresi personal i lojtarëve në fushë, prestigji i dy klubeve, rëndësia e kompeticionit, loja spektakolare dhe rezultati final e bëjnë ndeshjen më të bukur të këtyre 20 viteve të fundit. Fjala është për Mançester Junajtid-Real Madrid, 4-3, e vlefshme për çerekfinalet e Champions League të sezonit 2002-2003. Konstatimi për ndeshjen më të bukur të 20 viteve të fundit shkon përtej tifozllëkut, është një konstatim që vjen nga bukuria këtij sporti, që të fut drithërimat thjesht duke parë imazhet e lojës.
Ai sezon i Champions League është fituar nga Milani i Karlo Ançelotit, që mundi në finale me penallti Juventusin e Marçelo Lipit. Ishte koha, kur futbolli italian lulëzonte dhe përfaqësohej në çerekfinale me 3 skuadra: Milani luante kundër Ajaksit, Interi ndaj Valencias dhe Juventusi kundër Barcelonës. Por Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid, që plotësonin çiftet çerekfinaliste, i dhanë bukurinë Championsit. Madrilenët ishin kampionët në fuqi të Europës, kurse “Djajtë e kuq” kishin triumfuar bindshëm në grupin e Juventusit.
Fati i përplasi shumë shpejt në fazën me eliminim dy nga skuadrat më të mira, pretendente për fitimin e trofeut. Ndeshja e parë në Madrid kishte përfunduar 3-1 dhe më 23 prill 2003, në “Old Trafford” luhej ndeshja e kthimit.
Formacionet e dy skuadrave:
Mançester Junajtid: Bartez, Veron, Ferdinand, Bat, Van Nistelroi, Gigs, Kin, Solskjaer, O’Shi, Braun, Silvestre. Në stol: Lopez, Nevil (’79), Blank, Bekham (’63), Fortun (’82), Forlan, Fleçer.
Real Madrid: Kasilas, Salgado, Roberto Karlos, Hierro, Zidane, Helguera, MekManaman, Figo, Ronaldo, Guti, Makelele. Në stol: Sançez, Morientes, Konseisao, Portijo (’69), Kambiaso, Solari (’67), Pavon (’88).
Ndeshja është gjykuar nga ai që në atë kohë ishte pa dyshim arbitri më i mirë në botë: Pierluixhi Kolina. Spektakël në fushë dhe në fund 4-3, një fitore që nuk u mjaftoi anglezëve të kualifikoheshin, pasi rezultati i përgjithshëm shkoi në 5-6 për “Galaktikët”. Përtej rezultatit, ajo që panë tifozët në stadium dhe ata nga televizori për ato 90 minuta, ishte thjesht fantastike. Futboll i rrallë, pasion i veçantë dhe një lloj tjetër spektakli.
Reali, që duhej të administronte rezultatin e ndeshjes së parë, kaloi i pari në avantazh me Ronaldon, autori i të tre golave për ekipin e tij. Mançesteri nuk u demoralizua dhe barazoi me Van Nistelroi, më pas u godit me dy gola të tjerë, por përmbysi gjithçka në fund me autogolin e Helguerës dhe perlat e Bekhamit. Një ndeshje që mund ta rishohësh me mijëra herë dhe që duhet t’ua tregosh të gjithë të tjerëve. Jo një ndeshje si të tjerat. Mançester Junajtid-Real Madrid është ndeshja më e bukur e 20 viteve të fundit, pa dyshim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.