Biznes

Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë lehtësim taksash: Të hiqet 3% i strehimit social dhe çmimet referencë të aplikohen për ndërtesat e reja

Nga Gazeta 'SI' - Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i kanë kërkuar qeverisë rishikimin e disa ligjeve për ndërtimin, që sipas tyre ka shtuar barrën tatimore në këtë biznes.

Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres Delina Ibrahimaj si ministre për Biznesin, ndërtuesit përmendin rritjen e çmimit të referencës (miratuar në korrik) si element që do rrisë detyrimet tatimore mbi shit-blerjen e banesave dhe për rivlerësimin. Sipas tyre, efekti i këtij vendimi është i menjëhershëm, tek individët dhe pronarët.

LEXO EDHE:
- Nga rritja e çmimeve referenciale të banesave në Tiranë nuk përfiton askush, përveç Bashkisë
- Sa rritet taksa e ndërtesës që nga shtëpitë, dyqanet, magazinat, fabrikat, depot, garazhet, bodrumet dhe parkimet e hapura (llogaritja për çdo zonë të Tiranës)
- Çmimet e ndërtimit u rritën përsëri, por më ngadalë. Materialet, pagat dhe 'të tjera' me shpenzimet më të larta

Por njëkohësisht, çmimet e referencës të parashikuara në këtë VKM, gjejnë përdorim për përcaktimin e çmimit të referencës për efekte të aplikimit të taksës për kalimin e pronësisë të parashikuar në Ligjin “Për të ardhurat”, duke dhënë kështu një impakt të menjëhershëm mbi individët që do të kryejnë transaksione me pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ata që kanë kryer rishtazi rivlerësimin sipas Ligjit nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, shkruhet në letër.

Shoqata e Ndërtuesve thekson se ndryshmi i çmimeve të referencës sipas këtij Vendimi, jep një impakt të menjëhershëm edhe mbi aktivitetin e ndërtimit, duke qenë se këto çmime shërbejnë si faktor kryesor për përcaktimin e vlerës së taksës në infrastrukturë dhe në vlera monetare zëvendësuese e taksës 3% të kontributit në strehimin social (sipas praktikës të adaptuar nga Bashkia Tiranë me VKB  nr. Nr.105, datë 25.10.2019) dhe për pasojë edhe mbi Tatim Fitimin.

Kështu, shoqata sugjeron që aplikimi të jetë gradual ose të përfshijë vetëm ndërtesat që do të bëhen pas hyrjes së tij në fuqi.

Në letër kërkohet dhe shfuqizimi i ligjit që detyron ndërtuesit të paguajnë 3% e strehimit social, pasi rëndon vetëm investitorin fillestar dhe jo përfituesit e tjerë të pronës. Shoqata thotë se ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Shoqata e Ndërtuesve kërkon edhe rishikimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, në veçanti në Tiranë, ku identifikojnë si më të përshtatshëm nivelin nga 2-6% dhe propozojnë që mënyra e llogaritjes së saj të jetë e orientuar edhe drejt kostos.

Për projektligjin e taksës së pasurisë së paluajtshme të publikuar për konsultim nga Ministria e Financave, Shoqata e Ndërtuesve sugjeron se është e nevojshme t’i bëhet rishikim ndërsektorial të ri, pasi taksa ne formën që është konceptuar në projektligjin e ri, paraqet shume paqartësi për formën e llogaritjes, aplikimit dhe mbledhjes së saj.

Për sa i përket kuadrit ligjor për prokurime publike; koncesionin; PPP sipas ndërtuesve duhet të adaptohen parashikime ligjore sipas së cilave, në rast të luhatjeve të ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ato kombëtare, të bëhet njohja e variacioneve të çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë