Treg

Çmimet e ndërtimit u rritën përsëri, por më ngadalë. Materialet, pagat dhe ‘të tjera’ me shpenzimet më të larta

Nga Gazeta ‘SI’- Në tremujorin e dytë të vitit 2023, indeksi i kushtimit në ndërtim u rrit me 1.1% nga tremujori i parë. Sipas INSTAT, rritja më e madhe e shpenzimeve ka ndodhur nga energjia, 2.2%, pasuar nga pagat 1.3% dhe materialet 1%.

Në raport vjetor, indeksi i kostove të ndërtimit raportohet të jetë rritur me 4.7%, kur një vit më parë ishte 6.2%. Pra, rritja është më e ulët, por kjo lidhet  dhe me ritmin e fortë të çmimeve gjatë 2022-shit.

LEXO EDHE:
Shtëpitë - Ndërtimi në Shqipëri po varfëron më të varfrit

Nga viti në vit, rritjen më të madhe e kane pasur shpenzimet për materiale, 5.4%, pasuar nga energjia 5% dhe pagat 4.9%. Grupi “kosto të tjera” ka pësuar rritje të shpenzimeve me 4.6%. Të ndara në nëngrupe, materialet hidro-sanitare kanë pasur shtrenjtimin më të madh nga viti në vit me pothuajse 6%.

Që pas pushtimit rus të Ukrainës, që nisi një spirale çmimesh në të gjithë Europën, në Shqipëri, ndërtimi qe ndër fushat e para që reagoi. Shtrenjtimi i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit që justifikimi i ndërtuesëve për çmimet e rritura tek blerësit fundorë.

Për 2023-shin, ritmi rritës i kostos në ndërtim duket të jetë reduktuar. Ky është një paralajmërim i dhënë edhe nga qeveria, Banka e Shqipërisë dhe vetë agjencitë imobiliare, që kanë parashikuar një rënie të vrullit të ndërtimeve dhe stabilizim të çmimeve. Gjithsesi sektori mbetet një ‘enigmë’ për ekspertët e ekonomisë, që nuk mund të shpjegojnë dinamikat e tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë