Politike

Ndarja e Shqipërisë në 4 rajone, pse PD-LSI e lidhën me zgjedhjet dhe nga anon e vërteta

Plot një vit më parë, kur Edi Rama (menjëherë pas zgjedhjeve të 30 qershorit) mblodhi kryesinë e partisë për të njoftuar se do të ndante organizimin e PS-së në tre rajone, pak kush nga PD-ja ia vuri veshin.

Të djathtët atëbotë ishin ende të tulatur nga mospjesëmarrja në zgjedhje, dhe më dëshpëruesja se i kishin falur me duart e tyre, krejt paqësisht, pushtetin lokal PS-së.

Një vit më pas, kur sërish flitet për zgjedhje, por me një situatë të re për PD-në, në tavolinën e ekspertëve të opozitës u “rizgjua” për diskutim plani i Edi Ramës i një viti më parë, të nxitur nga 30 korriku kur mazhoranca me votat e saj dhe një grupi deputetësh të  opozitës drejtuar nga Myslim Murrizi ndryshuan nenin 64 të Kushtetutës, ku që në pikën e parë thuhet se, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

Futja e termit “rajon” në Kushtetutë dhe për herë të parë edhe e pragut kombëtar (është vetëm në Kod) përfshiu PD-në në diskutime të gjata për pasojat që do të sjellë implementimi i saj në zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë vorbull diskutimesh dhe hamendjesh, ajo që ngacmoi vëmendjen e PD-LSI ishte një ligj i miratuar një ditë para ndryshimeve kushtetuese (29 korrik) për ndarjen e Shqipërisë në katër rajone zhvillimi, një praktikë disa vjeçare, sipas së cilës, qeveria ka parashikuar fonde në buxhet që në 2016-ën, porse Erion Braçe në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit me propozim të austriakëve dhe zvicerianëve kish kërkuar ta rregullonte me ligj.

Sipas ligjit, territori i Shqipërisë ndahet në katër rajone zhvillimi. Këto rajone  përcaktohen si njësi territoriale, që përfshijnë disa njësi të vetëqeverisjes vendore bazuar nga pozicioni gjeografik i tyre, karakteristikat e zhvillimit socio-ekonomik e deri tek numri i popullsisë.

Ligji specifikon se, rajonet e zhvillimit nuk janë njësi administrative në kuptim të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore.

Se cili do jetë kompozimi territorial për secilin nga 4 rajonet, këtë pritet ta vendosë qeveria me vendim të posaçëm.

Më pas është dhënë një shpjegim i gjatë se pse nevojitej ndarja në katër zona zhvillimi, duke i bashkëngjitur edhe tre dokumente me arsyetime deri diku boshe e krejt burokratike.

Me pak fjalë ligji synon ndalimin e shpopullimit, uljen e papunësisë te të rinjtë dhe zvogëlimin e pabarazisë

Shoqata e Bashkive reagoi duke argumentuar ndër radhë se marrëdhëniet ndërqeveritare (qendrore-lokale) kanë akoma një ndikim politik, dhe se ky ligj nuk kontribuonte as fare në zgjidhjen e këtij problemi, në shërbime me shumë cilësore për qytetarët e aq më tepër të përmbushte synimet për të cilat është ngritur, duke prezantuar, sipas saj, një mekanizëm shumë burokratik.

Ndryshe nga halli i bashkive, LSI pretendoi përmes një konference për shtyp se Rama në thelb ka zhbërë qarqet (që parashikohen në Kushtetutë) dhe e ka ndarë vendin në katër rajone.

PD-ja nuk shkoi deri këtu, por tha shkurt përmes një deklarate të thatë përmes Dhurata Cupit, se ligji kishte qëllime elektorale. Se në cilin nen të saj dhe pse, PD-ja nuk dha asnjë përgjigje.

Ajo që u nënvizua nga deklarata e PD-së ishte se ky ligj jo vetëm mundësonte centralizimin e pushtetit tek Rama, por çonte të gjitha fondet e Bashkimit Europian në duart e tij.

Më pas krejt papritur, edhe PD i rriti dozat.

Cupi, e ftuar në një emision televiziv, tha se “ligji shuante bashkitë dhe qarqet dhe krijonte 4 rajone që varen nga qeverisja qendrore dhe se qytetarët do t’i merrnin shërbimet vetëm në 4 qytete kryesore”. 

Por, propozuesi i ligjit në fjalë, Zv-kryeministri Erion Brace tha përmes një reagimi për mediat se këto ishin veçse paranoja të humbësve.

“Parlamenti rregulloi me ligj atë që prej vitesh ndodhte në praktikë. Këto rajone për të cilat flasin ata, kanë nja 5 a 6 vite që janë funksionalë, si rajone zhvillimi ku adresohen politikat e qeverisë”, tha ai.

Duke tundur një kopje të ligjit të sapo miratuar në Kuvend, Braçe ngriti zërin: 

“Nuk ka lidhje fare me zgjedhjet dhe me ndarjen administrative. Fare. Ndarja administrative është bërë, është kryer dhe është e pandryshuar…

Rajoni elektoral është në bazë qarku. Ku thuhet këtu që do të shkojë në zonë zgjedhore ky rajon”

…Pavarësisht disa kërcitjeve që ka ky ligj kur i referohet dy neneve kushtetuese që nuk kanë lidhje me qëllimin e ligjit apo edhe faktit se drafti erdhi pas një konsultimi publik gjatë periudhës mars-maj (kur të gjithë njerëzit ishin në karantinë) e më pas mungesës së shoqërisë civile apo grupeve të interesit gjatë shqyrtimit të draftit në komisionin e Integrimit, ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, nuk po zgjon më vëmendjen e demokratëve, lidhur me shqetësimin kryesor që ata kanë se mund të ketë impakt tek zgjedhjet.

Qëndrimi i tyre mbeti në kufijtë e deklaratave politike pa u bazuar në nene konkrete të ligjit.

Por, a do të shërbejë kjo ndarje në katër rajone ekonomike si indicie për një konfigurim të ri administrativ në të ardhmen?  E vështirë të thuhet. Aq më shumë kur për  ndryshimin e kufijve të njësive administrative Kushtetuta parashikon që të merret mendimi i popullsisë në ato njësi

Ajo që dihet deri më tash është se Rama për konceptin e rajoneve ka punuar këtu e një vit më parë, duke pasur të qartë ndoshta rrugën që do të ndjekë edhe në vijim.

Për demokratët kjo tezë e re mbetet ende e paqartë…. Ndaj dhe ajo ka dyshime. Edhe për ligjin për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin, që në përmbajtje, të paktën, ka si qëllim krejt tjetër dhe jo zgjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë