Rend dhe Ligj

Arrestohet shefi i Kufirit në Korçë, Stilian Pasho. Akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës

Gazeta Si – Stilian Pasho, Shefi i Sektorit te Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, është arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore.

Pasho dyshohet për përfshirje në “Trafikimin e narkotikëve”. Për këtë ngjarje ka reaguar menjëherë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, duke përgëzuar AMP-në dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Korçë-Elbasan) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për ndalimin e punonjësit të Policisë Kryekomisar S.P., 53 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit pranë DVKM Korçë.

Ndalimi u krye në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar për veprën penale “Trafikim i narkotikëve“.

Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, dyshohet se Kryekomisari S.P., me veprime konkrete e të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe së fundmi në datë 27.11.2023, ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet, si dhe duke urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e tij.

Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e Policisë greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi–Shqipëri, e si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndëve narkotike në shtetin grek”, - shkruhet në njoftimin zyrtar.

Reagimi i ministrit Balla
Kur unë mora detyrën, u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Sherbimeve te Kufirit ne Drejtorine Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për pëfshirje në “Trafikim të narkotikëve”.

Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Përgëzime dhe vetëm përpara!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë