Libra

Ndahen çmimet ‘At Gjergj Fishta’ në letërsi

Nga Gazeta Si - E kthyer në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Lezhës, ditëlindja e poetit mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta” shënon edhe ndarjen e çmimeve në prozë, poezi dhe memuaristikë që mbajnë emrin e kolosit të letërsisë shqipe.

Në këtë edicion ku kanë marrë pjesë 22 autorë nga e gjithë Shqipëria, juria ka përzgjedhur si fitues të këtij konkursi kombëtar, Durim Taqi në prozë me librin “Liqeni në mes të detit”, në poezi Arben Dedja me librin “Italian job” dhe në memuaristikë Frano Kullin me librin “Fjalori i Gjergj Fishtës”.

Juria e përbërë nga shkrimtari Stefan Çapaliku kryetar dhe anëtarë redaktoren Suela Bala dhe shkrimtarin Ndue Dedaj kanë vlerësuar për punën e tyre me çmimin e karrierës edhe autorët Zija Çela për kontributin e tij në pasurimin e prozës së shkurtër e të gjatë shqipe me tematika e forma të reja, poetin Rudolf Marku për larminë e poezisë së tij dhe Tonin Çobanin për kontributin në studimin e Gjergj Fishtës.

Duke iu referuar këtij konkursi letërsie, të pranishmit janë shprehur se Lezha vazhdon të jetë një nxitëse në letërsi dhe çmime të tilla shërbejnë edhe si vlerësim për çdo autor.

Në ndarjen e çmimeve “At Gjergj Fishta” në letërsi për vitin 2022 morën pjesën shkrimtarë e poetë, ndërsa aktiviteti u shoqërua edhe me pjesë artistike nga krijimtaria e Fishtës.

23 Tetori ku u ndanë çmimet letrare përkoi me 151-vjetorin e tij të lindjes.

Fishta cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptar për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Vepra

Vepra e Fishtës në letërsinë e në kulturën shqiptare është e shumanshme. Me ‘Lahutën e Malcís’, sa ishte gjallë u pagëzua “epiku më i madh i shekullit”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit 20. Me veprat satirike ‘Anzat e Parnasit’ e ‘Gomari i Babatasit’ u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqipe. Dy librat e lirikave ‘Mrizi i Zanavet’ e ‘Vallja e Parrizit’ shqiptojnë tendosjen shpirtërore që ushqehet nga dashuria, revolta e dhembja për të kurorëzuar tematikën e vet në formulën e përsëritur “Atme e Fé”. Një kërkim të vazhdueshëm e bëri në fushë të dramatikës, që nga melodrama e deri te tragjedia, ku mbeten vepra që kujtohen Juda Makabé dhe Mbretnesha e Luleve. Fishta është i njohur me esetë e studimet për çështje të etnopsikologjisë e të kulturës tradicionale shqipe, për probleme estetike të artit dhe për kulturën autentike shqiptare. Fishta shkroi një tip të veçantë të prozës, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim dëshmues dhe komentues, pra eseistik. Gjergj Fishta me veprën e vet krijuese kërkonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm dhe u bë një moralizator i madh. Në këtë mënyrë lidhi dy periudha të letërsisë shqipe duke u bërë protagonist i të dyjave.

Tituj të veprave:

–Lahuta e Malcis,poeme 1937; -Anzat e Parnasit, satirë 1907; -Vallja e Parrizit, 1909; -Shqyptari i qytetnuem, melodramë 1911; -Shqyptarja e qytetnueme,melodrame 1929; -Shën Francesku i Asizit, 1912; -Juda Makabe, tragjedi 1914; -Gomari i Babatasit, satirë 1923; - Mrizi i Zanave, 1924; -Jerina ose mbretnesha e luleve, melodramë 1941.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë