Ne rrjet

NATO në kërkim të shefit të ri. Ish-presidentja kroate kandidatja kryesore

NATO është në kërkim të një shefi të ri. Pas gati shtatë vitesh, Aleanca Veri-Atlantike do të zgjedhë një sekretar të ri përgjithshëm, i cili do të pasojë Jens Stoltenberg, ish-kryeministrin e Norvegjisë.

Mes emrave të mundshëm që po lakohen për udhëheqjen e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë është edhe një aleate e njohur e Shqipërisë, ish-presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic.

Në selinë qendrore, diskutimet zyrtare sapo kanë filluar dhe pasardhësi i Stoltenberg pritet të prezantohet në një samit të udhëheqësve të NATO-s në Madrid në fund të pranverës ose në fillim të verës të vitit të ardhshëm. Aleatët zgjatën kontratën e Stoltenberg deri në shtator 2022, më shumë se një vit  kohë për të gjetur një zëvendësues.

Por spekulimet në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera aleate duken të larmishme, me disa zyrtarë, diplomatë dhe analistë që thonë se pas 72 vitesh është koha që aleanca të emërojë gruan e parë në krye të detyrës civile.

Të tjerë thonë se duke pasur parasysh përballjen e vazhdueshme me Rusinë, zgjedhja e një udhëheqësi nga  Europa Lindore do t’i dërgonte një sinjal të rëndësishëm Moskës.

Grabar-Kitarovic, e cila shërbeu si presidentja e parë femër e Kroacisë nga 2015 në 2020, ka një avantazh pasi ka punuar tashmë në selinë e NATO-s, si ndihmëse sekretare e përgjithshme për diplomacinë publike nga 2011 në 2014.

Grabar-Kitarović ndërtoi karrierën e saj politike si një konservatore e partisë së djathtë. Por ajo mburret me një nga rezymetë më mbresëlënëse midis shefave të mundshëm të ardhshëm të NATO-s, pasi ka shërbyer si ministre e Kroacisë për Europën dhe si ministre e jashtme.

Ajo shërbeu  si ambasadore e vendit në SHBA nga 2008 në 2011, duke i siguruar asaj marrëdhënie të forta në Uashingtonin, të cilat do të kenë një rol vendimtar në vendimin e NATO-s. Megjithatë, një pengesë mund të jetë fakti që ajo vjen nga Kroacia, një vend më ndikim të vogël rajonal. SHBA,  Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe tradicionalisht shihen si aleatët më me ndikim në procesin e përzgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm.

Por diplomatët theksuan se kualifikimet do të vlerësohen më shumë se kombësia, me një premium të veçantë të përqëndruar në aftësitë drejtuese, menaxheriale dhe komunikuese.

Dhe disa vende të BE-së, veçanërisht Italia, shpresonin se do të zgjidhej sekretare e përgjithshme e NATO-s, Federica Mogherini, një ish-ministre e jashtme italiane dhe ish-shefe e politikës së jashtme të BE-së, e cila më parë kishte shprehur  interes, por diplomatët thanë se ajo nuk do të kishte mbështetjen e Uashingtonit dhe se Enrico Letta, i cili shërbeu si kryeministër italian nga prilli 2013 deri në shkurt 2014, ishte më i duhuri.

Disa vëzhgues të NATO-s thanë që zgjedhja e një sekretari të përgjithshëm nga Balltiku, veçanërisht Grybauskai i Lituanisë, mund të shihet si tepër armiqësor ndaj Moskës, në një kohë kur Presidenti i SHBA-së Joe Biden po përpiqet të stabilizojë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë