Muzike

Muzikanti Shkurtaj çel Venecian: Jemi të gjithë bij të kinemasë

Foto: Luli Ndreu, për Art House, Shkodër.

Suadela Balliu - Ashtu siç rabini Löw përdor duart për t’i dhënë formë  Golemit, instrumentit të destinuar për të shpëtuar bashkësinë hebraike në shekullin e largët të 16-të, ashtu edhe kompozitori shqiptar me ansamblin e instrumenteve, përdor duart për të krijuar tingujt, që do të shoqërojnë sekuencë pas sekuence filmin pa zë, të regjisorit gjerman Paul Weneger, i zgjedhur për të çelur parapremierën e edicionit të 75-të, të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, mbrëmjen e 28 gushtit. Nëse njëri i jep jetë baltës, tjetri i jep shpirt tingullit.

“Ishte propozimi i drejtorit të Bienales së Muzikës në Venecia, pas përshtypjeve të mira nga opera “Katëri i Radës”; ishte një shenjë mirënjohjeje dhe besimi.”, rrëfen muzikanti Admir Shkurtaj, ndërsa të gjithë energjinë e këtyre ditëve e ka përqendruar në parapremierën e mbrëmjes, që njëherazi është premierë botërore e filmit të restauruar të  vitit 1920, “Golem – Si erdhi ai në botë”, me muzikë origjinale të maestros shqiptar, që në këtë performancë live, në sallën Darsena, të Lidos, do të shoqërohet nga Ansambli Mesimèr, ku soprano do të jetë shqiptarja Hersi Matmuja, me të cilën kompozitori ka bashkëpunuar në disa projekte.

Admir Shkurtaj dhe Hersi Matmuja në Bienalen e Venecias

“Hersi ka zëvendësuar një nga këngëtaret në operën “Katëri i  Radës”. Pas mungesës së një prej këngëtareve, kërkova një vajzë shqiptare, në vend të saj dhe gjeta Hersin, në Romë. Nuk e dija që ishte fituese e Festivalit të Këngës në Shqipëri. Kemi bashkëpunuar edhe në raste të tjera, prej asaj dite. Është vajzë e talentuar,  me vullnet,  me psikologji të fortë  dhe ka durim, sepse në  projektet e mia nuk është i lehtë zhvillimi; duhet shumë durim dhe shumë vëmendje.”, vijon Shkurtaj, i cili këtë performancë që çel një ngjarje të rëndësishme për artin botëror, e quan njësoj në peshë si çdo tjetër projekt,  ku përfshihet. “Projektet janë të gjithë madhorë, jo për destinacionin ku shkojnë; ndonjëherë janë madhorë edhe ata që nuk shkojnë në Bienalen e Venecias. Raporti me muzikën është gjithnjë i tillë, edhe pa u pagëzuar nga mjedisi apo vendi në të cilin prezantohet.”

Admir Shkurtaj dhe Ansambli Mesimèr gjatë provave për parapremierën e Festivalit të Filmit në Venecia, 28 gusht, 2018. Ansambli Mesimèr - Hersi Matmuja (soprano), Giorgio Distante (Bb trumbetë, midi trumbetë), Pino Basile (cupafon –tambure, perkusione, okarina), Vanessa Sotgiù (sintetizator, piano), Iacopo Conoci (çelo), Admir Shkurtaj (dirigjent, elektronikë, fizarmonikë, piano).

Filmi i  Paul Weneger-it, cilësuar si një klasik i periudhës së filmave pa zë – një nga më të njohurit dhe të cituarit e kinemasë së Vajmarit, e ka zhytur kompozitorin në kërkimin e metaforave të fjetura dhe të fshehura të kësaj rrëfenje krijimi, për të zhvilluar, më pas, gjuhën muzikore. I vendosur në Pragën e lashtë, të shekullit të 16-të,  “Der Golem – Wie er in die Welt kam” zbulon rrëfenjën hebraike të një krijesë bërë nga balta e sjellë në jetë nga një ritual okult i një rabini. Duke paraparë dëbimin e  hebrenjve nga qyteti, Rabini Löw, interpretuar nga aktori

Skenë nga  filmi pa zë, "Golem"

Albert Steinrück krijon dhe zgjon legjendarin Golem, për të mbrojtur popullin e tij. Pas disa zhvillimesh Golemi shpëton jetën e perandorit, interpretuar nga Otto Gebühr, duke e bindur të heqë urdhrin e dëbimit. Por për shkak të një shërbyesi xheloz,  rol i luajtur nga Ernst Deutsch dhe planeve të tij egoiste, Golemi del nga kontrolli dhe i kthehet kundër krijuesit të tij.

Për të kompozuar muzikën origjinale të këtij filmi, kompozitori ka përfshirë instrumente pak të njohura dhe të përdorura nga muzika konvencionale, siç është midi trumbeta apo cupafon-i, një instrument, i cili për t’u luajtur kërkon të zhytësh duart vazhdimisht në ujë, një proces i ngjashëm me atë të dhënies jetë të baltës. Tambure, çelo, idiofonë, perkusione, okarina, sintetizator, piano, fizarmonikë dhe tinguj elektronikë i japin zë, për herë të parë filmit. Instrumentistëve u është kërkuar t’i referohen procesit të punës së krijuesit, pa ndjekur rregullat e mërzitshëm akademikë dhe kanonikë.

Jemi thjesht lapsi i jetës, i bukurisë së gjërave, kur ky fat na jepet për ta parë dhe për ta birësuar.

Siç është shprehur vetë kompozitori për Bienalen e Venecias, muzika vjen si një përzierje e elementëve të xhazit, të muzikës bashkëkohore, moduleve melodike dhe ritmike,  tipike të traditës muzikore të Europës Lindore dhe muzikës elektronike.Përdorimi i elektronikës sjell analogjinë e natyrës së paparashikueshme të fatit të çdo krijese njerëzore: me të lënë duart e krijuesit, krijesa  është e  destinuar të jetojë një jetë të vetën. Ashtu siç ka për qëllim Golemi, ashtu siç ka për qëllim muzika. Gjeometria e  skenave pasqyrohet nga tingujt e betonit, të regjistruara në mjediset të vërteta dhe luajtur përmes sintetizatorit.

Përpjekja e rabinit për të tejkaluar kufijtë drejt rrokjes së të pamundurës, është identike  në natyrë me përpjekjen që një manipulues i materialeve tingëlluese bën në fushën e tij, kur provon kombinimet dhe alkimitë e reja, në gjuhën e tingujve. Performuesit, bashkë me kompozitorin që në këtë rast dirigjon, luan në piano, fizarmonikë dhe  elektronikë, duhet të ndjekin imazhet për t’ i dhënë forcë zhvillimeve emocionale të filmit.

Admir Shkurtaj në pianoforte dhe fizarmonikë.

Këtë vit është shoqëruar shpesh nga pianoforte dhe fizarmonika e tij – e pandashme qysh prej viteve të liceut “Jordan Misja, në mes të viteve ’80 – ku Admir Shkurtaj ka qenë i ftuar në koncerte apo në ekranizime filmash, të cilëve u ka kompozuar aty për aty, në një vrull improvizimi, kolonën zanore.

“Brenda një viti kam pasur kërkesa të rendit kinematografik;  kam muzikuar live me pianoforte, fizarmonikë dhe kompjuter edhe filma të tjerë; historikë, pa zë, të fillimeve të kinematografisë. Është punë e mirë, interesante, sepse raporti me videon të mëson shumë nga ana muzikore.”, thotë, ndërsa procesin e sheh si një qëndisje të muzikës në imazh. Ky rrugëtim, shton Shkurtaj, “Të lëviz nga dimensioni spekulor, muzikor, i vetëm dhe të çon te imazhi. Aty je në kërkim të mjeteve të tua muzikore, për të qenë më i drejtë në qëndisjen e mesazhit. Për ta thënë më shkurt,  mjafton edhe një zë i vetëm, një gisht në pianoforte për të qëndisur një imazh, të cilin nga ana muzikore  do e mendoje shumë më të komplikuar dhe të artikuluar.”

Jemi paksa të gjithë bijtë e kinemasë, në mënyrën e të jetuarit dhe të të parit të jetës.  Kështu që,  kinemaja është e rëndësishme nga ana muzikore, të gjithë muzikantët janë të kushtëzuar nga kinemaja,  edhe pa pasur një raport të drejtpërdrejt me të.

Kjo përvojë bashkëpunimi me filmin, thotë se i ka mësuar shumë, duke zbuluar veçantitë e dhënies muzikë të imazhit, ku hapësira dhe koha bëhen tipare më komplekse. Në rastin e Shkurtajt, krijimet e tij bëhen për së gjalli, në çast, ndërsa si shikues, rreket të nxjerrë emocionet që i shkund narracioni pamor, në përpjekje për të hyrë edhe në psiken e secilit anëtar të audiencës e njëherazi si krijues të sjellë edhe përkthimin e tij tingullor për secilën sekuencë të pamjes, e cila qëndron si një simfoni, në harmoni me të tërën. Ky proces, e bën marrëdhënien e tij me publikun të një lloji të veçantë. “Publiku është gjithnjë në qetësi absolute, dëgjojnë dhe,  pas koncerteve i shoh të goditur në disa pika të emocionit, që zakonisht nuk ceken. Edhe duartrokitjet  nuk i kam me duart e hapura shumë apo me shumë zanore. Ato që më rezervohen mua janë më të vogla, me një shenjë habie dhe shtangieje, sepse muzika është e re dhe nuk e dëgjojnë shpesh, arrin t’i prekë në disa tema të emocionit. Më jep kënaqësi të veçantë fakti që ngjitem  me tinguj dhe shprehje të reja dhe  jo të godas telat e zakonshëm.”

Admir Shkurtaj, ne House of Arts, Shkodër. Foto:Luli Ndreu

Muzika e Admir Shkurtajt duket si një qenie, gjithnjë në evolucion, në kërkim të shtigjeve dhe tingujve të rinj, hapësirave  më të shtrira dhe instrumenteve të panjohur më parë, në atë që mund të cilësohej si nuova musica  ku,  në një kontekst të dhënë,  gjithçka mund të bëhet burim tingulli. “Po, është e vërtetë, por  nuk kërkoj të renë për të renë, por të renë për të përmbushur  nevojat e mia të shprehjes. Në vetvete, e reja nuk ka asnjë vlerë;  e reja dhe e vjetra janë dy faqe të së njëjtës monedhë. E reja  bëhet vlerë kur i përket shprehisë. Kur ke nevojë për shprehje të reja brenda  vetes bëhet instrument i mirë dhe duhet kërkuar. E reja për vlerën e së resë është diçka sterile.”, është i mendimit kompozitori.

Për frymëzimin, si ushqim për krijimin e veprave muzikore, rrëfen se nuk ndjek ndonjë rregull të caktuar. “Janë të gjitha momente frymëzimi.  Më  pëlqen gjithçka;  jeta,  tingujt- të çdo lloji, ngado që vijnë. Jam thjesht vëzhgues i peizazhit tingëllor, por jo vetëm,  edhe pamor të jetës. Ngelem  në vëzhgim dhe më pëlqen shumë të shoh, sepse jeta duhet edhe jetuar siç është,  pa kërkuar për ta grabitur.”

Shkurtaj ne House of Arts. foto: Luli Ndreu

Pas impulseve nga bota që e rrethon, vjen procesi i shkrimit. “Aty izolohesh dhe të gjitha  ato që  jeta të ka sjellë, janë aty dhe vijnë në çastin kur i kërkon, në format nga më të ndryshmet dhe në mënyrë befasuese.” Shkrimi, vijon kompozitori, duhet ta befasojë edhe vetë krijuesin. “Edhe vetja është një lloj publiku kundrejt shkrimit. Shkrimi është diçka që vjen nga lart, diçka hyjnore. Duhet të ndërgjegjësohemi për këtë e të mos jemi në posedimin  e shkrimit;  jemi thjesht lapsi i jetës, i bukurisë së gjërave, kur ky fat të jepet për ta parë dhe për ta birësuar.”

Një fat, një privilegj, që ka brenda gëzimin po aq edhe dhimbjen, të parit të bukurisë së jetës. “Nuk është gjithmonë  e thjesht,ë sjell edhe pasojat e saj në drejtime të tjera të jetës, por është hyjnore, e bukur dhe fat.” Jeta e njeriut, për muzikantin, është frymëzim artistik, në të gjitha format e artit.Ky lloj vëzhgimi i jetës, si introspektivë por edhe impuls i jashtëm, e bën ta kuptojë dhe lidhë në mënyrë harmonike muzikën dhe kinemanë, të cilat qysh se kjo e fundit u shpik kanë bashkekzistuar dhe punuar ngushtë, ku njëra nuk mundet të kuptohet larg tjetrës.

Mjafton  edhe një zë i vetëm, një gisht në pianoforte për të qëndisur një imazh, të cilin nga ana muzikore  do e mendoje shumë më të komplikuar dhe të artikuluar.

“Kinemaja  është bërë një qendër e re për punën time.”, thotë, duke shtuar se bashkëpunimi me këtë fushë të artit varet edhe nga ajo çka i ofrohet. “Kur ka të bëjë me kinemanë, duhet të jesh i ftuar nga njerëzit e kinemasë , nuk bëhet me iniciativën time, nuk e vendos unë. Por  më pëlqen kinemaja;  është burim frymëzimi për formën, në mënyrë të  ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme.”Shkurtaj thotë, se kinemaja ka shënjuar kulturalisht, të gjithë shekullin e shkuar. “Jemi paksa të gjithë bijtë e kinemasë, në mënyrën e të jetuarit dhe të të parit të jetës.  Kështu që,  kinemaja është e rëndësishme nga ana muzikore, të gjithë muzikantët janë të kushtëzuar nga kinemaja,  edhe pa pasur një raport të drejtpërdrejt me të.”

Shkurtaj duke muzikuar live një film.

Megjithë bashkëpunimin me artin e shtatë – atij  plastik në lëvizje – Admir Shkurtaj pohon se mbetet gjithmonë muzikant,  “në  kuptimin e ngushtë të fjalës.” Pasi solli tre vite më parë “Katërin e Radës” , operën e shumë vlerësuar  nga kritika dhe e duartrokitur nga edicioni  i  58-të i  “Biennale Musica di Venezia” mbi tragjedinë e anijes me 120 udhëtarë të mbytur në kanalin e Otrantos, Shkurtaj do të kthehej sërish në Shqipëri, këtë vit, në “House of Arts” në Shkodër e ku thotë se do të jetë sërish në muajin shtator, si një stacion i ri i takimit të tij me publikun.

“Shkodra ka qenë avangarde për kulturën shqiptare.  Artistët  e parë, të paktën ata të muzikës që i njoh më mirë,  kanë qenë pionierë të zhvillimit si Çesk Zadeja, Tonin Arapi, Pjetër Gaci e të tjerë. Ka qenë gjithmonë një djep kulture për artin shqiptar, një pikë referimi dhe ka premisat të jetë një nga pikat më qendrore të artit,  në Shqipëri.”

Shkurtaj duke performuar në fizarmonikë, në qendrën kulturore "Arka", Shkodër. 

Tiranën, me zhvillimet e vrullshme urbanistike e sheh më të shpërqendruar. “Kjo gjithçka në gjithçka i humb identitetin, nuk kuptohet më. Tirana e sotme është një lloj Babeli i të gjitha shprehjeve, arteve. E thënë mund të duket interesante, por kur e sheh nuk është njëjta. Në perceptimin tim, i  shoh me shqetësim zhvillimet kulturore e shoqërore, sidomos të individit tiranas, ku  është qendra e të ndenjurit, jetuarit dhe  të zhvilluarit,  nga ana kulturore e sociale. Mua më pëlqeu më shumë Shkodra.”

Do ta ankorojë sërish Katërin e tij muzikor në brigjet shqiptare, ku më 6 shtator do të jetë në teatrin “Migjeni”, në operën që përmes përzierjes së traditës me improvizimin, avangardës elektronike me polifoninë, do të sjellë edhe njëherë dhimbjet e jetuara të atyre që u mbytën në det në kërkim të një jete më të mirë, përtej brigjeve tona të izoluara. Nuk mungon në këtë opera cupafoni, i cili përdor ujin, element i fuqishëm i veprës së Alessandro Leogrande-s “Il Naufrago” që Shkurtaj e ka kthyer në një opera të pazakontë, duke prezantuar tinguj e instrumente të papërdorura më parë në vepra të tilla.

Nga opera "Katëri i Radës", krijuar nga Admir Shkurtaj.

Dikur, do të shprehej se nuk ishte përsëritës i tragjedisë së ngjarjeve, por përmes krijesës së tij muzikore sjell dhe pështjellon brenda çdo dëgjuesi atë tragjedi universale të llojit njerëzor. Edhe vetë kompozitori do ta linte vendin e tij, me një anije të ngjashme, drejt Italisë, ku u vendos në Leçe, qyteti ku vijoi studimet në Konservatorin  “Tito Schipa” e më vonë punoi si lektor dhe kompozitor duke krijuar muzikë për orkestra dhome, të plota, për teatër dhe film.

Pas Shkodrës do të jetë në Prishtinë, më 8 shtator dhe dy ditë më vonë, më 10 shtator, publiku i Tiranës do ketë mundësinë të ndjekë operën “Katëri i Radës” në mjediset e amfiteatrit në parkun e Liqenit, ndërsa fundi i muajit do e shohë trupën artistike të kësaj opere në Torino, më 21 shtator. Tingujt e veprës origjinale të kompozuar për filmin “Golem”,  i japin udhë edicionit të  75 –të të  Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, i cili do të mirëpresë si çdo vit kineastë, aktorë, regjisorë e producentë më në zë të industrisë botërore të filmit nga data 29 gusht deri më 8 shtator.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë