Kinema

Mr. Big duhet të vdiste! Ja ç’do të ndodhte në “Sex and the City 3”

Nëse do të ishte realizuar “Sex and the City 3” do të kishim parë një Carrie Bradshaw me fustan të zi, duke vajtuar në stolin e parë të një kishë burrin e saj, Mr.Big, pseudonimi i John James Preston. Ai që e ka zbuluar është James Andrew Miller që, në podcast-in e tij “Origins”, ka shpjeguar sesi vdekja e personazhit do të kishte qenë boshti i kapitullit të tretë të serisë. Flitej në fakt për një vdekje të parakohshme, që do ta kishte mbërthyer befas Big-un me një infarkt në dush, në fillim të filmit. Miller beson se ishte ky ndryshim i befasishëm, që do ta shihte Kim Cattrall, në rolin e Samantha Jones, kundër që në fillim. “Njerëzit pranë Kim-it besojnë se skenari nuk i ofronte shumë personazhit të Samantha-s”, ka thënë Miller. Sipas aktores, në fakt, historia do të përqendrohej mbi të gjitha në përpunimin e zisë së Carrie-it, duke lënë mënjanë miqësinë e katër grave.

Chris Noth, fytyra e Big-ut, u mjaftua duke thënë se skenari “nuk më pëlqeu fort”, duke zgjedhur në mënyrë diplomatike për të mos komentuar vdekjen e personazhit të tij. “I urrej vërtet gjërat banale e mund të jetë ngaqë jam pak cinik. Si sekuenca e plotë e dollapit të këpucëve në fund të filmit të parë: e urreja”, ka shtuar aktori, i pakënaqur me finalen e filmit të parë, më 2008-ën. E megjithatë ka pasur vërtet një moment ku dukej se “Sex and the City 3” do ta shihte ditën e prodhimit. Ai që e mendon kështu është aktori Willie Garson, i cili interpreton Standford Blatch, që rrëfen sesi prodhimi i filmit do të duhej të niste në tetor të 2017-ës.

“Do duhej t’i nisnim xhirimet më 20 tetor të vitit të kaluar, pra një vit më parë”, ka rrëfyer Garson përpara se të pranonte se filmi, përtej publikut dhe fansave, do të kishte bërë të lumtur edhe llogarinë e tij bankare. Ajo që nuk u dorëzua kurrë, ama, ishte Sarah Jessica Parker , e cila pasi e përkufizoi skenarin “interesant, zbavitës dhe shpirtdërrmues”, ka shpjeguar sesi do të kishte bërë gjithçka kishte në dorë, të bindte Cattrall-in për t’u kthyer në skenë.    

“Kam bërë shumë, shumë, shumë bisedime me menaxherin e saj dhe ai më thoshte: “Do t’i pëlqente të merrte lajme nga ti.” E kontaktova përmes postës elektronike, vetëm për t’i thënë: “Do të donim që të ishe pjesë e këtij filmi, ti je pjesë integrale e tij. Shpresoj se, kur ta lexosh skenarin do të shohësh bukurinë, gëzimin dhe trishtimin, që shoh unë”, por nuk ndodhi kështu.

Me siguri Carrie, më 2018-ën, nuk do të kishte qenë shpërfillëse në epokën e #MeToo dhe Time’s Up: “Carrie fliste para së gjithash për politikë seksuale, që, padyshim, është një nyje kryesore e debateve të #MeToo edhe Time’s Up. Jam e sigurt se do të kishte shumë për të thënë rreth çështjes, ashtu si edhe Miranda, Samantha dhe Charlotte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë