Kinema

Moreja shqiptare, rrugës drejt Oscar-it

Suadela Balliu - Emri i saj është i lashtë  e i rrallë, me ta dëgjuar nuk mund t’i shpëtosh dot shoqërizimit me  “Të bukurën More” , këngën 600-vjeçare të arbëreshëve të Italisë. More Raça ka lindur në Kosovë , u rrit në sheshxhirimet e filmave , duke shoqëruar të atin aktor dhe vendosi të mos largohet më prej aty, duke ndjekur një karrierë si regjisore. Ka realizuar tre filma me metrazh të shkurtër dhe emri i saj këto ditë është  ndër më të lakuarit, si regjisorja që për të parën herë mund të çojë një film shqiptar në çmimet “Oscar”.Rruga deri aty për filmin me titull “Ajo” , që e sheh Raçën si regjisore e skenariste, nuk është fort e lehtë, por fillimi ka qenë i mbarë dhe rruga premton të jetë po aq.

“Ajo” do të ketë premierën botërore në Manhattan Short Film Festival, festival i cili çelet më 21 shtator dhe për shtatë ditë do të projektojë në  300 kinema,  në 6 kontinente të të  botës, listën e  9 filmave finalistë,  të zgjedhur nga afro dy mijë konkurrues. Filmi i regjisores nga Kosova është zgjedhur në nëntëshen më të mirë dhe pritet të shihet nga një audiencë prej njëqind mijë shikuesish.

“Është një fillim shumë i  suksesshëm,  pasi qysh në  premierën e këtij filmi po fitohet e drejta për aplikim në  “Oscar” dhe gjithashtu shfaqja në më shumë se  300 kinema anekënd botës, ku vlen të  veçohet se filmi do të shfaqet në  kinematë e Hollivudit. Kjo më  bën shumë të  lumtur, mua dhe të  gjithë ekipin e filmit dhe është një garanci e fortë  që  filmi do të  ketë një rrugëtim të  mirë , të  suksesshëm dhe të  gjatë  në  festivale  të  mëdhenj  botërorë.”, mendon regjisorja, ndërsa zbulon hollësi nga subjekti i filmit, skenarin e të cilit e ka shkruar vetë.

Regjisorja More Raça

“Filmi “Ajo” ka për subjekt një grua, viktimë të  dhunës familjare,  e cila për shkak të  normave të shoqërisë patriarkale e hesht dhunën që ushtrohet mbi të. Në film, paraqitet edhe vajza e saj Zana, e re e guximshme, e cila kundërshton heshtjen e nënës dhe dorëzimin para gjykimit patriarkal të shoqërisë,  në të cilën jeton.”Në filmin “Ajo” intepretojnë aktorë si Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora. “ Në  film kam aktorë  me përvojë të  madhe, por  edhe debutues, të cilët nuk kanë pasur rastin të jenë pjesë e ndonjë filmi.” Rrëfen se më shumë sesa përvoja e aktorëve, rolet i ka ndarë sipas përshtatjes me karakterin.

Raça thotë se filmi  është bazuar në a ngjarjet e shumta tronditëse,  ku gratë janë viktima të dhunës si ne Kosovë, Shqipëri, por edhe në mbarë Ballkanin,  “ku është kjo dukuri shumë e shprehur.”, thekson regjisorja. Fundi i filmit, me nënën dhe vajzën që vendosin të largohen nga dhuna, është shpresa dhe kuraja që regjisorja dëshiron të përcjellë për të adresuar problemin dhe për t’i gjetur zgjidhje, në shoqëritë tona, patriarkale. Madje, edhe premierën e filmit në Kosovë, e sheh si një gjest që mund të ndikonte në ndryshimin e mendësisë.

Duke iu kthyer edhe njëherë realizimit të filmit, Raça thotë se puna me skenarë të mirë është garancia e regjisorit për sukses. “Çdo regjisor ka kënaqësi të punojë me skenarë  të mirë, pasi është garanci për regjisorin,  andaj unë punoj skenarë mbi rrëfime interesante dhe që përçojnë mesazhe të fuqishme.  Një  skenar i tillë ma bën më të lehtë realizimin,  por më bën edhe me të përgjegjshme duke u munduar  të  jap kreativitetin regjisorial.”, rrëfen regjisorja e re.

Deri më tani ka eksperimentuar talentin e saj në filma me metrazh të shkurtër, që sipas saj për nga struktura nuk ndryshojnë sepse të dy gjinitë përcjellin linjën dramatike, por zbulon se së shpejti do të nisë xhirimet e filmit të parë me metrazh të gjatë, me skenar po të shkruar nga ajo vetë, titulluar “Galaktika e Andromedës”.

Kam shkruar një skenar të metrazhit të gjatë, të cilin do e realizoj së shpejti, projekt ky i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Do të jetë debutimi im me film të metrazhit të gjatë”.  Edhe në këtë film, rrëfen se do të trajtojë problemet sociale dhe veçanërisht ato të gruas.  Rrugëtimi drejt çmimeve “Oscar” ku shpreson që filmi i saj të kandidohet, duket se ka qenë edhe një shtysë fati, pasi në festivalin e parë të filmit të shkurtër, në të cilin aplikoi dhe mori përgjigje pozitive, mes projektimit të filmit në 300 kinema të botës, ishte edhe e drejta e aplikimet për “Academy Awards” .

“Ne po shpresojmë që  filmi të  nominohet, edhe pse rruga deri në  nominim është mjaft e vështirë. Tani  jemi në konkurrencë për t’u futur në rrethin e ngushtë, edhe një hap na ndan nga kjo, dhe shpresojmë se do t’ia dalim. Na gëzon fakti që  kemi arritur  deri këtu dhe ky është një sukses shume i madh për kinematografinë shqiptare.” Janë afro njëqind e tridhjetë filmat, të cilët gjatë gjithë vitit fitojnë  të drejtën të futen në listën e shkurtër të kandidimeve “Oscar”. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikë,s filmi do të marrë pjesë në festivale të tjerë ndërkombëtare, bën me dije regjisorja.

Qëllimi i Raçës si kineaste, është që filmat e saj të shihen nga audienca të mëdha dhe me këtë rrugëtim të “Ajo” po ia del.  Filmi gjithashtu e ka renditur Kosovën mes konkurrentëve që kanë histori të gjatë në kinematografi si ShBA, Britani, Gjermani, Itali apo Francë.“Buxheti në  të  gjithë  shtetet e Europës Juglindore është shumë i ulët  dhe sigurisht se kushtet nuk janë as afër optimales, por ne pretendojmë,  që  me zhvillimin e kinematografisë do të  krijohen kushtet më  të mira.”, thotë ajo e pyetur për kushtet dhe investimet që bëhen në vendin e saj për kinematografinë.

Sa i përket kinemasë së Ballkanit, regjisorja thotë se vendet e ish-Jugosllavisë kanë pasur disa suksese në këtë fushë. “Pas luftës ka filluar të rimëkëmbet kinematografia dhe të dalin emra të rinj kineastësh.”Prej kohës kur vendosi të studionte në fakultetin e Arteve të Prishtinës, regji filmi,në  klasën e profesor Ismet Sijarinës në vitin 2010, frymëzim ka marrë nga kinemaja italiane, ku veç periudhën e Neorealizimit dhe regjisoret që  kanë  lënë vulën e tyre  në  kinematografinë botërore  si  Federico Fellini, Roberto Rosselini, Vittorio de Sica, etj.Megjithëse deri tani ka realizuar filma autorë, me regji dhe skenar të saj, nuk e përjashton që në të ardhmen të bashkëpunojë me skenaristë të tjerë.

Rrëfen se deri tani filmi ka ecur duke i tejkaluar edhe pritshmërinë e saj të fillimit, ku nuk i ka munguar përkrahja nga kompani të huaja në postproduksion por edhe nga distributorë që tashmë e kanë përfshirë filmin në portofolat e tyre dhe kanë premtuar se do e shpërndajnë në kinema dhe festivale të filmit.  Nëse filmi i regjisores nga Kosova do të marrë të drejtën të hyjë si kandidat në gjininë e filmit të shkurtër në çmimet “Oscar”, për More Raçën do të thotë një rrugëtim i gjatë, në botën e madhe të kinemasë botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë