Futboll

Monako për rekord, 550 milionë euro fitim në dy sezonet e fundit

Klubet e futbollit duhet të jenë si fabrika që sjellin fitime. Kjo është ëndrra e çdo presidenti klubi, por deri tani vetëm njëri ia ka arritur qëllimit plotësisht. Ai është Dmitrij Rubolovlev, pronari i klubit të Monakos. Ekipi nga Principata, në dy sezonet e fundit ka arritur të arkëtojë plot 550 milionë euro nga shitja e futbollistëve. Pjesa më e madhe e kësaj shifre vjen nga shitja e Kilian Mbape te PSG-ja, por jo vetëm ai. Janë të shumtë transferimet që kanë mbushur arkën e klubit francez.

Kalimi i Mbape te rivalët e PSG-së verën e kaluar bëri bujë, jo vetëm për shifrën e shpenzuar për të, 220 milionë euro. Shitjet e tjera në këto dy sezone janë ato të lojtarëve si Lemar, Mendi, Bernardo Silva, Fabinjo dhe Bakajoko, që kanë sjellë 230 milionë euro në total për Monakonë, duke bërë që klubi i Principatës të ketë një plusvalencë për rekord.

Oligarku rus, Dmitrij Rubolovlev, presidenti i klubit të Monakosë

Largimi i lojtarëve të një niveli të lartë nuk e ka lejuar Monakonë të fitojë trofe dhe të ketë një ecuri mbresëlënëse në Kupat e Europës, siç ka ndodhur në sezonin 2016-2017, kur fitoi titullin kampion në Francë dhe shkoi deri në gjysmëfinale të Champions League, ku u eliminua nga Juventusi. Sulmuesi kolumbian, Radamel Falkao, është i vetmi lojtar big i mbetur aktualisht në ekip, ndaj dhe trajneri Zhardim duhet ta ndërtojë skuadrën thuajse nga e para për të qenë kompetitive. Monako e humbi ndeshjen e Superkupës ndaj PSG-së, 4-0, dhe kjo është një kambanë alarmi. Shpresat e trajnerit portugez të Monakos janë te talenti rus, Aleksandër Golovin, i blerë nga CSKA-ja e Moskës për 30 milionë euro. Në të ardhmen ai mund të jetë shitja e radhës, që do të shtojë të ardhurat në arkën e Monakosë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë