Analize

“Modeli norvegjez”, ekspertët kërkojnë që Ballkani të anëtarësohet hap pas hapi në BE

Koncepti ‘brenda ose jashtë’ BE-së nuk vlen më për Ballkanin. Një grup ekspertësh, diplomatësh dhe zyrtarësh që këshillojnë Bashkimin Europian në lidhje me anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe kanë dërguar një propozim të ri në Bruksel.

Ata kërkojnë që pas dy dekadash në dhomën e pritjes, vendet e rajonit të kenë mundësi të anëtarësohen hap pas hapi në BE, sipas modelit “norvegjez” duke u bërë fillimisht pjesë e institucioneve të BE-së si tregu i përbashkët. Por ndryshe nga Norvegjia, në fund të procesit, ata propozojnë që vendet e rajonit të bëhen anëtare me të drejta të plota të unionit.

Propozimi ka ardhur nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane me qendër në Bruksel dhe i është dorëzuar tashmë presidencës sllovene, e cila e ka bërë tanimë të qartë se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë përparësi e saj.

Ekspertët që këshillojnë Brukselin, mes tyre edhe eksperti i njohur i çështjeve të rajonit Michael Emerson, kërkojnë që procesi i anëtarësimit të bëhet më funksional, duke u ndarë në sektorë dhe duke bërë të mundur anëtarësimin në faza.

“Është e qartë se askush nuk është i kënaqur me status quo-në aktuale në Ballkanin Perëndimor. Siç qëndrojnë aktualisht gjërat, nuk ka gjasa që vendet e rajonit të bëjnë një përparim të papritur dhe thelbësor drejt anëtarësimit të plotë”, thotë Emerson. “Për të thyer bllokimin, është e nevojshme të largohemi nga disa tipare të modelit të mëparshëm, duke e mbajtur anëtarësimin e plotë si qëllimin përfundimtar, por duke mos i lënë ndërkohë vendet e rajonit totalisht të shkëputura”, shkruan ai.  Precedentët për një lloj të tillë integrimi tashmë ekzistojnë, Bashkimi Monetar Evropian dhe Shengeni janë shembujt kryesorë.” Propozimi nw fjalë përcakton me detaje sesi do ndiqej një model i tillë.

Por, a është i mundur të zbatohet?

Modeli duket i ngjashëm me atë norvegjez. Në thelb ai parashikon që në vend të pritjes së anëtarësimi, të ofrohet anëtarësimi në dy institucione kyçe; Bashkimi Europian për Tregtinë e Lirë dhe Zonën Ekonomike Europiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra, që nuk janë anëtarë të BE-së.

Megjithatë, kjo ide nuk është pritur mirë nga ekspertët dhe mediat serbe, të cilat shkruajnë se një qasje e tillë do të shtynte pafundësisht integrimin e rajonit.

Gazeta serbe “Novosti” raporton pas këtij propozimi pritet të ngrihen drafte që do të përqendrohen te partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të unionit. Gazeta serbe thekson se ndryshimi i qasjes së bisedimeve me vendet e Ballkanit po diskutohet midis dy vendeve më me ndikim brenda BE-së, Franca dhe Gjermania, edhe si pjesë e metodologjisë së re të anëtarësimit.

Ajo e vë theksin kryesor tek ndihma financiare e vendeve të Ballkanit.

"Një nga propozimet kryesore është integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë. Nëse mbyllet si për shembull kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet pikërisht në këtë sektor", shkruan “Novosti”. Por ekziston rreziku që këto modele të shmangin dhe shtyjnë edhe për një dekadë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në union.”

Serbia dhe Mali i Zi do të vazhdojnë tanimë negociatat me metodoligjinë e re të propozuar nga Franca, e cila duke qënë se e ndan anëtarësimin në faza, i lejon të paktën në letër, vendet e rajonit të anëtarësohen në fushat dhe institucionet që bëjnë më shumë përparim.

Deri përpara disa muajsh, procesi i zgjerimit kishte një strukturë vertikale: vendet ngjiten nga marrëveshjet e asociimit, tek statusi kandidatit dhe më pas tek nisja e bisedimeve të pranimit, deri sa të arrijnë nivelin e fundit: anëtarësimin.

Ajo që ka propozuar Franca dhe që është miratuar tanimë nga Serbia dhe Mali i Zi, është një qasje tjetër, ajo "horizontale", e cila do të niste me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas sektorit. Ekspertët e  Qendrës për Studime të Politikave Evropiane bëjnë thirrje që Brukseli të shfrytëzojë këtë metodologji, për ta bërë Ballkanin hap pas hapi pjesë të strukturave kyçe të BE-së.

“Për shembull të gjitha vendet tashmë kanë bërë përparim në fushën e lidhjeve të energjisë dhe transportit. Me disa përpjekje dhe imagjinatë, strategjia mund të shtrihet në shumë fusha të tjera. Miratimi dhe zbatimi i reformave për një sektor të veçantë do të mbështetet nga ndihma financiare, ku BE-ja do të mbante statusin e vëzhguesit ose bashkëpunëtorit. Dhe në fund të kapitullit vendet e rajonit do të bëheshin pjesë vetëm e komiteteve dhe strukturave të energjisë të unionit europan”, thekson propozimi.  Kjo qasje do të ndihmonte në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e partneritetit real midis BE dhe vendeve të zgjerimit. Por ndërkohë që Shqipëria do të kalonte reformat e integrimit hap pas hapi, linja ndarëse midis anëtarësimit dhe mos anëtarësimit, do të bëhet e paqartë”.

Për ekspertët, reformimi i metodologjisë së zgjerimit është i domosdoshëm duke parë se vende si Rumania dhe Bullgaria, nuk kanë arritur ende të bëhen pjesë “de fakto” e unionin dhe për të çliruar rajonin nga kapja e shtetit.

Por edhe një sërë idesh të tjera për reformimin e zgjerimit janë bërë gjithashtu pjesë e debatit aktual. Për shembull, Gerald Knaus, zyrtar i Iniciativës Europiane të Stabilitetit sugjeroi krijimin e një Zone Ekonomike të Evropës Jug-Lindore (SEEEA), qe do të hapte tregun e brendshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar ndihmë ekonomike por duke shtyrë çështjen e anëtarësimit aktual. Në mënyrë të ngjashme.

Qasja e integrimi të pjesshëm ka më shumë të ngjarë të fitojë mbështetjen e rajonit thjesht sepse ofron përfitime konkrete .Por, cilado qoftë qasja që BE zgjedh në fund të fundit, një gjë është e qartë: në fund çdo rrugë duhet të përfundojë më anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonin. Nëse, këto nisma janë të destinuara të dështojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë