Politike

Shkupi pret mes dyshimeve takimin e radhës për Shengenin Ballkanik

Forumi Ekonomik dhe i Bashkëpunimit Rajonal do të mblidhet ditën e enjte, më 29 korrik në Shkup me dyshimet e mëdha dhe me gjasë bojkotin e Kosovës dhe Malit të Zi, duke lënë në tyrezë të sigurtë treshen Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev.

Mbajtja e këtij forumi u njoftua në takimin e fundit të zhvilluar online mes Kryeministrit të Shqipërisë, atij të Maqedonisë së Veriut dhe Presidentit serb në kuadër të nismës së Shengenit Ballkanik.

Në Kosovë, Albin Kurti në opozitë e ka konsideruar këtë nismë si nisma e krijimit të “Jugosllavisë së re”. Por, në pushtet, Kurti ka ndërmarrë disa vendime që në thelb janë edhe pjesë e nismës. Qeveria e tij miratoi një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Bosnjë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Edhe pse qeveria thotë se ky vendim erdhi si pjesë e procesit të Berlinit, opozita thotë se në fakt ky ishte një hap drejt miratimit të Mini Shengenit.

PDK e ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë Kurti, e cila sipas saj nuk e trajton Kosovën si të barabartë me vendet tjera. Ai kujton se Albin Kurti e kishte quajtur Mini Shengenin “Jugosllavinë e re”.

A do të jetë pjesë e këtij forumi Albin Kurti? Për momentin nuk ka asnjë konfirmim nga Qeveria e Kosovës, por analistët dhe ekspertët paralajmërojnë bojkotin e tryezës nga ana e Kryeministrit të Kosovës dhe vendimi i bojkotit mund të jetë marrë që pas përfundimit të takimit të dytë të tensionuar me Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë.

Nisma shihet me pesimizëm edhe nga Mali i Zi. Podgorica e sheh si humbje kohe pjesëmarrjen.

“Do të ishte një humbje energjie dhe se Mali i Zi ka kohë tashmë që i ka “hapur kufijtë” dhe ka hequr barrierat tregtare për fqinjët e saj”, ka deklaruar Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi. Gjithsesi, Mali i Zi parashikohet që të marrë pjesë formalisht në këtë forum të organizuar në Shkup.

Por, pesimistë në lidhje me Shengenin Ballkanik ka edhe vetë në Maqedoninë e Veriut. Komuniteti i biznesit në Maqedoninë e Veriut thotë se është skeptik ndaj planeve për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet nismës së Mini-Shengenit Ballkanik. Organizata e Punëdhënësve maqedonas beson se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vështirësi në bashkëpunimin ekonomik.

Si probleme, ata përmendin doganat e shumta dhe infrastrukturën e dobët. Për më tepër, në shumë vendkalime kufitare në rajon sipas tyre, për shkak të procedurave, ka akoma kamionë të bllokuar, ndonjëherë me ditë.

Duke u ndalur tek Mini Shengeni, biznesmenët paralajmëruan se tregu maqedonas do të përmbytet me produkte nga tregu serb. Prandaj, ndoshta sipas tyre duhet menduar një shkëmbim proporcional midis tre vendeve nëse Kosova nuk bëhet pjesë e kësaj nisme.

Si problem kryesor në rajon, biznesmenët tregojnë mungesën e fuqisë punëtore. Ata thonë se nëse nuk ndryshon kultura dhe politika e gjithë Europës, planet për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore nuk do të japin asnjë rezultat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë