Rend dhe Ligj

Ministria e Brendshme: MEK s’iu përmbajt marrëveshjes së vitit 2014. Policia ndërhyri konform ligjit

Për Ministrinë e Brendshme, operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen".

Sipas MB shqiptare, "ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë Ministria e Brendshme.

“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale” thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë