Ekonomi

Milot-Balldre, histori e shkurtër e një koncesioni të kundërshtuar

Në kulmin e shpërthimit të skandalit të tenderit për Unazën e Re, Qeveria vazhdonte punën për dhënien sipas skemës partneritet publik-privat për të tjera projekte me shifra marramendëse për buxhetin e shtetit.

Aksi Milot-Balldre, 17 kilometra i gjatë, ishte njëri prej tyre, ku Qeveria u vu në lëvizje pas një oferte të pakërkuar dhe sipas përllogaritjeve të pasqyruara që në 2017-ën kostoja shkonte në rreth 100 milionë euro.

LEXO EDHE:
Milot-Balldre, koncesioni që po mbërthen nga fyti buxhetin e ri
Basha bankave: Mos financoni Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara! Do keni pasoja
Grupi i Hajdarit padit Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat: PPP korruptive

Por, në tetor të 2018, kur kompania fituese u shpall kompania “ANK” kostoja u rrit me rreth 60 mln euro të tjera, duke shkuar në 160 milionë në total. Qeveria u justifikua duke deklaruar se projekti kishte ndryshuar, duke shtuar hyrje-dalje, ura, mbikalime dhe rrugë dytësore. Kontrata parashikonte që rruga të ndërtohej me paratë e kompanisë ndërtuese, ndërsa Qeveria do të paguante me këste shumën në fjalë për 13 vite.

Kjo çoi në një tjetër rritje, që lidhej me normat e interesit, që shteti do t’i paguante privatit. Këtu kostoja u rrit me rreth 90 milionë euro, duke e çuar vlerën totale të realizimit të projektit në 250 milionë euro.

Kjo fryrje e kostos pasoi akuza të forta nga opozita, ndërsa u ngritën edhe pikëpyetjet mbi potancialin e kompanisë “ANK” për të realizuar një vepër të tillë. Vetë kompania deklaron një kapital total shumë herë më të ulët nga vlera e projektit, që nënkupton se për realizimin e tij do t’u drejtohet bankave.

Duke cituar mungesën e potencialit të kompanisë në fjalë, zv.Kryeministri Erion Braçe deklaroi i pari publikisht në një intervistë televizive se projekti ishte anuluar. Por, vetë kompania “ANK” thotë se nuk është njoftuar nga Qeveria për këtë vendim dhe se po vazhdonte punën për të zbatuar këtë projekt.

“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit”, tha drejtori i kompanisë “ANK”, Ndue Kola në një bisedë telefonike me BIRN.

Kjo kontratë është sulmuar edhe nga Partia Demokratike. Lulzim Basha kërkoi nga bankat dhe të gjitha institucionet e tjera financiare që të refuzojnë financimin e këtyre projekteve, duke deklaruar se qëllimi i tyre është pastrimi i parave të trafiqeve dhe korrupsionit.

“Prandaj, ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e vigjilencës së zgjeruar në çdo transaksion, ku përfshihen subjekte që janë angazhuaar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht duke pasur parasysh indiciet që janë publike edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare”, deklaronte kreu i PD-së në një letër që u ka dërguar të gjitha bankave në tetor të këtij viti.

Kontrata kaloi në formën e një ligji, që fillimisht u kthye për rishqyrtim nga Presidenti Ilir Meta në muajin gusht. Meta e argumentonte këtë vendim duke deklaruar se ligji po shërbente si maskim për një aferë të madhe korruptive dhe përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe drejtësisë.

Ndërkohë, fryrja artificiale e kostos së projekteve ishte edhe shkaku që FMN t’i kërkonte Qeverisë bllokimin e ofertave të pakërkuara, sidomos për projektet në infrastrukturë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë