Lajme

Qeveria pranon dështimin me rrugën Milot-Balldre. E anulon përmes televizionit

Sabina Veizaj-Qeveria anullon Milot-Balldre në kushtet e një situate emergjence post-tërmet duke mos e quajtur një lajm të rëndësishëm, por të deklaruar gati dy muaj më parë.

Në këtë kuptim, qeveria pranon dështimin me këtë koncesion të shumëpërfolur që vetëm për 17.2 km do ti kushtonte shqiptarëve gati 260 milionë euro.

Lajmin e bëri me dije në ABC News, zv/kryeministri Erion Braçe me argumentin se “kompania nuk iu përgjigj dot kontratës”.

“E ka thënë Kryeministri dhe s’dua të bie në përsëritje… kemi bërë PPP e kontrollit shëndetësor (check up). Ta anulojmë ne këtë që tek privati njerëzit e të paguajnë 340 euro. Për mua është shërbim i domosdoshëm që qytetarët duhet ta marrin falas. Kë të anulojmë PPP e sterilizimit të pajisjeve mjekësore? A e dini sa ishte numri i infeksioneve? Si do ta bëjmë të khehemi tek bisturitë e vjetra. Po hemodializa? Si t’ia bëjmë t’i lëmë njerëzit pa bërë dializën?!

A e dini sa janë të gjitha këto që po bërtet opozita? Fatura për PPP është 8.2 miliardë lekë në vit.

Për çfarë po bëhet zhurma? Milot-Balldre nuk do të bëhet! Kompania nuk i përgjigjet dot kontratës. Pse e stisin për çfarë po e thonë tani? Kemi deklaruar prej 1 muaji e gjysmë që kjo s’do bëhet…pse po bërtasin për Milot-Balldre”, u shpreh Braçe.

Por në të vërtetë kjo është hera e parë që një përfaqësues i qeverisë deklaron zyrtarisht se kjo vepër (rruga Milot-Balldre) nuk do të ndërtohet.

Më 19 nëntor teksa prezantonte projektbuxhetin për vitin 2020, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, do të shprehej për rrugën Milot- Balldre se “ajo që dëgjohet në medie është thjesht konsum politik, për këtë projekt ka kohë disa muaj derisa të plotësohen e paraqiten dokumentet. Nëse financimet bien ndesh me ligjin, projekti do të anulohet”.

Belinda Balluku Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës në Komisionin e Ekonomisë për projektbuxhetin 2020

Por në asnjë rast, as ministrja Balluku, as ndonjë përfaqësues tjetër i qeverisë Rama nuk ka deklaruar publikisht që ky projekt është anuluar.

Për deklaratën e Zv/kryeministrit Braçe ka reaguar Partia Demokratike përmes nënkryetarit të saj Edmond Spaho.

“Ja pra që opozita dhe zoti Basha kanë të drejtë. Po të mbani mendjen të ftohtë dhe t’ju sundojë realizmi, plani prej tre pikash i zotit Basha është shpëtimi juaj. Vlerësimi sa më parë i dëmeve të jep mundësi të dish nevojat dhe të fillosh nga rikuperimi i tyre. Financat janë thelbësore në këtë proces sepse asgjë nuk ndërtohet me urata. Për të marrë ndihmë nga jashtë duhet së pari të mobilizohen burimet e brendshme. Mundësia e vetme për këtë janë anullimi i koncensioneve. Pas rrugës Milot- Balldre duhet anulluar rruga Orikum-Dukat, 80 milion euro për 14 km rrugë”- ka thënë Spaho.

Edmond Spaho, nën kryetar i PD-së

Sipas tij, koncensioni i check-up është më i thjeshti për tu anuluar sepse Vilma është ushtare e partisë. Me këtë koncension është abuzuar dhe jam i sigurtë që të gjithë shqiptarët janë të gatshëm që paratë e këtij palo kontrolli të shkojnë për zhdukjen e pasojave të tërmetit. “Nëse do të mobilizojmë me seriozitet burimet e brendshme, bota do na ndihmojë pa kufizim, por që të bëjmë këtë duhet të ndahemi nga oligarkët.”- shkruan demokrati Spaho.

Por, pamundësinë e kompanisë fituese të tenderit për të ndërtuar rrugën Milot-Balldre e ka zbuluar muaj më parë ish deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj.
Dokumentet e publikuara prej tij në atë kohë sipas Shehaj dëshmonin, se kompania A.N.K, që ka fituar koncesionin, nuk plotësonte kriteret financiare për të fituar këtë koncesion. Ai do ta quante kontratën si të paligjshme.

“Kontrata që ka firmosur qeveria shqiptare, parashikon që fituesi të paguajë 52 milionë euro nga kapitali. Kjo kompani nuk ka 52 milionë euro, por më pak se katër milionë.

Praktikisht, kompania ka shumë pak kapital për të investuar, edhe atë kapital që ka e ka në likuiditete. Kompania nuk plotëson kushtet minimale financiare. Përse një kompani merr përsipër një rrugë ku duhet të investojë 140 milionë euro, kur nuk ka 52 milionë? Ka dy mundësi, ose nuk duhen këto para sepse kostot janë të fryra, ose ka ndërmend të përdorë para të pista. Unë mendoj se kostot janë të fryra dhe ato 52 milionë euro nuk i duhen kompanisë”- do të deklaronte gjashtë muaj më parë demokrati Shehaj.

Skandali i vërtetë, do të thoshte ai, është që kompania jo vetëm nuk i ka ato 52 milionë euro, por shteti do ti japë edhe interesat, për paratë që nuk ka dhe nuk do ti investojë.
Shehaj do ta quante këtë kontratë si vjedhje gjigande. Në këto kushte, do të shprehej Shehaj, minimalisht ministria duhet të verifikonte, nëse kompania ka apo jo 52 milionë euro.

Sipas projektit, aksi do të shtihej përgjatë rruges ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe do të devijohej si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren ku më pas do të lidhej me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Projekti i propozuar përfshinte ndërtimin e segmentit rrugor “MILOT – BALLDREN”, si dhe ndërtimin e tunelit me 1 portal ne malin e Rencit. Gjatësia e autostrades Milot-Balldren është 17.2 km.

Kompania, e cila do ti faturante shqiptarëve 15,2 mln euro për një km rrugë, ende nuk ka reaguar për deklaratën e zv/kryeministrit Erion Braçe.

Këtë tërheqje opozita e lexon, si miratim të një prej  propozimeve të kryetarit të Partisë Demokratike në situatën e re të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Selia blu insiton edhe në anulimin e koncesioneve të tjera dhe ka kërkuar që paratë e oligarkëve, siç i quan ajo fituesit e koncesioneve, të shkojnë për të dëmtuarit nga tërmeti. Buxheti që qeveria miratoi për pasojat që la tërmeti është i papërballueshëm sipas opozitës. Por Braçe nuk e lidh anulimin e këtij projekti me situatën pas tërmetit, por thotë se kjo është vendosur para 26 nëntorit, edhe pse këtë të premte ishte artikulimi i parë publik se projekti Milot-Balldre nuk do të realizohet.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë