Lajme

Milot-Balldre, koncesioni që po mbërthen nga fyti buxhetin e ri

Në tre vitet e ardhshme për ndërtimin me rruga Milot-Balldren që do të ndërtohet me koncesion do të gëlltisë nga buxheti rreth 500 milionë lekë. Ministrja e Financave Anila Denaj për të argumentuar se pse do të ngrijnë financimet e projekteve të reja vitin e ardhshëm u tha deputeteve të Komisionit të Ekonomisë se “nëse kompania realizon 25 për qind të punimeve gjatë kësaj periudhe, atëherë i gjithë buxheti do të rishikohet për të orientuar burimet buxhetore tek financimi i kësaj kontrate. Që do të thotë që do të rishpërndahen fondet nga projekte të tjera që nuk janë realizuar drejt financimit të kontratës së koncesionit.
E vetmja shpresë që vitin tjetër të mund të ketë të tjera investime përveç këtyre të dhënave me koncesion, mbetet rritja ekonomike dhe aftësia e administratës për të mbledhur më shumë të ardhura. “Përveç kontratave koncensionare, projektet e tjera të infrastrukturës do të financohen në rast se do të ketë tepricë në realizimin e të ardhurave. Në projektbuxhetin 2020 janë ngrirë projektet e investimeve që nuk janë PPP, për një vit më vonë”, tha Denaj.
Siç duket, frika e rritjes së borxhit , rënia e të ardhurave, dobësia financiare e sektorit energjetik, të cilat ministrja nuk i përmendi si shkaqe por që janë shqetësimi më i madh në raportet e fundit të ndërkombëtarëve si BERZH, FMN dhe BB; janë bërë shkak që shqiptarët duhen të “ngrijnë” për një vit.
“Kemi ngrirë projekte që mos të rrezikojmë parametrat fiskalë. Në momentin që të kemi të ardhura, do t’i financojmë. Nuk do të rrezikojmë buxhetin e shtetit. Kemi ulje në investime kapitale dhe shtyrje për një vit më vonë”, tha Denaj.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se “nga PPP-të e para vitit 2013, po paguajmë për skanimin 18 milionë USD”. “Për rrugën e Banjës po paguajmë çdo vit 15 mln euro, pasi rruga ishte pjesë e kontratës që duhet të paguhej nga buxheti i shtetit”, tha Ahmetaj. Por kjo deklaratë e Ahmetajt, i cili deri 6 muaj më parë ishte Ministër i Financave, dukej si një fshehje pas gishtit, nëse kujtojmë se ai është ideatori dhe mbrojtësi më i zjarrtë i formulës së re të koncesioneve me modelin PPP, që po i rrëmben buxhetit 1 mld lekë në disa vitet më tej. Dhe që tani disa prejt tyre si koncesioni i sterilizimit që në vitin e parë kërkon më shumë se sa ishte parashikuar, koncesioni i dializës del me normë më të lartë të fitimit. Megjithatë Ahmetaj u mbrojt duke fajësuar të tjera koncesione që dikur dhanë nga demokratët: “Koncesionet e energjisë kanë ndikim indirekt. Këtë vit kosto ka qenë 40 mln euro”, tha Ahmetaj.

Gjithsesi sipas Ministres së Financave Denaj së shpejti do të ngrihet Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve me PPP dhe “ brenda tre javëve është gati një raport i hollësishëm për ecurinë e koncesioneve në Kuvend”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë