Politike

Letra për bankat, Basha: Mos financoni Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara! Do keni pasoja

Partia Demokratike u ka dorëzuar një letër të gjitha bankave të nivelit të dytë ku i paralajmëron për pasojat ligjore që mund të kenë nëse në rast se do të zgjedhin që të kreditojnë kompani, që sipas opozitës kanë fituar përmes korrupsionit projekte sipas skemës së partneriteti publik-privat.

Letra mban firmën e kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ajo i është dërguar edhe Bankës së Shqipërisë. Në të, kreu i demokratëve thotë se projektet në fjalë po përdoren për të pastruar paratë e siguruara nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

“Financimi i të tilla projekteve, të cilat qartësisht kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi a institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim. Prandaj ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara, veçanërisht, duke pasur parasysh indiciet që janë publike jo vetëm nga PD, por edhe nga raportet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin e dërguar për bankat.

Letra flet me emra konkretë dhe dy projektet që opozita i cilëson symbol të pastrimit të parave të pista dhe të korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetërorë janë rruga Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara, që të dyja të miratuara me ligj nga mazhoranca.

Aksi i parë është fituar nga kompanitë “ANK” sh.p.k. dhe “Bardh konstruksion” sh.p.k, ndërsa aksi i dytë nga kompania “Gjikuria”.

Basha deklaron se asnjëra prej kompanive fituese të këtyre kontratave nuk ka kapacitetet financiare për të realizuar vepra të tilla, ndaj do t’u drejtohen bankave për të përfituar kredi. Por, nga analiza e pasqyrave financiare të këtyre kompanive, demokratët kanë dalë në përfundimin se asnjëra prej tyre nuk kanë kapacitetet për të shlyer kreditë në fjalë.

“Nga vlerësimi i kapaciteteve financiare dhe teknike të kompanive private të përfshira në këto dy projekte, rezulton se ato nuk kanë mundësi për t’i përfunduar ato me mjetet e tyre dhe, për pasojë, parashikohet marrja e kredive bankare. Mirëpo, këto kompani nuk kanë mundësinë reale për të kthyer kredinë që do të kërkojnë nga ju, pas momentit të anullimit të financimit të paligjshëm shtetëror që kanë përfituar si pasojë e veprimeve korruptive”, thekson letra.

Letra hamendëson se për shlyerjen e këtyre kredive, kompanitë në fjalë do të përdoren për të pastruar paratë e trafikut të drogës. “Sistemi bankar është më i ekspozuari ndër shumë sektorë të tjerë për t’u përdorur për këtë qëllim nga të tillë subjekte”, thotë Basha.

Partia Demokratike kujton se kontratat e mësipërme cenojnë interesin publik dhe dëmtojnë rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar. Letra dërguar të gjitha bankave të nivelit të dytë dhe Bankës së Shqipërisë “zyrtarizon” qëndrimin e shprehur më herët nga Lulzim Basha mbi mundësinë e përdorimit të sistemit bankar për pastrimin e parave të pista.

Në shkurt të këtij viti, kur paraqiste platformën e demokratëve për ekonominë e vendit, Basha lëshonte paralajmërimin e parë në adresë të bankave.

“Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhen pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete”, deklaronte ai.

Paralajmërimin e përsëriti në shtator.

“Do t’u dërgohet një letër bankave të nivelit të dytë për t’i paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare për këto koncesione do t’i bëjë bankat subjekte të ndjekjes antimafia, do t’i vendosë menjëherë në vëmendje të opozitës sot dhe qeverisë nesër në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve të tjera partnere”, deklaroi Basha.

Me të njëjtat arsyetime, Presidenti Ilir Meta ktheu gjatë muajit gusht në Parlament për shqyrtim të dy ligjet, duke deklaruar se cenoheshin interesat dhe siguria kombëtarë dhe vihej në rrezik stabiliteti financiar i vendit.

Kostoja e rrugës Milot-Balldre, me një gjatësi rreth 17 kilometra shkon në rreth 250 mln euro, ndërsa ajo e Orikum-Llogara kap, 14 kilometra e gjatë përllogaritet në rreth 70 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë