Grupi Parlamentar Demokrat, që drejtohet nga Rudina Hajdari ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës padinë ndaj Orikum-Dukat dhe Milot-Balldre, koncesione të dhëna sipas skemës partneritet publik-privat dhe të miratuar me ligj nga Kuvendi në seancën e fundit parlamentare.
Padia u dorëzua në prokuroria nga deputeti Halit Valteri dhe ajo bazohet tek dekretet e Presidentit që ktheu për rishqyrtim këto ligje, si dhe tek raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që flet për abuzime me vlerë miliona euro.
“Sot grupi parlamentar demokrat, bazuar edhe tek dekretet e Presidentit dhe tek shkeljet e gjetura në raportin e KLSH, i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe kemi bërë kallëzim për të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes që kanë hedhur firma, ku grabiten qindra-miliona euro. Kemi kallëzuar çdo kënd që ka kaluar këto koncesione, ku shqiptarëve u vidhen dhe u ngarkohet një borxh miliona eurosh”, deklaroi ai.
Nëse pranohet nga organi i akuzës, atëherë hapi i radhës që mund të pasojë këtë padi është pezullimi i të gjitha procedurave dhe veprimeve të tjera në realizimin e këtyre veprave. Partia Demokratike e ka vlerësuar një megaaferë korrupsioni, ndërkohë që parregullësi të mëdha financiare ka gjetur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në një shkresë konfidenciale KLSH i ka kërkuar Qeverisë dhe Parlamentit, dy ditë para se të votoheshin në seancë plenare, që të tërhiqen nga miratimi i tyre.
Top Channel publikoi shkresën që KLSH i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Brace, kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së infrastrukturës Belinda Balluku, ku i kërkon të rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare. “Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtesisë së anës financiare”, thotë KLSH.
Në dokumentin e fortë KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktive, për hua që nuk ekzistojnë.
“Vetëm për kontratën e Milot-Balldrenë, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit. Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit”, thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.