Futboll

Milani i ri mund të rilindë nga një ish-juventin

Tek Milan ndryshimi i pronarëve me largimin e kinezëve aspak të pëlqyer po shikohet më një optimizëm të madh. Ditë pas dite po tregohet se Milani i ri do të fillojë nga një ish-juventin që e di mirë se si ringrihen klubet e mëdha.

Sipas gazetarit italian, Alfredo Pedulla që shkruan për “Corriere Dello Sport”, ka pasur një konkakt mes drejtueseve të Milan dhe ish-trajnerit të Çelsit. Fillimisht një telefonatë, në mbrëmjen e së hënës:

 “Më falni, Antonio Konte, ju do të ishit trajneri ideal për të drejtuar Milanin”.

Në këtë bisedë nuk bëhet e ditur si cili ka qenë telefonuesi, por i telefonuari është e sigurt që ka qenë ai që ringriti Juventusin dhe që drejtoi Italinë në kampionatin europian, Antonio Konte. Konte pas atij largimi traumatik nga klubi londinez, ku zëvendësua nga patrioti i tij, Muaricio Sarri duket se kërkon më shumë kohë dhe qetësi deri në zgjedhjen e skuadrës së re dhe për këtë arsye përgjigja besohet të ketë pasur një POR:

“Jam plotësisht gati, por me duhet kohë që të lirohem plotësisht nga Chelsea”

“Sa kohë?”

“Disa javë, por do të shohim se sa shumë do të zgjasë procesi i lirimit nga Chelsea”

“Nuk mund të themi si dhe kur, por tashmë është e vendosur që duam të rindërtojmë Milanin e madh”

Gatuzo dhe problemet e shkarkimit

Ishte intuita dhe zgjedhja e Masimo Mirabelit ulja e Rino Gatuzos në stolin e Milan dhe deri në fund të kampionatit të shkuar nuk rezultoi një zgjedhje shumë e keqe. Mediet italiane kanë zbuluar se Mirabeli e kishte dëshiruar “Rinon” që në fillim të kampionatit dhe e kishte ditur që Montela do të rezultonte një dështim, por në fund bashkë me Fasonen kishin votëbesuar ish-sulmuesin që më pas u largua në nëntor.

Por tashmë gjërat kanë ndryshuar në “Casa Milan”. Kemi pronarë të rinj dhe bashkë me ta edhe struktura drejtuese e klubit është tërësisht e rinovuar. Në Milannelo pritet të zbarkojë një njohje e vjetër, braziliani Leonardo, si drejtor sportiv. Me zgjedhjen e tij si drejtor sportiv, “Elliott” pritet të fillojë investimet. Besohet të jenë plot 150 milion euro në dispozicionin e Milan për të bërë një merkato pretendentësh këtë verë dhe të mbushë ato boshllëqe u shfaqën sezonin e shkuar. Dihet që mes Leonardos dhe Gatuzos nuk ka pasur asnjëherë kimi dhe raporti ka qenë përgjithësisht i ftohtë. Për këtë arsye, por edhe shumë të tjera, Leonardo e shikon me pesimizëm drejtimin e “Milanit amerikan” nga Rino dhe kërkon një ekspert në stol.

Emri i parë në mendjen e brazilianit ka qenë Konte, si profili i duhur për ta ringritur “djallin”. Me gjithë këtë dëshirë të Leonardo do jetë e vështirë ta largojë Gatuzon në këtë moment, pasi ai sapo firmosi kontratën e re, por edhe sepse jemi vetëm 3 javë nga starti i kampionatit dhe largimi i trajnerit në këtë moment nuk do të ishte një zgjedhje ideale.

Konte, i duhuri për të ringritur ekipe

Ai është një nga emblemat e Juventusit të viteve 90’ si futbollist dhe figura simbol e ringjalljes së skuadrës bardhë e zi nga “ferri i Serie B”, ku në rolin e trajnerit e shpalli kampion pas 7 vitesh. Por edhe në kombëtaren e italiane, pasi la Juventusin, Konte përgatiti një revolucion me lojtarë të rinj dhe premtues, por që u la përgjysmë. Mbeti në mes, pasi tekniku karizmatik italian kaloi tek Çelësi për ngritur një tjetër ekip nga gjumi. Para se Konte t’i jepte titullin kampion, skuadra londineze e kishte mbyllur kampionatin paraardhës në vendin e 7-të dhe pothuajse ishte zhdukur nga arena europiane.

Pra, me kaq duket se është e mjaftueshme për Konten, që ai tashmë ta meritojë epitetin si trajneri që “ringjall skuadra të vdekura”. Dhe gati i tillë është Milani i kësaj periudhe, i cili u dorëzua që në muajin dhjetor në luftën për në Ligën e Kampionëve. Duke i shtuar edhe debulesën e veçante që ka Leonardo për të, duket se Konte e ka profilin e plotë për të marrë Milanin në dorëzim dhe të nis punën për ta bërë sërish të madh.

Pak e çuditshme, por Milani i madh që tifozët mezi po e presin mund të rilindë nga një ish-juventin, pak e vështirë për t’u “përtypur” në fakt. Por fundja pse do duhet të ishte problem kjo gjë për tifozët milanezë, kur kapiteni i tyre Leo Bonuçi ka dalë nga akademia e Interit dhe për më shumë se 10 vite luajti për Juventusin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë