Futboll

Milan me Higuain më afër se kurrë, kuqezinjtë duan edhe Kaldara

Janë orë të nxehta merkatoje në Itali. Nga njëra anë Inter, Juventus dhe Roma që kanë bërë goditje të rëndësishme në këtë sesion vere dhe nga ana tjetër Milan, që ka qenë në heshtje, por më në fund është zgjuar. Skuadra kuq e zi pas kalimit në pronësi të fondit amerikan “Elliott” ka filluar tratativat e para të merkatos. Emri më i nxehtë në “Casa Milan” në këto orë të fundit është ai i argjentinasit, Gonzalo Higuain.

Mes mbrëmjes së të hënës dhe mëngjesit të së martës ka pasur një takim të gjatë kokë më kokë mes drejtorit sportiv milanez, Leonardo dhe agjentit të futbollistit. Juventus e ka dhënë miratimin për këtë lëvizje dhe brenda ditës së martë do  të merret vesh se si do të shkojë kjo histori.

Ndërkohë “kuqezinjtë” përveç Higuain janë në merkato edhe për Kaldara edhe pse pista për të sjellë mbrojtësin e ri në Milanelo duket më e vështirë. Në garë për qendërmbrojtësin bardhë e zi është futur edhe Çelsi që dëshiron t’ia bashkojë atë Rudiger, për t’i dhënë kështu Sarrit garanci në repartin difensiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë