Politike

Meta nuk e emëron në krye të Akademisë, Gjinushi nuk njeh dekretin

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar që të emërojë Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave duke arsyetuar se angazhimi prej kohësh njëkohësisht në politikë dhe si anëtar i rregullt i kësaj akademie nga ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate e bën procesin zgjedhor të 24 majit të pavlefshëm.

LEXO EDHE:
Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, Fuga: Edi, kur do të flasim?

Duke iu referua neneve të ligjit për Akademinë e Shkencave, Presidenti thotë se statusi i anëtarit të rregullt dhe të çdo funksioni tjetër drejtues në këtë akademi bie ndesh me funksionin politik si kryetar i një partie.

“Statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave nuk mund të ushtrohet paralelisht me kryerjen e funksioneve drejtuese të larta në parti politike. Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Presidenti i Republikës nuk mundet të dekretojë emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur procesi zgjedhor, i realizuar për këtë funksion, është kryer në shkelje të përcaktimeve të ligjit nr.9655/2006”, thuhet në vendimin e Metës.

Pra, sipas arsyetimit të Presidentit, Skënder Gjinushi ka qenë në shkelje të ligjit për Akademinë e Shkencave prej kohësh, duke mbajtur njëkohësisht statusin e anëtarit të rregullt të saj dhe në anën tjetër postin e kryetarit të PSD-së.

“Rezulton se zoti Skënder Gjinushi ka mbajtur për një periudhe të gjatë paralelisht dy funksione, njëri politik si Kryetar i PSD, dhe tjetri si anëtar i rregullt i një institucioni shkencor. Kjo gjendje ka bashkekzistuar për një kohë të gjatë”, thotë Presidenti.

Vetë Skënder Gjinushi nuk e njeh dekretin e Presidentit, që nuk e emëron atë në krye të Akademisë së Shkencave. Ora News thotë se ish-kreu i PSD-së thotë se Presidenti nuk ka të drejtë që të mos e emërojë atë, pasi nuk është komision hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë