Politike

Meta nuk do të dorëhiqet: Rikthehet në LSI si anëtar pas një viti

Ilir Meta nuk do të dorëhiqet, ai do ta përmbyllë mandatin 5-vjeçar si President i vendit dhe do të rikthehet si anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim më 24 korrik të vitit të ardhshëm.

Lajmi është dhënë nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t'u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, shkruan Blushi.

Po në mesazhin e zëdhënësit thuhet se Presidenti falenderon kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore.

“Që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve”, vijon mesazhi i zëdhënësit Blushi.

Sipas Blushit, Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI-së, falenderon qytetarët që e votuan këtë forcë politike, që sipas tij i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore.

“Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”, thuhet në mesazhin e zëdhënësit të Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë