Presidenti Ilir Meta i vlerësoi zgjedhjet e 25 prillit dhe e mveshi veten me merita madhore për mbarëvajtjen e tyre.
“Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik. Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t'i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit”, deklaroi Presidenti.
Në mesazhin e shkurtër drejtuar qytetarëve, Meta njeh rezultatin dhe kërkon që procesi i numërimit të çdo vote të përmbyllet qetësisht.
“Ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit”, u shpreh ai.
Nga partitë, Presidenti kërkoi maturi dhe tërthorazi sinjalizon se vetë do të reflektojë deri në muajin shtator në lidhje me vendimin për dorëheqje, ose jo.
“Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”, mbyllet mesazhi i Presidentit.
Meta pati premtuar para zgjedhjeve të 25 prillit, se nëse Edi Rama do t’i fitonte ato i vetëm dhe ndershmërisht do të dorëhiqej nga posti i Presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.