Taksa

Menaxhimi i rezervave të naftës. Ekspertët: Të mos rritet barra fiskale

Projektligji për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj ka përfunduar periudhën e konsultimit me publikun dhe është në kuvend.

Ky projektligj ditët e fundit ka hasur në polemika të shumta mes ekspertëve dhe përfaqësuesëve të opozitës me argumentin se do të jetë një barrë e re fiskale në xhepat e qytetarëve.

Për Ekspertin Vladimir Puka, menaxher në Tetra Oil nuk është kostoja thelbi i krijimit të Agjencisë, pasi, argumenton ai, “ndoshta edhe deri më tani çmimet e karburanteve kanë qenë abuzive. Se sa transparente do të jetë Agjencia dhe si do të zbatohet ligji është tjetër diskutim”.

Sipas ekspertit Puka, ky projektligj është i vonuar në aspektin e përafrimit të ligjeve me BE-në, sepse ka qenë përherë një kërkesë ligjore.
Konfindustria shpreh shqetësimin për mjetet dhe mekanizmin financiar të parashikuar në nismën e fundit ligjore të qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për krijimin e Agjencisë së Rezervave të Sigurisë së Karburanteve, që do të cojë drejtpërdrejtë në rritjen e mëtejshme të çmimeve fundore për bizneset dhe qytetarët edhe kështu të papërballueshme.

Konfindustria do ti kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë në asnjë rast akte ligjore, që parashikojnë rritjen e mëtejshme të barrës fiskale në formën e taksave dhe tarifave mbi karburantet. Shqipëria rradhitet sot në 20-25 vendet më çmimin më të lartë të karburanteve në botë, ku barra fiskale përbën deri në 60% të çmimit fundor për bizneset dhe qytetarët. Çmimi shumë i lartë bashkuar me cilësinë jashtë standartit të karburanteve në qarkullim, ka pasoja mbytëse dhe shkatërruese në ekonominë kombëtare, fuqinë konkuruese të prodhimeve dhe shërbimeve vendore, tërheqjen e investimeve të huaja, falimentimin e biznesit, industrive dhe mirëqënien e qytetarëve.

Edhe Konfindustria nuk është parimisht kundër krijimit të një enti shtetëror të rezervave të sigurisë së karburanteve, por ajo shprehet se mekanizmi financiar i parashikuar në projekt ligj, që çon drejtpërdrejt në rritjen e barrës fiskale dhe si rrjedhim rritjen e çmimit fundor të karburanteve për bizneset dhe qytetarët është i papranueshëm.

“Financimi i ngritjes dhe funksionimit të entit shtetëror në fjalë mund të bëhet nga vlerat shumë të larta të tatimeve dhe taksave, që sot bizneset dhe qytetarët paguajnë për karburantet si dhe/ose fitimet, nëse Agjencisë i jepet e drejta të veprojë edhe si operator i mirëfilltë në tregun më të madh të vendit prej mbi 1.5 miliard $/vit dhe mbi 10% të PPB. Vetëm pagesat për taksën e qarkullimit arrijnë shumën prej mbi 120 milion euro/vit”- citon Konfindustria.

Ajo thotë se ka kërkuar në mënyrë të përsëritur dhe shoqëruar me kërkesa të qarta, që tregu strategjik i karburanteve duhet ti nënshtrohet një rindërtimi të thellë strukturor, me qëllim uljen e detyrueshme të çmimeve dhe përmirësimin thelbësor të cilësisë së produkteve, që u shërbehen qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas saj, vullneti politik i ekzekutivit në vite për rregullimin e tregut të karburanteve ka munguar plotësisht, duke i shkaktuar humbje financiare, ekonomike, shëndetësore dhe mjedisore prej qindra milionë euro/vit ekonomisë kombëtare, buxhetit të shtetit, industrive, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë.

Konfindustria është e gatshme të bashkëpunojë dhe të mbështesë çdo nismë qeveritare dhe vendimarrjes politike në përgjithësi për përmirësimin e ndërtimit dhe funksionimit të tregut të karburanteve.

Ekspertë të tjerë e shohin të panevojshëm krijimin e kësaj agjencie dhe një vlerë të shtuar negative në xhepat e qytetarëve. Gjithashtu thonë ata, një problem më vete përbën mungesa e transparencës, korrupsioni i gjerë në administrimin e aseteve publike dhe të burimeve natyrore në këtë sektor, si dhe inkompetenca e inspektoratit përkatës.

Projektligji për krijimin e agjencisë për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj parashikon që “Me qëllim financimin e saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim. Kjo tarifë do të jetë pjesë e çmimit të karburanteve, e cila do të paguhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë