Para

Pasojat e politikave fiskale: Më pak lekë nga TVSH në arkën e tatimeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar pak kohë më parë “do t'i tërhiqte veshin” qeverisë shqiptare në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave.

Sipas FMN-së, pavarësisht rritjes së të ardhurave në buxhet, ato kanë rezultuar vazhdimisht në mosrealizim buxhetor, duke vendosur presion ndaj administratës tatimore, kryesisht në drejtim të rimbursimit të TVSH-së.

FMN do të nënvizonte në raportin e saj se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset solli rritjen e kostos për bizneset e vogla, shtoi ngarkesën për tatimet, por nuk solli të ardhura.

Kjo evidentohet edhe në tremujroin e parë të 2019-ës. Sipas të dhënave zyratre të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në arkë janë mbledhur për tremujorin e parë të 2019-ës rreth 37,4 mld lekë me një rritje prej 3,49 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ose 1,2 mld lekë më shumë.

Por TVSH ka rezultuar me ulje në masën 2,89 %.

Edhe taksat dhe tarifat nacionale kanë rezultuar me ulje respektivisht prej 4,83% ose 1,5 mln lekë.

Po ashtu edhe taksat e qarkullimit rrugor dhe lojërat e fatit të cilat janë ndaluar me ligj që nga 1 janari 2019-ës kanë rezultuar me ulje krahasuar me tremujorin e një viti më parë.
Vihet re që administrata tatimore ka dështuar edhe në mbledhjen e gjobave. Arkës në krahasim me një vit më parë nga ky zë i mungojnë 42,61%.

Ajo që vihet re në një qasje krahasuese mes dy tremujorëve, vetëm tatimi mbi fitimin, dhe të ardhurat personale dhe rezultojnë me rritje respektivisht 20,61 dhe 8,72 %.

FMN që në krye të herës nuk ishte dakord me uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që nisi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar.

Fondi parashikon që ky zgjerim i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT- dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave.

Por edhe një sërë ekspertësh të dakordësuar me FMN I kanë cilësuar politikat fiskale të qeverisë infantile, jo ekonomike dhe të pamenduara.

Në dokumentin e buxhetit 2019-të, të ardhurat tatimore nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2019, vlerësohen të arrijnë 423.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 27 miliardë lekë ose 6.8% më shumë se pritshmëria e vitit 2018. Të ardhurat nga DPT dhe DPD (pa përfshirë kontributet) parashikohet të jenë 325.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.7% ose 20.5 miliardë lekë më shumë se viti 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë