Ngjarje

Mbyllja e universiteteve shkëndijë për konflikt social për qiratë me studentët

A.D. 41 vjeç jep me qira një shtëpi 2+1 në zonën e Yzberishit. Vetë jeton dhe punon familjarisht në Greqi. Deri në shtator për investimin që kishte kryer që në 2011 në Tiranë thotë se nuk ja ka “parë hajrin”.

“Kërkova ta lija me qira sapo e bleva, por çmimet e tyre ishin të ulta se zona atëherë ka qenë pa rregulluar, me rrugë të pashtruara, baltë, pa ndriçim dhe me probleme me ujin dhe dritat”, thotë ai për Gazetën “Si”.

41-vjeçari shpjegon se prej atëherë vendosi që të mos e jepte fare me qira shtëpinë që zotëronte.

“Unë e kisha bosh. Kërkonte një investim të paktën 6 mijë euro për ta rregulluar dhe mobiluar e për ta nxjerrë me qira. Vija çdo vit të shihja shtëpinë dhe tregun dhe gjithmonë llogaria nuk më dilte. Me çmimet e qirasë 170-220 mijë lek (të vjetra) mua do të më duheshin 10 vite të merrja mbrapsht investimin e bërë, pa llogaritur kohën që do të harxhoja”, shton ai.

Pandemia e Covid-19 e bëri që të ndryshojë mendje.

“Kam një restorant me qira në Selanik. Më shumë është mencë, siç i quajntë këtu në Shqipëri. Por, që prej muajit shkurt puna më ka rënë shumë. Pastaj për muaj me radhë pothuajse ishim mbyllur, duke punuar me orare të kufizuara. Vendosa ta jap shtëpinë me qira se nuk e di si do të më ecë puna andej”, tregon A.D.

Në shtator u rikthye dhe vendosi ta mobilojë minimalisht banesën dhe më pas të nxirrte me qira. Kostoja thotë se i shkoi rreth 7 mijë euro dhe fill pas kësaj u interesua tek agjencitë e pasurive të paluajtshme për ta lënë me qira.

“Shumë shtrenjtë për aq pak sa bëra unë. Pyeta tek këto agjencitë, por nuk më pëlqeu kontrata që më ofruan. Vendosa të bëj si gjithë të tjerët dhe nxorra njoftime në rrugë dhe hapa fjalën nëpër 2-3 dyqane”, thotë 41-vjeçari.

Interesimi nuk mungoi. Thotë se kishte dëshirë që shtëpinë t’ja linte me qira ndonjë familjeje, a çifti të rinjsh, edhe kundrejt uljes së çmimit.

“Por nja dy vetë familjarë që erdhën nuk u pëlqeu për shkak të mobilimit dhe të një pjese rruge që është pa shtruar dhe s’ka ndriçim. E lashë për një grup prej 4 studentësh në fillim të tetorit për 210 mijë lek në muaj. U mora paradhënie tre muaj, deri në dhjetor”, rrëfen A.D.

Por, gjërat nuk rrodhën normalisht, as për studentët qiramarrës dhe as për 41-vjeçarin. Fill pas daljes së urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që mbylli universitetet duke lejuar vetëm mësimin online, të paktën për muajin e parë, studentët e kanë marrë në telefon dhe i kanë thënë se do ta lënë shtëpinë dhe i kërkojnë kthimin e parave të paguara për nëntorin dhe dhjetorin.

“Nuk është se s’dua t’ua kthej, apo se s’kam mundësi financiare, por më vjen inat se më shkoi e gjithë lodhja kot. Tani u kërkoj që të paktën për këtë lodhje të mbaj një garanci, siç bëhet kudo në botë”, shpjegon ai, i vetëdijshëm se në këtë treg ka hyrë në të zezë.

Këtu nis “konflikti social”. Studentët e kanë paralajmëruar se nëse nuk marrin mbrapsht paratë e tyre brenda 10 nëntorit, atëherë do t’i marrin pajisjet elektrike të shtëpisë deri në vlerën e shumës që ai u detyrohet, pra rreth 400 mijë lek të vjetra.

“Hall i madh është! Do t’ua jap se s’kam çfarë të bëj dhe po mendoj ta nxjerr në shitje fare shtëpinë”, mbyll rrëfimin e tij, 41-vjeçari A.D.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë