Treg

COVID-19/ Zero kërkesa për qira nga studentët, të gjithë mund të humbasin

Nëse universitetet vijojnë on line përgjatë gjithë vitit akademik, agjentët imobiliarë parashikojnë probleme ekonomike si për qiramarrësit edhe për qiradhënësit

Familjet e studentëve këtë vit krize të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, janë treguar të matur për të përshpejtuar që të nënshkruajnë kontrata qiraje për fëmijët e tyre në Tiranë.

Agjentët e kompanive që ushtrojnë aktivitetin në fushën e pasurive të paluajtshme konfirmojnë se kërkesa ka rënë 100% krahasimisht me një vit më parë, kur studentët i nënshkruanin kontratat e qirave gati dy javë e më shumë përpara se të niste vitit i ri akademik.

“Këtë vit tregu është shumë dobët për shkak të pandemisë, e kam fjalën për sektorin e qirave për turizëm dhe studentët. Agjencitë imobiliare kanë klientë studentë nga familje shqiptare me të ardhura të mira dhe studentët e huaj, kryesisht ata italianë. Universiteti Zoja e Këshillit të mirë kishte lajmëruar se do të niste mësimin dy ditë më parë, por ne nuk kemi parë ende studentë italianë të vijnë. Në këtë periudhë zyra jonë ka nënshkruar vetëm 10 kontarat qiraje”- thotë Dritan Leka  nga Century 21.

Deri tani shpjegon ai, nuk ka pasur problematika për prishje kontrate pas lajmit se universitetet do të zhvillohen on line për një muaj sepse “studentët duan të rrinë në Tiranë, kanë më shumë akses me librat, fotokopjet, shoqërinë”.

Por nëse kontrata prishet nga njëra palë, sqaron Leka garancia për kontratën 1 vjeçare që është mesatarisht 250 euro humbet.

“Deri tani kemi vendosur të funskionojmë me klauzolat e kontratës si në situatë normale. Shpresojmë që studentët t'u kthehen auditorëve sa më shpejt që edhe tregu të përmirësohet”- thotë Leka.

Kurse eksperti Dritan Ballgjini e konsideron situatën kaotike dhe frikë ndër qiradhënësit ashtu dhe qiramarrësit.

Ai pohon se në zyrën e kompanisë ku ai punon ka disa raste të studentëve të huaj që kanë anuluar ardhjen në Tiranë dhe kanë ndërprerë kontratën e për rrjedhojë kanë humbur garancitë.

“Natyrisht për qiradhënësit dhe qiramarrësit kjo marrëdhënie është kontraktuale, pasi për të parët  mund të jetë dhe ekonomike, pasi nga marrja e qirasë e kanë të ardhur në fund të muajit me të cilat mbajnë dhe familjet e tyre. Nëse kjo periudhë do jetë më shumë se 1 muaj, atëherë kjo do të shkaktojë me të vërtetë probleme ekonomike për të dy palët.  Qiradhenësit humbin  para të cilat në një mënyrë i kanë të siguruara. Qiramarësit do humbin garancitë e kontratave.”- shpjegon Ballgjini.

Ndërsa në konviktet shtetërore burime të gazetës “Si” thonë se kanë nisur prej do kohësh regjistrimet.

Rreth pak më shumë se një javë më parë, gazeta “Si” ka kërkuar informacion pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe administratës së konvikteve nëse është miratuar ndonjë protokoll i mundshëm anti Covid-19 për konviktet. Ministria e Shëndetësisë do të shprehej se protokolli ishte rrugës. Ai protokoll nuk u bë kurrë publik edhe pse stduentët nisën procedurat për t'u regjistruar në konvikt.

Burimet bëjnë me dije se në konviktet në Qytetin Studenti ka patur probleme në procesin e regjistrimeve për shkak të mungesës së kapacitetit dhe në një rast kujdestarja e një konvikti u ka dhënë dy personave të njëjtën dhomë, megjithatë studentët tanimë janë të paqartë se si do të vijojë rrugëtimi i tyre këtë vit akademik dhe a do tu rimbursohet pagesa.

Gazeta “Si” kontaktoi sërish drejtorinë e konvikteve në Qytetin Studenti, por nuk mori asnjë përgjigje. Gazeta mundi të takoj disa studentë nga qytete të tjera të cilët i thanë se nuk ka protokoll anti covid tha. Studentët janë regjistruar por do largohen këtë javë pas urdhrit për mësim on line. "Do qëndrojnë në konvikt vetëm studentët që punojnë duke dorëzuar një vërtetim nga puna"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë