Rend dhe Ligj

Mbyllet Zaharia famëkeqe, nis transferimi i 319 të dënuarve të sëmurë drejt Shënkollit

Ka nisur këtë të shtunë transferimi i personave me masë shëndetësore nga burgu i Zaharisë në drejtim të atij të Shën Kollit në Lezhë, ku dy blloqe janë rikonstruktuar dhe përshtatur për 319 pacientët.

Operacioni drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe do të shtrihet në dy ditë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka inspektuar sërish sot në mëngjes ambientet ku do të akomodohen pacientët e Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra.

Ai ka vlerësuar punën e bërë, duke theksuar se pas më shumë se 20 viteve rekomandimesh e vërejtjesh, është realizuar mbyllja e një prej institucioneve më të kritikuara dhe të amortizuara.

Sipas Manjës qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.

“Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, ka thënë ministri.

Qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.

Në burgun e Zaharisë vuajnë dënimin të burgosurit që kanë probleme të shëndetit mendor ndërsa vendimi për mbylljen e tij është marrë për shkak të kushteve të këqija.

Një premtim i pambajtur ndër vite, gjyqtarët i çonin në Zahari duke e ditur se nuk është spital
Megjithë kushtet çnjerëzore të pranuara zyrtarisht në Burgun e Zaharisë për shtetasit që konsiderohen me probleme mendore mbas kryerjes së një krimi, gjykatat kanë vendosur shtrim të detyruar në një spital psikiatrik. Por teksa akuzat ndaj tyre pushoheshin, gjykata dhe prokurori kanë detyrimin të kontrollojnë mjedisin ku dërgohen këta shtetas që botërisht dhe hapur fare nuk dërgoheshin në spital psikiatrik por në një burg ku mungonin mjekët e specializuar dhe kushtet. Kjo situatë ka sjellë ndër vite reagime nga ndërkombëtarët, por çështja ka vijuar pa zgjidhje. E fundit ishte ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj që u zotua se kjo qeveri do ta mbyllte përfundimisht Burgun e Zaharisë dhe se në këtë mënyrë do t’i jepte zgjidhje një prej problemeve më të mprehta në 20 viteve të fundit mbi mbajtjen e shtetasve me probleme mendore në një burg. Por një institucion i posaçëm nuk është ngritur ende megjithëse Gjonaj do të deklaronte në vjeshtën e 2020 se Zaharia në 2021 do të mbyllej. Funksionimi i këtij burgu për të sëmurët mendorë ka lënë shteg për abuzime dhe për devijim të dënimit të mjaft personave problematikë me gjendjen mendore dhe që më pas i kanë shpëtuar drejtësisë.
Prej vitesh organizma ndërkombëtare dhe vendas kanë kërkuar mbylljen e Burgut të Zaharisë. Nga inspektimet e para pak viteve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, rezultonte se pesë të burgosur jetonin në 12 metra katrorë; në total ishin 284 persona të dënuar në një burg me kapacitet për 196 persona. Dhe për të gjithë këta kishte vetëm 2 mjekë psikiatër dhe një farmacist me kohë të pjesshme.
Burgu i Zaharisë, pranë Krujës, ka qenë në mënyrë të vazhdueshme nën monitorim nga ky komitet.
“Vëzhguesit e KShH-së konstatuan se në këtë IEVP janë vendosur 293 shtretër dhe secilit prej të dënuarve/pacientëve i është siguruar një shtrat i veçantë. Megjithatë rezulton se kapacitetet akomoduese të dhomave janë të vogla në raport me numrin e shtetasve të akomoduar në to,” shkroi KShH në një letër publike drejtuar institucioneve shtetërore, ndërsa kërkonte mbylljen përfundimtare të këtij burgu të ndërtuar në kohën e diktaturës.
“U konstatuan dhoma me përmasa 4x3m, në të cilat akomodoheshin pesë të dënuar/pacientë,” vëren KShH duke rikujtuar se standardet minimale të pranueshme nga Këshilli i Europës janë 6 metra katrorë për pacient në dhomat teke dhe 4 m2 për pacient në dhomat dyshe. KShH evidenton se disproporcionaliteti ndërmjet organikës në stafin psiko-social dhe mbipopullimit ekzistent në këtë institucion, ka pasjellë mbingarkesë në stafin aktual efektiv,” deklaronte asokohe KShH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë