Art dhe Kulture

Mbrëmja Gala në inaugurimin e Operës, hyrja me test negativ ose certifikatë vaksinimi

15 shtatori do të sjellë mbrëmjen gala ku do të ngjiten në skenën e rikonstruktuar të Teatrit të Operës dhe Baletit dy yjet botërorë, Ermonela Jaho dhe Placido Domingo.

Në kuadër të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, ata që do të marrin pjesë në mbrëmjen Gala do të duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit. Ndërkohë që mbajtja  e maskës do të jetë e detyrueshme.

Kjo masë nuk është aplikuar në teatro të tjerë deri më tani edhe pas masave të bëra publike nga Komiteti i Ekspertëve.

Në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj si dhe solistët e Operës dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama përmes një video të publikuar në Facebook ka shpërndarë mesazhet e dy kolosëve të skenës operistike botërore, Ermonela Jaho e Placido Domingo, të cilët do të jenë pjesë e këtij evenimenti.

Jaho në mesazhin e saj thekson se kjo është një datë e veçantë dhe një ceremoni speciale për të ku pjesë do të jetë edhe artisti me famë botërore, Placido Domingo.

Dyert e Teatrit të Operës do të hapen për artdashësit pas pesë vitesh, ndërsa Ermonela Jaho e entuziazmuar tregon se mezi po pret të marrë pjesë në shfaqjen e madhe bashkë me legjendën botërore, Placido Domingo.

“Jam shumë e lumtur që të marr pjesë në hapjen e Teatrit tonë Kombëtar të Operës dhe Baletit, në mes të artistëve të mi bashkëkombës dhe me pjesëmarrjen e legjendës botërore, Placido Domingo. Një falënderim i madh për të gjithë ata breza artistësh që kontribuuan në themelimin dhe krijuan traditën e këtij institucioni. Një falënderim i veçantë për ata qe ideuan dhe realizuan atë projekt. Kur punojmë të gjithë sëbashku drejt të njëjtit qëllim asgjë nuk është e pamundur! Ju pres të gjithë në datën 15 në Teatrin e Operas dhe Baletit, në galanë e hapjes së teatrit”, është shprehur sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, videomesazhin e të cilës e ka shpërndarë edhe kryeministri Rama.  

Ndërkohë, tenori spanjoll me famë botërore, Placido Domingo do të performojë për herë të parë në skenën shqiptare, teksa iu bën thirrje të gjithë artdashësve të marrin pjesë në koncertin madhështor që do të fillojë në orën 19:00.

“Të dashur miq në Tiranë. Jam i nderuar të këndoj në Ceremoninë e “Grand Gala” për inaugurimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Pas 5 vitesh ky teatër më në fund do të vijë në jetë dhe do të rikthehet për të mirëpritur performanca koncertale, opera dhe baleti. Është gëzim i madh për mua që të jem me ju për këtë mbrëmje speciale, me kolegë të mrekullueshëm. Shihemi me 15 shtator, për ta shijuar të gjithë së bashku skenën e re pas rikonstruksionit të plotë”, tha Domingo.

Lajmi i hapjes së Teatrit të Operës në konferencën për shtyp të mbajtur në ambientet e institucionit pikërisht në 65-vjetorin e krijimit të këtij institucioni.

Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka nisur në janar të 2017-s për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë