Muzike

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të përurojnë TKOB

Pritjes pesëvjeçare të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës edhe Baletit për të interpretuar në shtëpinë e tyre i ka ardhur fundi.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të hapet më 15 shtator. Lajmi u bë publik gjatë konferencës për shtyp në ambientet e institucionit, ku e pranishme ishte dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ceremonia e përurimit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të shoqërohet me dy mbrëmje gala më 15 dhe 16 shtator, ku të pranishëm do të jenë tenori spanjoll me famë botërore, Placido Domingo si dhe përfaqësuesja më e denjë ndërkombëtarisht e interpretimit operistik shqiptar, Ermonela Jaho.

“Sot ndajmë së bashku këtë ditë të shumëpritur prej shumë kohësh, inaugurimin e TKOB që fatkeqësisht na është dashur ta shtyjmë për shkaqe madhore. Bashkë me solistët tanë të talentuar të operës dhe baletit më 15 dhe 16 shtator do të ngjiten në skenën e rikonstruktuar të mëdhenjtë e operistikës botërore: tenori Placido Domingo dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti. 

Sipas ministres Margariti, këto mbrëmje gala “do të celebrojnë jo vetëm rikonstruksionin e godinës, por edhe jetën, e cila përballë vështirësive të fundit na është më e dashur”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela, teksa e cilëson godinën e rikonstruktuar si një hapësirë bashkëkohore, shprehet se ky lajm i mirë vjen në 65-vjetorin e themelimit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Godinën e rinkonstruktuar të Operës dhe Baletit ne po ua prezantojmë sot në një ditë shumë të veçantë që është 65-vjetori i krijimit tonë të Operas dhe Baletit. 5 vite më parë me rastin e një përvjetori tjetër, pikërisht 60-vjetori, kryeministri Edi Rama, prezantoi projektin e rikonstruksionit të këtij teatri, i cili kishte degraduar aq shumë, saqë artistët ndeshnin vështirësi dhe publiku po e braktiste. Pikërisht sot pas 5 viteve, për inaugurimin e kësaj hapësire, nis më 15 shtator një seri aktivitetesh, të cilat do të celebrojnë inaugurimin e teatrit tonë të operës dhe baletit”, u shpreh drejtoresha e institucionit.

Drejtoresha Çela gjatë fjalës së saj prezantoi edhe aktivitetet celebruese që do të jenë përgjatë dy javëve, deri në fund të shtatorit. 

“Këto aktivitete nisin në datë 15 shtator në orën 18;45 me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe figurat më të njohura të fushës së artit. Në orën 19:00 më 15 shtator, ne do të prezantojmë një dokumentar me titull ‘Rikonstruksioni’, i cili sigurisht i dedikohet rikonstruksionit të kësaj godine. Koncerti i madhe titullohet ‘Hapja e Teatrit të Operës dhe Baletit” dhe të gjitha aktivitetet tona vijnë nën këtë titull”, vijon drejtoresha Çela, ndërsa shton se “kjo godinë do të na çojë drejt audiencave të reja”.

Duke e cilësuar këtë koncert si një stacion, Çela thotë se do të marrin pjesë edhe solistët yje të TKOB, si: Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj, ndërkohë që pritet edhe nga baritoni Gëzim Myshketa.

“Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit, të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca”, shton ndër të tjera ajo.

Më tej, drejtoresha e institucionit të Operës prezanton edhe disa nga aktivitetet e tjera, ku një vëmendje e madhe do t’u kushtohet edhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

“Trupa e baletit do të përfaqësohet nga Angelin Preljocaj, koreografi i njohur francez me origjinë shqiptare, i cili sjell enkas në Shqipëri për ne një premierë të re, që do të interpretohet me datë 24 dhe 25 shtator. Më datë 30 shtator dhe 1 tetor është radha e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, për të prezantuar premierën nën titullin “Gjerdani i Artë”, ku do të startojë me një nga yjet e muzikës sonë popullore Fitnete Rexha”, përfundon Çela.

Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili funksionon si i tillë për rreth 65 vite, nisi në vitin 2017 me buxhet fillestar 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e teknologjisë më të fundit në sallën e rikonceptuar me dy ballkonata, panelet që përmirësojnë akustikën, palestra e balerinëve dhe instrumentistëve dhe studiot e artistëve, u përdor edhe buxhet shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë