Futboll

Mbape duhet të jetë galaktiku i ri

Kilian Mbape e ka futur emrin e tij përfundimisht si një nga yjet e futbollit botëror me titullin që fitoi në kampionatin botëror, “Rusi 2018”. Ai luajti me një nivel shumë të lartë përgjatë gjithë turneut rus, por më veçanërisht në sfidën me Argjentinën dhe në finale, ku shënoi golin e katërt. Për këto arsye dhe shumë të tjera ai ka filluar të shndërrohet në një ikonë për vendin tij dhe për klub ku luan PSG.

Kjo formë e tij në Kupën e Botës, ka komplikuar edhe më shumë transferimin te Real Madrid. Por sidoqoftë, pas largimit të Kristiano Ronaldo tek Juventus, “Los Blancos” do të bëjnë çdo gjë që ta zëvendësojnë atë në mënyrën më të denjë të mundshme dhe kandidati më potencial është Kilian Mbape.

Këto janë arsyet që një operacion i tillë mund të ishte me përfitime të ndërsjella për të dyja palët.

Ai është i ri

Mbape është kthyer në yll të futbollit që në moshën 19-vjeçare. Për të krijuar një ide për potencialin e madh të këtij lojtari, mjafton të përmendim që Lionel Messi në të njëjtën moshë ka qenë një rezervist tek Barcelona dhe Argjentina, ndërsa të njëjtën gjë bënte edhe Kristiano Ronaldo te Mançester Junajtid dhe Portugalia. Kështu që me këtë krahasim të fituar me këta dy lojtarë që kanë dominuar futbollin europian në 10 vitet e fundit, Mbape është një hap përpara.  

Pa mbushur ende 20 vjeç Mbape ka fituar dy kampionate në ligën e parë franceze me dy skuadra të ndryshme dhe duke qenë protagonist tek të dyja. Nëse do të krahasojmë ndikimin që ai ka pasur në fitoret e këtyre skuadrave, ai është ndjeshëm më lartë se dy dominuesit e futbollit botëror në dekadën e fundit, Mesi dhe Ronaldo.

Ai mund të shënojë

https://www.youtube.com/watch?v=qyTjFeKyq4E

Aftësia e tij për të shënuar është e lindur dhe për këtë arsye për ato çka kemi parë në vitet e fundit në futboll, Mbape është i vetmi që mund t’i afrohet asaj që ka bërë Ronaldo në 10 vitet e fundit. Duke mos pasur presionin e të qenit sulmues i parë, duke qenë se dy sezonet e fundit ka pasur Kavanin dhe Falkaon partner reparti, Mbape ia ka dalë ta gjejë rrugën e rrjetë 28 herë. A mund ta imagjinoni dot sasinë e golave të shënuara nga Mbape, nëse ai do të shndërrohej në një “numër 9 tipik”, te Real Madrid, ashtu siç ka bërë Ronaldo në 6 vitet e fundit?

Sulmuesi portugez e filloi karrierën e tij si sulmues krahu, siç Mbape luan tani dhe në sezonin e tij të parë nuk shënoi më shumë se 9 gola. Potenciali për një fenomen të ri, por këtë herë francez është mëse i dukshëm.

Ai mund të ishte një lider ideal

Një projekt i udhëhequr nga Kilian Mbape do të ishte shumë frytdhënës dhe mbase kjo gjë është pengesa më e madhe për transferimin e francezit në Madrid te tre herë fituesit radhazi të “Champions League”. Më shumë se sa për çmimin, Mbape është e vështirë që ta largosh nga Franca për imazhin që ai tashmë ka krijuar si simbol i PSG dhe kombëtares së gjelave. Do e imagjinonit dot nëse Mbape do të bëhej fajtor për një dështim të dytë të Francës në Europianin e ardhshëm? Kjo është pikërisht gjëja, të cilës ai i druhet më shumë sa herë që përflitet për ndonjë largim të mundshëm nga vendi i tij. Nëse ka një gjë që Mbape e ka treguar më shumë se çdo gjë tjetër në këto dy vite në majën e futbollit botëror, është përballja e hapur me presionin dhe mos braktisja asnjëherë e betejave. Tek Real Madrid ai do e kishte te garantuar suksesin, pasi klubi “Merengues” dinë si t’i bëjnë të mëdhenj lojtarët e tyre, por duke pasur parasysh riskun që të humbasë pjesë nga lidershipi i tij, a do ia vlente me të vërtetë një kalim në Spanjë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë