Rend dhe Ligj

Finalja e ‘Conference League’/ Gjoba dhe deri në 3 vjet burg kush krijon trazira

Gazeta Si - Thuajse një javë para finales së “Conference league” në Tiranë mes Romës dhe Fejnordit në 25 maj, Policia e Shtetit ka publikuar masat mbarëvajtjen e ndeshjes si dhe për ruajtjen e rendit publik.

Zv.kreu i Policisë së Shtetit, Arbert Dervishaj, tha se janë marrë masa për ndeshjen në stadium, në gjitha pikat kufitare të vendit, si dhe në ambientet në Tiranë.

Ai u bëri apel qytetarëve dhe tifozëve që të mos krijojnë trazira, duke kujtuar gjobat dhe masat ndëshkuese.

Dervishaj theksoi se hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në tre vjet.

"Është rasti të kujtojmë qytetarët shqiptarë dhe të huaj se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj", - deklaroi zyrtari i lartë i policisë.

Sipas tij, një pjesë e tifozëve kanë prenotuar hotele në Durrës dhe pritet që të zhvendosen nga ky qytet në Tiranë.

Ai ka bërë me dije se si do të lëvizin tifozët e të dyja skuadrave edhe gjatë qëndrimit në “Fan Zona” drejt stadiumit.

“Qytetarët të reduktojnë qarkullimin me makina në 24-25 maj që të shmanget trafiku, - deklaroi Dervishaj. - Në 25 maj do të bllokohet Bulevardi nga stadiumi te Sheshi Skënderbej. Janë marrë masat që nga Pikat Kufitare deri në aktivitetet që do mbahen në Tiranë”.

Tifozët do të kontrollohen imtësisht para futjes në stadium, si dhe do të ketë kujdes për sigurinë dhe rendin para dhe pas ndeshjes.

Po ashtu do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në disa rrugë të Tiranës përreth zonës së stadiumit “Air Albania”.

Dervishaj konfirmoi se tifozët e Romës do grumbullohen te Amfiteatri, ndërsa ata të Fejënordit te pedonalja.

Sa i takon sportdashësve shqiptarë, është zgjedhur që ata ta shikojnë finalen te Sheshi Skënderbej.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit për këtë aktivitet janë konkretisht:

Shoqërimi i ekipeve të futbollit të Romës dhe Fejënordit nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

Shoqërimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;

Shoqërimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë