Futboll

Rëndësi çdo detaji, UEFA merr në dorë ‘Air Albanian’ (Foto)

Fatjon Rupi - Janë ata të UEFA-s… Fjalët e vetme që të thotë një punonjës sigurie që qëndron në një nga dy hyrjet e parkingut nëntokësor të ‘Air Albanias’. Me këto fjalë ai mbyll çdo diskutim, sepse me ‘ata të UEFA-s’ nuk bëhet shaka… Asgjë tjetër nuk ka rëndësi.

Një roje sigurie dhe një punonjës i UEFA-s. Gazeta Si, 17 maj 2022. Foto: Malton Dibra (LSA)

Sot nuk ka ndeshje, as nesër, por parkingu është i bllokuar gjithsesi. Edhe disa ambiente të tjera përreth stadiumit, ku do të luhet finalja e Ligës së Konferencës. Duhen edhe shumë ditë, ndeshja është më 25 maj, por UEFA vërtet nuk fal dhe i kushton rëndësi çdo detaji në organizim.

Të dyja hyrjet e parkingut të stadiumit janë të bllokuara, përpara tij ka kontenierë pa fund. Një panoramë e pazakontë në Tiranë, që shpjegon më së miri se çfarë do të thotë një finale e një kompeticioni europian.

Rruga e bllokuar për automjetet. Gazeta Si, 17 maj 2022. Foto: Malton Dibra

‘Parkingu është mbushur me kamionë, nuk e di çfarë po bëjnë’, - të thotë më pas, disi në konfidencë, punonjësi me jelek portokalli, si për t’u justifikuar për qëndrimin e tij të prerë. Në fakt, të gjithë e mirëkuptojnë dhe kthehen mbrapsht.


Nuk është vetëm parkingu, që më së shumti prek qytetarët. “Air Albania” është marrë në dorë tashmë nga përfaqësuesit e UEFA-s. Ata janë të interesuar për çdo aspekt, në mënyrë që finalja e 25 majit të mos ketë asnjë problem, të paktën në stadium.

Asgjë nuk i lihet rastësisë, është një finale me rëndësi, historike madje.

Kamionët gjigantë me logjistikën e nevojshme për një event të tillë kanë pak ditë që kanë zënë vend pranë stadimit. Së fundi kanë mbërritur edhe gjeneratorët e mëdhenj.

Shumë kontenierë para stadiumit, por edhe në parking. Janë pajisjet që nevojiten për sigurinë dhe për transmetimin televiziv të ndeshjes. Askush nuk të jep shpjegime, bllokimi vjen disa metra para hyrjes.

Moment pune para hyrjes së stadiumit. Gazeta Si, 17 maj 2022. Foto: Malton Dibra (LSA)

‘Ata të UEFA-s’ sigurisht që po merren e të gjitha detajet edhe brenda stadiumit, por është e pamundur t’i fotografosh apo filmosh. Në disa pjesë të stadiumit janë bërë ndërhyrje. Janë hequr stola për të krijuar hapësirën për telekamerat që do të transmetojnë finalen e 25 majit.

Puna është e madhe. Çdo detaj merr vëmendje maksimale, në mënyrë që më 25 maj çdo gjë të jetë perfekte.

Punetorët, duke montuar pajisjet. Gazeta Si, 17 maj 2022. Foto: Malton Dibra

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë