Kinema

Mary Pickford: Gruaja që i dha formë Hollivudit

Më 1911-ën, William deMille bëri parashikimin më të pabazë,  në historinë e aktrimit. Një fëmijë teatri  që ai kish njohur, po linte skenën për ekranin e imazhit lëvizës. “Nuk është më shumë se 17 vjeç”, thoshte ai në një letër “po e hedh poshtë të gjithë karrierën dhe po e varros veten në një formë të lirë argëtimi.  Nuk do të ketë kurrë para të vërteta në ato pllakat gjigante  fotografike”. Teatri, ishte 2500 -vjeçar dhe kjo vajzë po rrezikonte të ardhmen për një modë. “ I jepni lamtumirën Mary Pickford-it. Nuk do të dëgjohet më për të.”  

Katër vjet më vonë, Mary Pickford  ishte gruaja më e famshme në botë; e para grua e njohur jo vetëm nga emri, reputacioni apo skeçet, por edhe për mënyrën sesi cepat e syve të saj paloseshin poshtë, kur buzëqeshte. Kushdo që e kishte parë atë në “Tess-i i Vendit Shtrëngatë”, më 1914-ën apo “Leckat”, një vit më vonë, e dinte saktë sesi dukej – kaçurrela të gjatë, fustane fëminore, imazhi i pafajësisë – dhe ata e ngrinë në atë forme, përgjithmonë. Krelat kushtonin 50 dollarë secila, një djall e gjysmë për kohën kur një biletë kinemaje ishte diçka më shumë se pesë qindarka dhe Pickford udhëtonte me një valixhe,  mbushur plot me kaçurrela.

Pickford ishte plan portreti i parë i Hollivudit dhe ndërgjegjja e tij

Flokët i përkisnin asaj, por ajo u përkiste të gjithëve. Të panjohurit vidhnin lulet nga kapela e saj dhe mërziteshin kur ajo vraponte këmbëzbathur në film. Kur një fëmijë e pikasi Të Dashurën e Amerikës me manikyr  - “Mami! Ajo nuk është një vajzë e vërtetë! Ajo ka thonj të gjatë!” - Pickford  i preu të shkurtër dhe e ndaloi veten nga të lyerit me të kuq buzësh dhe lapsa, në publik, në rast se dikush gabimisht do të mendonte se ajo pinte duhan. Gra që ajo nuk i kishte takuar kurrë i kërkonin mijëra dollarë dhe madje linin të kuptohej se,  do të ishte faji i saj nëse ato do të shisnin trupat e tyre. Njëherë, një burrë ia nguli sytë për dy minuta dhe më në fund i tha: “Mund të kesh fytyrën e një engjëlli dhe zemrën e një djalli. Nëse e ke, ndiej mëshirë për ty. Nëse nuk e ke, lutem për ty.”

Mëndafsh dhe çelik

Sot aktoret presin vëzhgimin e imtë të masave. Pickford e shpiku, kundër dëshirës së saj. E megjithatë ajo kishte punuar fort për atë famë. Puna rigoroze ishte e vetmja gjë që njihte. Nëse e pyesje Pickford-in se pse e dashuronin audiencat, ajo do të përgjigjej se ajo nuk kishte asnjë iluzion se ishte aktorja më e bukur apo më e talentuar e Hollivudit. Kameramanët e quanin “fytyrëmajmunia e vjetër”  dhe Pickford e dinte se ishte më e mirë për argëtim të lehtë,  sesa për tragjedi komplekse. Njerëzit marroseshin pas kombinimit prej butësie dhe çeliku. Personazhet e saj në filma si “Princesha e Vogël” 1917 dhe “Këmbët e Gjata të Babit”, më 1919-ën ishin të brishta. Ato ishin varfanjake ose ishin të pasura dhe varfëroheshin edhe më shumë; ishin jetime apo të braktisura,  ose thjesht ishin ngarkuar me detyrën e shpëtimtares- por nuk thyheshin kurrë.

Mary Pickford  duke shitur kredi lufte për të ngritur fonde për qeverinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Getty Images

E njohur me përkufizimin si arketipi i padjallëzuar i kinemasë, Pickford  ishte plan portreti i parë i Hollivudit dhe ndërgjegjja e tij. Ushtarët e mbanin portretin e saj në medaljonet që merrnin me vete në luftë. Ajo ngjante si viktoriane, por vepronte si moderne.  Ajo ishte e para aktore që fluturonte me një aeroplan në film dhe shpiku  vend ndriçime për ta bërë veten të dukej më e re. Përpara Pickford-it, filmat kishin famë të keqe. Nuk ishte çudi që karriera e saj e ndryshoi të alarmuarin deMille. Por, në vend që Hollivudi ta shkatërronte atë, ajo ndihmoi ta shpëtonte – që e bëri edhe heroinën e Hollivudit.

Pickford dhe regjisorja  Frances Marion  me karrige të personalizuara në kanavacë, në sheshxhirimin e filmit dramatik të 1921-shit “E drejtë është Rruga”. Getty Images)


Jo se Hollivudi kishte qenë synimi. Kur Pickford ishte pesë vjeç dhe ende quhej Gladys Smith, nëna e saj vejushë, Charlotte,  dha leje që një çift që merreshin me teatrin lëvizës ta vendosnin në skenë, kundrejt një pagese. Duartrokitjet ishin fantastike; paratë edhe më shumë. Pickford tërhiqej nga suksesi, në mënyrë thuajse të  frikshme, madje edhe në vitet e para si aktore. Ajo do të shponte faqet me karficat e flokëve për të imituar bukuritë më të mëdha me faqet e përskuqura. Shkolla ishte jashtë interesit –Pickford e ndoqi për vetëm tre muaj – dhe mësoi të lexonte nga reklamat që pikaste në rrugë. ( Ajo deklaronte një urrejtje të përjetshme për ngjyrën e  qershisë në ndenjëset e trenit.)

Ajo do ta njihte deMille, kur performoi në dramën e tij në Broadway, në moshën 15 –vjeçare. Vëllai i tij më i ri, Cecil ishte një tjetër aktor. Të dy burrat do të bëheshin emra të mëdhenj në Hollivud – vite pasi Pickford u tregoi dyshuesve se mund të bëhej. Ajo mbërriti më 1910-ën, një muaj përpara se Hollivudi të merrte emrin zyrtar, si ylli në shkëlqim i  kompanisë  “Biograph” të  DW Griffith.

Trill fansash

Filmat ishin ide e mamasë së saj. Në fillim, Pickford kishte shpresuar se Griffith do të thoshte jo. Por në ato ditë të para, regjisorët ishin të dëshpëruar për aktore, kështu që ai e tërhoqi atë në studion e tij, i leu fytyrën bardhezi – “Dukesha si Panço Vila”, do të ankohej ajo – dhe e urdhëroi veteranen adoleshente të teatrit të reagonte. Ajo refuzoi dhe dinamika e marrëdhënies së tyre nuk ndryshoi kurrë. Griffith  ishte i vendosur të ndryshonte vullnetin e Pickford-it, duke e tallur atë si “E paputhura e Madhe” – dhe ajo ishte e vetmja aktore që kundërluftoi, sepse kishte karrierën skenike si folenë e sigurt.

Mary Pickford  në një skenë të filmit “Tess-i i Vendit Shtrëngatë”  (1922), një version me zë i dramës së heshtur të 1914-ës, ku kishte interpretuar po ajo. Getty Images.


Një ditë, pasi një film i shkurtër i hershëm , i titulluar “Peggy Kokëforta”  ishte kthyer në një farë hiti, Pickford u njoh nga tre fansa. Njerëzit ia njohën fytyrën. Ajo i kërkoi menjëherë Griffith rritje rroge me 5 dollarë. Ai ishte përpjekur të pengonte që ajo të kuptonte vlerën e saj – ai kish urdhëruar që të gjitha letrat e fansave adresuar “vajzës me krelat e arta” të griseshin përpara se ajo t’i shihte – por fama që po fitonte nuk mund të dredhohej përgjithmonë. As sikur Griffith të përpiqej t’i fshihte flokët e saj nën një parukë të zezë.

Që të ishte besnike ndaj  publikut të saj, do të thoshte se duhet të rrinte një fëmijë përgjithnjë

Brenda pak viteve, paga vjetore e Pickford-it ishte 560 mijë dollarë, treçerekun e së cilës e çonte për kursime dhe një vit më pas, u bë një milion dollarë. Fitimin e  atyre  lloj të ardhurash, Pickford mund ta përballonte vetëm duke qenë dyfish besnike: ndaj vetes dhe publikut të saj. Të ishte besnike ndaj vetes nënkuptonte që të prishte kontratat me çdo studio, nëse dikush tjetër bënte ofertë më të mirë. Ajo e njihte vlerën e saj, kështu pas dy vitesh e gjysmë dhe 103 filmave, kur Griffith i urdhëroi yllit të tij kokëfortë të tregonte këmbët me një veshje shpellaresh, ajo hoqi dorë. Dhe, të ishte besnike ndaj publikut të saj, nënkuptonte se i duhej të qëndronte përgjithmonë fëmijë: një grua e rritur, po aq inteligjente dhe e fortë sa çdo lloj biznesmeni, që e kalonte jetën duke u sorollatur nëpër  mobilie të stërmëdha, të krijuara për ta bërë atë të dukej më e vogël. Liza në një botë të përjetshme çudish.

Pickford dhe  Douglas Fairbanks  janë konsideruar si anëtarë mbretërorë të Hollivudit. Getty Images


Në mënyrën e saj, ajo u rebelua. Së pari, u martua me një aktor më të vjetër, i quajtur Owen Moore,  pjesërisht për të treguar se ishte e rritur. Marrëdhënia e tyre ishte një nga vendimet e saj, rrallëherë, të këqija. Në festa, Moore do të fërgëllonte: “Mary ka një talent të vogël shprehës. Vështirë nga ato që  quaj intelektuale”.  Vetëm pak kohë më pas, ajo ra në dashuri me Douglas Fairbanks, por kishte aq shumë frikë se mos mërziste publikun, sa e shtyu divorcin me Moore, për tre vjet.  U martua më në fund me Fairbanks më 1920-ën dhe ata e shndërruan vilën e tyre të Beverly Hills-it, “Pickfair”, në një oborr mbretëror të Kalifornisë- vizitorët përfshinin emra si  George Bernard Shaw, Albert Einstein, Helen Keller, HG Wells, Amelia Earhart, F Scott Fitzgerald, Noël Coward dhe shokun e ngushtë të  Fairbanks, Charlie Chaplin. Kur u martuan, çifti kishte nënshtruar një kontratë po aq të rëndësishme për financimin e United Artists (UA),  një studio filmi që vinte në krye talentin – jo producentët dhe bankierët, që përpiqeshin gjithnjë të tregonin se dinin më shumë rreth biznesit të filmit, sesa gruaja që ndihmoi për ta farkëtuar atë.

Themelimi i  United Artists  më 17 prill  1919 (nga e majta: DW Griffith, Pickford, Chaplin dhe Fairbanks) Getty Images.


Më krijimin e UA, ata bashkuan forcat me armikun e herëpashershëm të Pickford-it, Griffith – si edhe me Chaplin-in, ngritja e beftë e karrierës së të cilit e kishte irrituar atë. Pse ky klon po bënte dyfishin e parave të saj? Por me taktikë, Pickford vendosi se ishte më mirë të bashkonte fuqitë sesa të ndahej, prej egove. Vajza që nuk shkoi kurrë në shkollë i mësoi të gjithë Hollivudit si të ishe një yll modern – në jetën e vërtetë ajo nuk ishte viktima e askujt. Pickford  ishte gjithashtu një prej themeluesve të arë të Akademisë së Fotografisë në Lëvizje, Arteve dhe Shkencave, më 1927-ën.

Pickford në çmimet  Oscar, 1930,  kur fitoi një çmim për performancën e saj në “Coquette”. Getty Images


Ndërsa epoka e filmave të heshtur kishte kaluar tek tingulli dhe e Vogla Mary po i afrohej  të dyzetave, ajo bëri shkarjet e para dhe hoqi dorë përgjithnjë nga të qenit përpara kamerave – por jo pa fituar çmimin e dytë të Akademisë si Aktorja më e Mirë, për rolin e saj të parë në një film me zë, në “Coquette”,  në vitin 1929. ( Flokët model presje që kishte në film i tronditi fansat, ku prerja e krelave të saj të famshme, përfundoi në faqen e parë të The New York Times.)  Kishte fituar më në fund para mjaftueshëm sa për t’u çlodhur, kështu deshi t’i merrte fjalët e deMille, në kuptimin e tyre të parë dhe ta digjte të gjithë veprimtarinë. Përse jo? Unë i kam bërë”,  do të thoshte Pickford për miliona metrat e filmimeve të saj; dy dekada rritjeje në sytë e publikut dhe  ishte gati ta linte pas të shkuarën duke u bërë producente, filantrope dhe një ambasadore qytetarie. “Kur unë të iki, ikin edhe filmat e mi.” Fatmirësisht  ishte radha e saj të mbrunte të ardhmen: tani, e vogla Mary Pickford nuk do të harrohet kurrë.*Amy Nicholson/ BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë