Futboll

Martinez dhe Deshamps, dy trajnerë për një qëllim

Francë-Belgjikë është ndeshja e parë gjysmë-finale e kampionatit botëror, “Rusi 2018”. Ka shumë për të folur për këtë sfidë të parë të këtij kampionati botëror tejet surprizues. Përtej të gjithave nëse Franca dhe Belgjika kanë shkuar kaq shumë larg është edhe për meritë të dy njerëzve të quajtur Roberto Martinez dhe Didier Deshamps. Janë dy personazhe të ndryshëm me njëri-tjetrin, njëri shumë i njohur, gati-gati një mit në Francë, ndërsa tjetri një huaj, që po e bën Belgjikën të ëndërrojë prej dy vitesh se mund të fitojë Kupën e Botës.

Roberto Martinez

Foto ilustruese (Roberto Martinez)

Ai është spanjoll dhe është i treti i huaj që drejton kombëtaren e Belgjikës, pas dy anglezëve Doug Livingstone dhe  Jack Butler që e kishin drejtuar këtë kombëtare shekullin e kaluar. Martinez është një emër jo shumë i madh si futbollist, që ka fituar shumë pak trofe me klubet ku ka luajtur dhe një karrierë më së shumti të zhvilluar në klube të dorës së dytë në Angli dhe Spanjë.

Martinez  karrierën e tij si futbollist e ka të lidhur kryesisht me Anglinë, aty ku ka luajtur si mesfushor. Roberto Martinez ka luajtur për  Real Zaragoza në Spanjë ku fitoi “Kupën e Mbretit”.  Më pas luajti me Balaguer, Vigan Athletik dhe Suonsi, ku do të ishte dhe eksperienca e tij e parë si trajner. Suksesi i parë i Martinez si trajner ishte në vitin 2009 kur mori drejtimin e Vigan duke e ndihmuar klubin të shmangte rënien nga kategoria. Ndërsa në vitin 2013 me Viganin, për herë të parë në historinë e këtij klubi, Roberto Martinez do të fitonte edhe FA Cup. Pas kësaj kaloi te Everton deri në gusht të vitit 2016 ku mori përsipër të drejtojë Belgjikën. Tashmë me të në krye kjo kombëtare është pranë një suksesi të madh, vetëm se fillimisht duhet të kalojë edhe një pengesë të fundit të quajtur Francë. Belgjika këtë brez të talentuar lojtarësh pak a shumë e pati edhe në botërorin e shkuar, apo europianin e “Francë 2016”, por nuk ia doli dot të lërë gjurmë, ndërsa këtë herë besohet se do të ndodh diçka ndryshe dhe ky besim burimin e ka tek aftësitë dhe puna që ka bërë Roberto Martinez.

Didier Deshamps

foto ilustruese (Didier Deshamps)

20 vjet më parë shpallej Kampion Bote si futbollist dhe si kapiten i asaj skuadre ngrinte lart trofeun e Kupës së Botës në mes të Parisit, duke bërë krenar një komb të tërë. 20 vjet më pas, Didier Deshamps kërkon të shpallet sërish kampion bote, por në rolin e trajnerit, me të njëjtën skuadër, duke pretenduar kështu të eci në rrugën e të madhit Franc Bekenbauer. Deshamps, e drejton kombëtaren franceze që prej vitit 2012, duke thyer kështu edhe rekordin e Rajmond Domenek me 81 ndeshje në krye të pankinës së “gjelave”. Në Francë përtej të gjitha arritjeve të tij, ka edhe kritika, duke thënë se ai është një trajner i mirë, por më shumë po përfiton nga një brez i artë lojtarësh, me dëshirë dhe ambicie për të shkruar historinë.

Në fazën e grupeve, Franca e Deshamps kurseu energji dhe shfrytëzoi maksimalisht cilësitë e lojtarëve të saj. Më pas në raundin e 1/16-ve, ku ishte dhe prova e së vërtetës përballë Argjentinës së Lionel Mesit, “gjelat” treguan forcën e tyre reale, duke shënuar plot 4 herë edhe pse duhet thënë se mbrojtja nuk ishte në nivelin e duhur, për shkak të tre golave të pësuar. Forcën e kësaj France që ka marrë shumë nga mentaliteti i Deshamps e provoi edhe një ekip shumë agresiv si Uruguaji.

Pas gjashtë viteve në drejtimin e “gjelave”, ka ardhur koha që Deshamps të përmbushë misionin e tij, të çojë në Francë Kupën e Botës për herë të dytë në hitstori, pasi ky mund të jetë shansi i fundit për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë