Intervistoi Suadela Balliu – Tabunë e Ballkanit mbi paraqitjen e një skene dashurie mes një çifti të së njëjtës gjini, e theu pikërisht një film nga Kosova. Kështu thotë regjisorja Blerta Zeqiri se kanë shkruar mediet e rajonit, ndërsa në vendin e saj është parë si një temë e ngutur.“Qysh prej kohës kur ka përfunduar Lufta dhe kanë filluar të drejtat dhe liritë elementare të njeriut, unë mendoj vazhdimisht për të gjithë grupet e tjerë të margjinalizuar në Kosovë e botë, sepse bashkëndiej fatin e tyre” , rrëfen regjisorja e filmit “Martesa”, i cili pasi ka arritur të fitojë dy çmime në festivale ndërkombëtare të filmit dhe është shfaqur në një sërë të tjerë nëpër botë, është propozuar nga Qendra e Kinematografisë në Kosovë për të përfaqësuar vendin në kategorinë e filmit më të mirë të huaj në “Academy Awards”. Zeqiri mendon se mes atyre grupeve të margjinalizuar që kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e saj, jo vetëm qytetare por së pari si artiste, është edhe komuniteti LGBTI, të cilit, siç vijon regjisorja “shoqëria jonë nuk i lejon ekzistencën, sepse dikush paskësh vendosur që nuk bën të duhen mes vete njerëzit e gjinisë së njëjtë, që do të thotë se shoqëria jonë me pasion bën luftë kundër dashurisë.”

Motivimi ishte pikërisht portretizimi i një dashurie të ndaluar të ditëve të sotme. Filmi “Martesa” me skenar të Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës sillet në fakt rreth një trekëndëshi dashurie.Gjithçka nis me përgatitjet për një ceremoni martese, mes Anitës dhe Bekimit – interpretuar në film nga aktorët Adriana Matoshi dhe Alban Ukaj – ndërsa gjithçka kthehet përmbys me kthimin nga jashtë të shokut më të ngushtë të dhëndrit të ardhshëm, Nolit, i cili kishte qenë më shumë sesa shok për Bekimin; një i dashur i fshehtë. Kur ky i fundit kupton se shoku është ende i dashuruar me të, banketi i dasmës mbushet me tension ndërsa trekëndëshi i pazakontë i dashurisë nis të zbulohet.Përse regjisorja vendosi të zgjedhë një fill më të komplikuar për subjektin e filmit të saj në vend të një zhvillimi të një marrëdhënieje homoseksuale? “Sepse, realiteti i shumë personave LGBTI është i tillë.” –përgjigjet Zeqiri. “Ata bëjnë dy jetë: një për shoqëri dhe një për veten e tyre.”
Ky dualizëm i bën pastaj të hyjnë në një qerthull edhe më të rëndë social, me një përjetësim të dhunës, siç thotë regjisorja “fillimisht dhunojnë veten e pastaj familjet”, ku gjithçka është ngritur me gënjeshtër. Të bësh të palumtur kur je vetë i palumtur! A çlirohen nga fajet ndaj partnerëve, të cilët nuk dinë asgjë rreth jetëve të dyfishta këta individë që dashurojnë të tjerë, të së njëjtës gjini, vetëm sepse është e para shoqëria që i shtyp ata të zbulohen siç janë? “Nuk kanë si t’ia bëjnë ndryshe njëherë përnjëherë, sepse shoqëria jonë fatkeqësisht akoma nuk i pranon personat LGBTI.”, është e mendimit regjisorja, e cila shton se për filmat e saj zgjedh tema me rëndësi shoqërore e politike, siç mendon se është edhe filmi “Martesa”, i cili ka nisur rrugëtimin kështu drejt Oscars 2019.
Megjithëse për publikun e huaj, kryesisht atë perëndimor, e aq më pak për Akademinë e Arteve të Kinemasë dhe Shkencave, tema të tilla nuk përbëjnë asnjë çudi, filmi i parë LGBTI që fitoi çmimin si filmi më i mirë ishte “Moonlight” dy vjet më parë, i cili ishte edhe i pari film me një kastë të tërë aktorësh afro-amerikanë , që lë të kuptohet se shoqëria, në terma globalë, është ende në përgatitje e sipër për ta pranuar – dhe vlerësuar – dashurinë homoseksuale në ekranin e madh.

Si kineaste, mendoni se shoqëria e Kosovës është ca e vonuar në adresimin dhe trajtimin e këtyre temave, që ende i quajmë “tabu” ?
Mendoj se, shoqëria jonë është e vonuar gati në të gjitha gjërat, në krahasim me botën e zhvilluar, ndaj dhe nuk ka pse të jetë ndryshe me punën e filmit dhe trajtimit të temave “tabu”. Gati secili film që prodhohet te ne, kohët e fundit, trajton një temë të caktuar, kryesisht të pa trajtuar më parë, sepse historia e filmit tek ne ka filluar shumë vonë. Kështu, kur e marrim parasysh se, kemi prodhuar shumë pak filma, disa persona, tek ne, e konsiderojnë si temë të ngutshme, sepse kemi pasur edhe shumë tema të tjera, të cilat nuk janë paraqitur në film deri më tash. Ndërsa ka pasur komente të tjera nga rajoni, se ky film është filmi i parë në Ballkan që ka një skenë dashurie mes një çifti të gjinisë së njëjtë dhe se ata ndiheshin të lumtur se pikërisht këtë “tabu” të Ballkan-it e theu një film nga Kosova.Në anën tjetër, nga shkrimet e ndryshme në botë që janë bërë për filmin, e kuptoj se ka shumë vende në botë që lakmojnë Kosovën për zhvillimet që janë bërë për komunitetin LGBTI, në Kosovë , duke dashur kështu të japin një pikë shprese se dhe në vendet e tyre një ditë do të mund të bëhen zhvillime të tilla, si organizimi i paradës.
Çfarë ju shtyu të trajtonit këtë temë?
Qysh prej kohës kur ka përfunduar lufta dhe kanë filluar të drejtat dhe liritë elementare të njeriut, unë mendoj vazhdimisht për të gjithë grupet e tjerë të margjinalizuara në Kosovë e botë, sepse mendoj se bashkëndiej fatin e tyre. Një grup i tille mendoj se është edhe komuniteti LGBT në vendin tonë, të cilit shoqëria jonë nuk i lejon ekzistencën, sepse dikush paskësh vendosur që nuk bën të duhen mes vete njerëzit e gjinisë së njëjtë, që do të thotë se shoqëria jonë me pasion bën luftë kundër dashurisë. E për mua ka qenë pikërisht ky motivimi që të punoj një film mbi një dashuri te ndaluar të ditëve të sotme.

Fakti që refuzojmë të flasim për një komunitet si LGBT, nuk do të thotë se kjo e bën këtë komunitet të paqenë, po ju si e keni parë komunitetin LGBT në Kosovë; sa luftojnë për të drejtat e tyre, sa të diskriminuar janë?
Unë do të doja të shihja më shumë guxim nga personat e komunitetit që ta pranojnë veten e tyre haptazi, edhe pse i kuptoj plotësisht që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë . Pikërisht për këtë flet edhe filmi “Martesa”. Personazhi i Bekimit është pikërisht ky person i cili për shkak të trysnisë sheqerore, nuk arrin ta dëgjojë zemrën e tij… Ky komunitet është shumë i diskriminuar në Kosovë. Vetëm fakti se kurrë nuk ke parë në rrugët e Kosovës një çift gay duke ecur dorë për dore apo duke u përqafuar në publik dhe se sigurisht do të ketë shumë lexues, të cilët do të shokohen vetëm duke i lexuar këta rreshta, tregon se sa të diskriminuar janë këta persona.
A e keni parë më shumë si një betejë brenda vendit realizimin dhe shfaqjen e filmit ? Duke qenë se publiku botëror është tashmë shumë më i hapur dhe pranues ndaj këtyre tematikave…
Gjatë kohës sa e kam punuar filmin, kam bërë çmos që të mos ndikohem nga mendimet e jashtme rreth filmit. Për ta kursyer veten nga komentet e njerëzve, të cilat do të mund të më shkaktonin probleme në punë (duke më shtyrë të etëcensurohem), kemi komunikuar shumë pak dhe lehtësisht me mediet tona dhe nuk e kemi bërë publike temën e filmit. Kështu realizimi i filmi është bërë me shumë kujdes dhe po i njëjti kujdes është treguar edhe gjatë shfaqjes së filmit në “Cineplexx”, sepse asnjëherë nuk kemi dashur që promovimin ta bëjmë me elementet shokuese të filmit. Mendoj se për këtë arsye edhe shfaqja e filmit në Kosovë në “Cineplexx” ka qenë shumë e suksesshme sepse dy javë radhazi filmi ka qenë i shitur. Jam shumë e lumtur për këtë.

Po aktorët e përzgjedhur për këtë film a kishin fillimisht ngurrim për ta pranuar? A e ka kapërcyer shoqëria kosovare dallimin mes trillit artistik dhe jetës?
Më duhet të them se si Albani(Ukaj), Genci(Salihu) e Adriana (Matoshi) nuk kanë hezituar as edhe pak për ta pranuar rolin. Mirëpo edhe unë e kam ditur deri diku se ata do ta pranojnë, sepse që të tre i njoh prej kohësh dhe punën e tyre artistike e kam përcjellë me vëmendje gjithmonë. Jam tejet e lumtur që aktorët janë bashkangjitur në këtë projekt qysh në fillim, ende pa e shkruar as skenarin dhe, u jam tejet mirënjohëse që kanë vazhduar dhe kanë qëndruar bashkë me mua në këtë projekt edhe gjatë drafteve të para të skenarit. Përfshirja e aktorëve në këtë skenar ka luajtur rol shumë të madh në gjetjen e “fakturës dokumentareske” e cila është aq e rëndësishme për mua në këtë film. Në anën tjetër eksperienca që, të gjithë si ekip, e kemi pasur gjatë realizimit dhe shfaqjes së filmit, na ka bërë të kuptojmë se mund të jemi edhe shoqëri tejet e civilizuar dhe ta pranojmë artin si të tillë.
Si ka qenë ndërtimi i karaktereve? Ndodh ndonjëherë që për frikë të diskriminimit – ose siç ankoheshin komuniteti LGBT se dikur kinematografia botërore i vishte njerëzit e këtij komuniteti me karakteristika negative – kalon nga skaji tjetër duke i veshur këta personazhe gati-gati me petkat e heroit. Si janë personazhet e filmit tuaj? A janë thjesht njerëz të zakonshëm që zbulojnë pasionin homoseksual?
Personazhet e filmit tim janë njerëz të gjallë dhe pikërisht trajtohen si të tillë. Ata janë të mirë në një situatë, të këqij në një tjetër, herë trima e herë qyqarë… Kam bërë çmos që t’i zhvesh personazhet nga stereotipat e zakonshëm. Krejt çka kam provuar është që të paraqes personat gay njëlloj si të gjithë njerëzit e tjerë të botës, të cilët duan, urrejnë, vuajnë, thjeshtë janë njerëz: njerëz të cilëve u bëhet një e padrejte, që nuk u lejohet të duhen.
Filli i subjektit duket se komplikohet me trekëndëshin e dashurisë, ku gjithçka nis me një marrëdhënie klasike djalë –vajzë për të evoluar më pas në marrëdhënien homoseksuale. Pse kjo zgjedhje dhe jo përshembull zhvillimi i një marrëdhënieje gay? Mendoni se në Kosovë (mbase kudo) njerëzit me orientim të ndryshëm seksual, janë gjithnjë në betejë me shoqërinë dhe, shpesh u duhet të mundohen në ndërtimin e marrëdhënieve klasike burrë –grua?
Realiteti i shumë personave LGBTI është i tillë. Ata bëjnë dy jetë: një për shoqëri dhe një për veten e tyre. Në të dy jetët ata dhunojnë në radhë të parë vetveten, e pastaj edhe familjen e tyre (sepse kanë ndërtuar familje jo të lumtur). Por nuk kanë si t’ia bëjnë ndryshe një herë për një herë, sepse shoqëria jonë fatkeqësisht akoma nuk i pranon personat LGBTI. Ky është një realitet i hidhur i shoqërisë sonë, të cilin doja ta paraqisja në ekran të madh.
Po në filma të tjerë që keni realizuar cilat kanë qenë tematikat kryesore? A përfshijnë tema që e trazojnë ende shoqërinë kosovare apo dëshironi ta kapërceni sfondin lokal, për ta bërë artin tuaj pa kufij dhe të perceptueshëm nga audienca globale?
Filmi është art shumë i kushtueshëm dhe për këtë arsye kam dëshirë që kur investohet në film, të punohet diçka me rëndësi për shoqërinë – diçka që e çon shoqërinë përpara. Zakonisht, për filmat e mi unë zgjedh tema universale si dashuria, humbja, lufta, trafikimi me qeniet njerëzore; thjesht tema të cilat kane relevancë shoqërore e politike. Në shumicën e kohës janë tema për të cilat shumë pak flitet në shoqëri dhe dëshira ime që pas shikimit të filmit, të hapet debat dhe të flitet për temën në fjalë. Kështu shoqëria mund të zhvillohet më së miri. Mendoj se, kur investon për prodhimin e filmit aq shumë para, kohë e mund, atëherë ai duhet të jetë relevant për shoqërinë – përndryshe ndihem se kam çuar dëm buxhetin shtetëror, me të cilin mund të ishte bërë diçka më shumë, le te themi në shëndetësi, arsim apo mirëqenie sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.