Politike

Marrëveshja me Melonin për refugjatët i hap telashe Ramës, PD e Italisë kërkesë PES për ta përjashtuar

Partia Demokratike e Elly Schlein në Itali është gati të regjistrojë kërkesën për përjashtimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë nga Partia Socialiste Evropiane (PES). Këtë e ka bërë të ditur për Repubblica.it Giuseppe Provenzano, kreu i Punëve të Jashtme në sekretariatin e Schlein, në kuadër të kongresit të PES që do të mbahet në Malaga këto dy ditë.

Lajmi është pasqyruar edhe në media të tjera italiane.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, pakënaqësia kryesore ndaj Ramës është marrëveshja e nënshkruar me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila parashikon transferimin në Shqipëri të një numri të konsiderueshëm emigrantësh të kapur nga anijet italiane, (deri në 36 mijë në vit), për t'u strehuar në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër.

Përjashtimi politik i Ramës nga familja e socialistëve europiane sipas mediave italiane mund të ketë pasoja në kandidaturën e Tiranës për në Bashkimin Europian, një ide e mbështetur nga Rama dhe Meloni. Pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve të brendshme, Rama vijon të mbrojë marrëveshjen, duke përsëritur se ajo nuk cenon të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë ai nënvizoi se edhe vende të tjera evropiane kanë kërkuar marrëveshje të ngjashme në të kaluarën, por Shqipëria i ka refuzuar këto kërkesa

Por Partia Demokratike Italiane pretendon se kjo marrëveshje shkel të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat e Partisë Socialiste Europiane: “Marrëveshja, – tha Provenzano, – shkel të drejtën ndërkombëtare dhe gjithashtu vlerat e familjes socialiste”.

Italia do të përpiqet të zbatojë të njëjtën procedurë që u përdor për kryeministrin e ri sllovak Robert Fico, i përjashtuar nga PES në tetor për shkak të pozicioneve të tij pro-ruse dhe aleancës së tij me të djathtën ekstreme, pak pasi fitoi zgjedhjet në Sllovaki.

 “Për Ramën – vijon Provenzano – procesi duhet të jetë edhe më i shpejtë, duke qenë se PS e Shqipërisë është vëzhguese e thjeshtë në PES dhe nuk ka statusin e anëtarit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë