Futboll

Maradona “kurorëzon” armiqtë e përjetshëm kampionë të botës!

Një argjentinas nuk do ta pranonte kurrë se Brazili është më mirë në futboll, në asnjë moment, aq më tepër një një ish-lojtar i Argjentinës. Më keq akoma, nëse këto fjalë do të dilnin nga goja e atij që në Argjentinë konsiderohet simbol dhe fe. Diego Armando Maradona, argentinasi i dualizmit të përjetshëm me brazilianin e madh Pele, i ka habitur të gjithë me deklaratën e tij të fundit. Me sa duket, ka raste kur objektivizmi mbizotëron mbi pasionin. Po, po, Maradona ka “kurorëzuar” Brazilin si kampionin e ardhshëm të botës.

Për televizonin e Venezuelës “Telesur”, Maradona jo vetëm që ka pranuar se Brazili është ekipi më i mirë, por ka folur me superlativa për Seleçaon dhe trajnerin Tite.

“Ndeshja Brazil-Meksikë ishte argëtuese, më pëlqeu shumë. Duhet të pranoj se kam parë një Brazil shumë solid, që besoj se do të fitojë Botërorin. Dua të pranoj gjithashtu se më pëlqen shumë trajneri Tite, i cili është shumë i zoti për mënyrën si e rreshton skuadrën e tij në fushë. Edhe sulmuesit e Brazilit janë shumë të fortë. Ata, por edhe katër lojtarët që janë pas tyre, janë forca e vërtetë e Brazilit, sepse e luajnë shumë bukur topin, e qarkullojnë, krijojnë hapësira, kombinojnë dhe sulmojnë të gjithë bashkë në të njëjtën kohë”, - ka theksuar “El Pibe de Oro”.

Komplimente për rivalët historikë nga njeriu më kontravers i futbollit latino-amerikan, Maradona, i cili pak ditë më parë shpërtheu në kritika ndaj Argjentinës së tij dhe trajnerit Horge Sampaoli, pas asaj paraqitjeje skandaloze në këtë Botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë