Futboll

Maqedonia vonohet, Besir Demiri i thotë “Po” Shqipërisë

Nga Fatjon Rupi - Futbollisti shqiptaro-maqedonas, Besir Demiri, ka pranuar të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë në vazhdim. 24-vjeçari i lindur në Shkup, shumë shpejt do të pajiset me pasaportën shqiptare dhe do të jetë pjesë e kuqezinjve duke nisur nga Liga e Kombeve që starton në muajin shtator. Demiri luan si mbrojtës i krahut të majtë dhe trajneri Kristian Panuçi e ka gjetur më në fund pasuesin e ish-kapitenit Ansi Agolli, pasi ka provuar disa alternativa. Trajneri i Kombëtares e ka vëzhguar lojtarin që aktivizohet me Mariupol në Ukrainë dhe ka dhënë pëlqimin për të.

Më parë Demiri ka luajtur për Maqedoninë dhe vonesa për një tjetër ftesë nga kombëtarja e vendit fqinj ka bërë që ai të vendosë për Shqipërinë. Pra, nuk është një zgjedhje e pastër zemre, por një zgjedhje e ndikuar nga rrethanat, që gjithsesi Kombëtares sonë i leverdis në këtë moment. Mbrojtësi shqiptaro-maqedonas është aktivizuar me ekipin Shpresa të Maqedonisë, ku numëron 16 ndeshje dhe ka qenë pjesë e tij në Euro 2017. Gjithashtu, Demiri është grumbulluar me Maqedoninë. Ai ka luajtur në miqësore, por ky fakt nuk i prish punë për të luajtur me Shqipërinë, në bazë të rregullave të fundit të FIFA-s. Më parë ka bërë të njëjtën gjë edhe Taulant Seferi, i cili, pasi kishte luajtur me moshat e Maqedonisë, kaloi te Kombëtarja U-21 e Shqipërisë.

Besir Demiri, kur ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës

Rroftë sinqeriteti!

Mbrojtësi Besir Demiri ka folur për vendimin e tij të fundit, duke e pranuar se nuk dëshironte të humbte kohë duke pritur ftesën e Maqedonisë. Nga fjalët e tij kuptohet se Shqipëria ishte zgjedhja e dytë: “Po, kam vendosur të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë. Jam një futbollist profesionist dhe jetoj me futbollin. Duhet të bëj zgjedhjet, që vlerësoj se më ndihmojnë për të ecur përpara në karrierën time. Kam luajtur me Maqedoninë U-21 dhe me Maqedoninë, por më pas më ka munguar ftesa, edhe pse aktivizimi im ka qenë i rregullt me ekipet ku kam luajtur. Jam 24 vjeç dhe karriera në futboll nuk është aq e gjatë. Nuk mund të lejoj që të injorohem deri në pafundësi. Shqipëria më vlerësoi në këtë periudhë, kur jam jashtë planeve të Maqedonisë, kështu që nuk ishte aspak e vështirë të merrja këtë vendim”, - tha Demiri për “Supersport”, pasi kishte marrë vendimin për të luajtur me kuqezinjtë. Nuk është se Shqipëria i ka rrëmbyer ndonjë talent Maqedonisë, por ka marrë një lojtar që në të ardhmen mund t’i bëjë punë, aq më tepër për rolin ku luan.

Besir Demiri, djathtas, me fanellën e Maqedonisë

Besir Demiri e ka nisur karrierën te skuadra e FC Shkupit në kampionatin maqedonas dhe më pas është transferuar te Shkëndija e Tetovës. Pas dy sezonesh me këtë ekip, ka kaluar te Vardari, ku ka qëndruar pak dhe më pas është transferuar në futbollin ukrainas, tek ekipi i Mariupolit, ku ka një aktivizim të rregullt. 24-vjeçari ka si rol natyral atë të mbrojtësit të majtë, por mund të luajë edhe më përpara në mesfushë, po në këtë krah. Trajneri Panuçi ka tashmë një tjetër alternativë për krahun e majtë. Herën e fundit ai la jashtë ish-kapitenin Ansi Agolli për shkak të moshës dhe grumbulloi Egzon Binakun e Malmoes, që nuk luajti për shkak dëmtimi. Alternativat e tjera për këtë pozicion janë Ermir Lenjani dhe Naser Aliji, por asnjëra prej tyre nuk ka bindur dhe trajneri i kuqezinjve ka qenë gjithmonë në kërkim të lojtarëve të tjerë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë