Ne rrjet

Maqedonia e Veriut, gjuha shqipe mund të mos përdoret në gjyqe

Edhe pse miratimi i tij ishte një nga fitoret më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ligji për përdorimin e gjuhës shqipe mund të rishikohet, duke ndryshuar një sërë nenesh që do të kufizonin përdorimin e saj.

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi të shtunën se ai do të shikohet bazuar në vlerësimit e Komisionit të Venecias. Ky i fundit doli me një sërë vërejtjesh lidhur me përmbajtjen e këtij ligji.

Zaev tha se do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmangen situatat që rrezikojnë të drejtat tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
"Gjuhët janë që njerëzit të kuptohen me njëri-tjetrin. Ne kemi dalë në një zgjidhje ligjore, por edhe atëherë, kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin, kështu që qëllimi im është të respektojmë Komisionin e Venecias. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t'i dërgojmë ato përsëri për miratim në kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Gazeta Si, 2019

Por konstatimet e Komisionit të Venecias duket se janë kthyet në një argument për partinë opozitare VMRO-DPMNE. Sipas saj, Komisioni konfirmoi vërejtjet dhe kritikat që qytetarët dhe deputëyt e VMRO-DPMNE i patën në kohën e miratimit të ligjit”.

“Pozicioni i Komisionit të Venecias duhet të respektohet, pasi ne jemi një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Europian”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Flakron Bexheti e pranoi se opinioni i Komisionit të Venecias krijon një situatë të re politike, sidomos për partitë shqiptare në vendin fqinj.

Partia e tij mendon se ky është vetëm një opinion dhe vlerësim dhe nuk është detyrim. “Ligji për përdorimin e gjuhëve, që nuk është vetëm për gjuhën shqipe, tha ai u soll në vitin 2018 dhe ishte parakushti kryesor që kryeministri Zaev të arrinte të bënte një koalicion qeveritar. Ky ligj është cilësuar si një arritje që ka të bëjë me avancimin e gjuhës shqipe dhe një ndër arsyet kryesore për miratimin e Marrëveshjes së Prespë. Kalimi i ligjit të gjuhëve e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Maqedoninë që të bëhet pjesë e NATO”, deklaroi zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët.

Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu se detyrimi i përdorimit të gjuhës shqipe në komunikim ndërinstitucional dhe të brendshëm mes punonjësve të administratës dhe atyre civilë, të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar ose futja e tij në fuqi të shtyhet deri në zbatimin e duhur të kësaj dispozite.

Ligji për përdorimin e gjuhëve që miraton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë pasi ish-presidenti, Gjorge Ivanov refuzonte dekretimin e tij. Ligji që është në fuqi miraton përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Edhe mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha komunat ku më shumë se 20 për qind e popullatës flasin gjuhën shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë