Politike

Raporti i ndërlikuar 20-vjeçar Rama-Majko

Pak para se në Kuvend të hidhej për votim projektligji për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, Pandeli Majko dhe Kryeministri Edi Rama u panë të shkëmbenin disa fjalë me njëri-tjetrin. Nuk dihet se çfarë u diskutua mes tyre, por fill pas kësaj, ministri i Shtetit për Diasporën u largua nga salla duke mos marrë pjesë në votimin e ligjit.

Nga pamjet nuk është e vështirë që të kuptohet se biseda nuk ka qenë miqësore, por një debat i mirëfilltë dhe skena ishte e ngjashme me atë të regjistruar para disa muajsh, kur Majko u largua vrullshëm duke shtyrë karrigen pasi iu refuzua votimi i një neni në ligjin për diasporën. Por, kjo nuk është as hera e parë dhe gjasat janë që të mos jetë as e fundit që Rama dhe Majko përplasen me njëri-tjetrin në raportin e tyre të ndërlikuar ndër vite.

Pandeli Majko u katapultua në Partinë Socialiste nga Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, FRESSH, së bashku me Ilir Metën. Pas protestës së dhunshme të opozitës më 14 shtator të 1998, dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, Fatos Nano, në atë kohë Kryeministër jep dorëheqjen. Vendin e tij në krye të ekzekutivit e zuri Pandeli Majko, që ishte vetëm 30 vjeç dhe u bë Kryeministri më i ri në historinë e Shqipërisë.

Në varësi të tij kishte Ilir Metën si zv.Kryeministër dhe ministër të Koordinimit Qeveritar dhe Edi Ramën, si ministër të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Thuajse një vit më vonë, Fatos Nano nis lëvizjen për t’u rikthyer në krye të Qeverisë dhe në tetor të 1999 zhvillohet Kongresi i Partisë Socialiste. Majko sfidon kryetarin historik të socialistëve në garën për kreun e Partisë. Në krah kishte si Ilir Metën, ashtu edhe Edi Ramën, që të paktën publikisht e mbështetën.

Megjithatë, në fund Fatos Nano fitoi me 297 vota kundrejt 261 votave të Pandeli Majkos, duke ngjallur dyshime në lidhje me sinqeritetin e mbështetjes së Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë garë. Pas humbjes së kësaj gare dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit.

“Mendoj se në këtë krizë me përmasa të shumëfishuara që ditë mbas dite përfshiu politikën shqiptare, problemi nuk kanë qënë emrat e “vjetër” në qeverisjen e vendit, por mentaliteti ende i vjetër, konfiktual e përjashtues që vazhdon të jetë konstante e pandryshuar e politikës shqiptare”, deklaronte Majko në atë kohë.

Ilir Meta dhe Pandeli Majko

Ditën që Majko zyrtarizoi dorëheqjen, Partia Socialiste propozoi Ilir Metën për postin e Kryeministrit. Lëvizja u interpretua si një shpërblim që Fatos Nano i bënte Metës për mbështetjen që i dha në Kongres përballë Pandeli Majkos. Pjesë e kabinetit Meta ishte edhe Edi Rama, që në 2000 do të largohej për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës përballë Albert Brojkës së PD.

Qetësia brenda socialistëve zgjati pak. Përplasja e nisur që në 2001 mes Metës dhe Nanos kulmoi në vitin 2002. Meta paraqiti dorëheqjen, duke e argumentuar atë me “refuzimin për të emëruar ministra sipas diktatit të kryetarit të partisë”.

Si zgjidhje u thërrit sërish Pandeli Majko. Mori sërish detyrën e Kryeministrit në shkurt të 2002. Koha që do të qëndronte ishte e shkurtër, por e mjaftueshme për të regjistruar një tjetër përplasje me Edi Ramën. Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i dorëzoi Pandeli Majkos në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit planin për prishjen e Teatrit Kombëtar. Majko e refuzon këtë plan. Pak më vonë, përpjekjet e Fatos Nanos për t’u rikthyer në postin e shefit të Qeverisë u përshkallëzuan, nisur nga fakti që kishte dështuar që të arrinte në postin e Presidentit të vendit.

Në korrik, me nismën e Nanos, Partia Socialiste ndryshoi statutin dhe në të njësohej posti i kryetarit të partisë me atë të Kryeministrit. Pra, duke mos qenë kryetar partie, Pandeli Majko nuk gëzonte mbështetjen statutore për të ruajtur postin e Kryeministrit. Largohet edhe një herë tjetër.

“Ky është një vendim që shpresoj se lejon hapësira për të shmangur dhe zgjidhur me mjete politike, përplasjen në PS, forumet vendimarrëse të së cilës nuk rikonfirmuan mbështejen për kabinetin që drejtova. Ky vendim imi politik është respektimi i plotë i kësaj vendimarrje partiake”, deklaronte në dorëheqjen e dytë.

Në qeverinë e re të Fatos Nanos, Ilir Meta ishte zv.Kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa Pandeli Majko ministër i Mbrojtjes, ndërkohë që Edi Rama ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.

Qetësia do të ishte sërish e përkohshme dhe pak më vonë, përplasja mes Ilir Metës dhe Fatos Nanos do të shndërrohej përfundimtare. Meta largohet nga PS dhe formon Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në zgjedhjet e 2005, e majta e përçarë humbet përballë koalicion të djathtë të udhëhequr nga Partia Demokratike.

Fatos Nano jep dorëheqjen dhe në garën për kryetar të Partisë Socialiste hyn Edi Rama. Vinte si një figurë e njohur për punën e bërë në transformimin e Tiranës dhe u votëbesua nga anëtarësia socialiste për ta drejtuar atë.

Zgjedhjet vendore të 2007 i gjetën të bashkuar socialistët dhe në ato të përgjithshmet të 2009 u shfaqën po ashtu të qetë dhe pa trazira brenda tyre. Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën 70 mandate, ndërsa PS 66. Katër mandate mori Lëvizja Socialiste për Integrim. Sali Berisha ftoi pak ditë më vonë Ilir Metën në koalicion bashkëqeverisës. Ftesa mori përgjigjen pozitive dhe la socialistët edhe katër vite të tjera në opozitë.

Brenda PS nisi një lëvizje me protagonistë Ben Blushin, Kastriot Islamin dhe Arben Malajn. Quhej Lëvizja për Mendimin Ndryshe dhe kundërshtonte bojkotin e Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste, që kërkonte hapjen e kutive dhe rinumërim të votave. Majko luajti një rol asnjanës në këtë përplasje dhe nuk u përfshi drejtpërdrejtë me asnjërën palë. U përpoq të bënte atë që emri i tij ka bërë gjithmonë kur kanë qenë në krizë socialistët: zgjidhjen.

Edi Rama dhe Pandeli Majko

Në 2013 PS vjen në pushtet në koalicion me LSI-në. Majko nuk ja doli mbanë që të ishte pjesë e ekzekutivit, por vazhdoi të ishte pjesë e Parlamentit. Në zgjedhjet e 2017, Partia Socialiste fitoi e vetme zgjedhjet dhe Pandeli Majkos iu dha posti i ministrit të Shtetit për Diasporën.

Edhe pse në dukje një ministri pa shumë peshë, edhe këtu mes Majkos dhe Ramës ka patur pëkënaqësi. Në prill të këtij viti, deputetët votuan ligjin për diasporën, por vetë autori i këtij ligji nuk mori pjesë fare në votim. Pandeli Majko u largua nga salla e Kuvendit para votimit final të draftit.

Vendimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën ishte shenjë pakënaqësie ndaj të tijëve për rrëzimin e një amendamenti. Përpjekjet e Pandeli Majkos për një ndryshim të një neni të këtij ligji u kundërshtuan nga kolegët e tij socialistë. Bëhej fjalë për një amendim të nenit 18, që hasi në kundërshtimin e Mimi Kodhelit dhe Taulant Ballës. Sipas kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla amendimi ishte jashtë afateve kohore.

Vetë Kryeministri Edi Rama abstenoi, ndërsa pas rrëzimit me karton, Majko u ngrit vrullshëm duke shtyrë karrigen e duke braktisur sallën e Parlamentit para përfundimit të votimit.

Ky ishte një prej sinjaleve që marrëdhënia Rama-Majko është në një tjetër pikë të ulët të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë