Politike

A po lind një lëvizje kundër Ramës në PS?

Qyshkur ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste Edi Rama është sfiduar pak ose aspak në pozicionin e tij. Ai ia ka dalë mbanë që të ruajë mbështetjen e bazës dhe të figurave kryesore drejtuese të socialistëve sa herë që ka pasur zëra kundër mënyrës së drejtimit të partisë.

Sfidën më të madhe brenda radhëve të partisë, Edi Rama do ta përjetonte pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009. Në atë kohë u aktivizua e ashtuquajtura LMN, ose Lëvizja për Mendim Ndryshe.

Aktorët kryesorë të kësaj lëvizjeje ishin Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Kastriot Islami. Në shtator të 2009 ata dolën hapur kundër linjës së ashpër opozitare të ndjekur nga Edi Rama, i cili me kërkesën drejtuar Berishes, “Hap kutitë, ose largohu” nisi një grevë urie para Kryeministrisë.

Lëvizja përjashtoi mundësinë e shkëputjes nga Partia Socialiste dhe krijimit të një fraksioni të ri politik, por shpejt u përça. Një pjesë e figurave u larguan me hir dhe me pahir nga partia, ndërsa të tjerët “u pajtuan” përkohësisht me Edi Ramën dhe u përfshinë në listën e deputetëve për zgjedhjet e 2013.

Sot, të paktën nga sinjalet e dhëna brenda një dite nga dy prej figurave ndër më historiket në radhët e socialistëve, Edi Rama rrezikon të përballet me një tjetër rrymë, në mos identike, të paktën të ngjashme.

Pandeli Majko shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Kryeministrit Rama në një intervistë dhënë në studiot e Zërit të Amerikës, pikërisht pak ditë pasi shefi i tij në qeveri dhe parti e kishte cilësuar këtë televizion si “zëdhënës të kazanit të Tiranës”.

Raporti i ndërlikuar 20-vjeçar Rama-Majko

“Edi Rama, përveçse është Kryeministër, për aq sa e njoh unë, ka qenë edhe një nga penat e gazetarisë shqiptare. Kështu që shpesh ai e ka pak delikate të ndajë pozicionin e tij si Kryeministër dhe pozicionin e tij si një njeri që është rritur midis gazetarëve më shumë sesa midis politikanëve dhe ky është fakt”, deklaroi ministri i Diasporës si përgjigje ndaj pyetjes së Zërit të Amerikës në lidhje me akuzat e Kryeministrit shqiptar ndaj kësaj mediaje.

Akuzat mbërrinin pas publikimit të dy investigimeve nga ana e Zërit të Amerikës. I pari tregonte sesi në administratën e burgjeve punësoheshin njerëz të lidhur me partinë dhe i dyti mbi përgjimet e prokurorisë, ku dëshmohej roli i krimit të organizuar në zgjedhjet e fundit në vend.

Majko nuk u ndal me kaq.

“90 përqind e atyre që ai kritikon shumë ashpër, realisht kanë qënë shokë të tij, shokë bile shumë të afërt, një pjesë e tyre e kanë ndihmuar në shkallë të ndryshme të karrierës, siç e thonë tani së fundmi. Ne duhet ta bëjmë këtë diferencë. Për sa i përket mënyrës se si u shpreh ai për Zërin e Amerikës, unë kam rezervat e mia. Rezervat fillojnë që nga mënyra se si unë e kam marrëdhënien me Zërin e Amerikës”, shtoi ai.

Pandeli Majko përdor një gjuhë diplomatike, por më e drejtpërdrejtë u tregua Arta Dade. Në një intervistë për Report TV ajo thotë se aktualisht nuk po qeveris Partia Socialiste, por Edi Rama me njerëz pranë tij. Ajo akuzon Kryeministrin se jo vetëm nuk e ka luftuar pandëshkueshmërinë, por e ka thelluar, njësoj si në qeverisjen e Berishës.

Dade kërkon as më pak dhe as më shumë, largimin e Ramës, por zgjedh një rrugë tjetër nga ajo që kërkon opozita. “Rama të largohet dhe PS të formojë qeveri të re, pa shkuar në zgjedhje të parakohshme”, propozon Dade.

Kryetari i PS Edi Rama dhe Arta Dade gjate nje Kongresi te Forumit te Gruas te Partise Socialiste

Arta Dade i ka dalë kundër Ramës që kur ishte deputete dhe mbante postin e kryetares së Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament. Por, në atë kohë ishte thuajse i vetmi zë kundër Kryeministrit në radhët e socialistëve. Sot, zërat janë shtuar dhe këtu kanë kontribuuar edhe lëvizjet në kabinetin qeveritar. Zyrtarisht Fatmir Xhafaj u dorëhoq nga posti i ministrit të Brendshëm, por jo pa përplasje me Kryeministrin Rama.

Xhafaj nuk ka folur kurrë në publik, as për përplasjen dhe as kundër Edi Ramës. Por, një sinjal ai zgjodhi t’ja dërgojë përmes imazheve. Pak ditë pas largimit nga Ministria e Brendshme, ai u shfaq në krah të Erion Veliajt. Dalja publike përkrah kryebashkiakut rastisi në ditët kur zërat mediatikë për një “luftë të ftohtë” Rama-Veliaj ishin përshkallëzuar. Si Rama, ashtu edhe Veliaj mohuan se mes tyre ka një luftë të tillë, por gjithsesi “ku ka zë, s’është pa gjë”.

Po përmes imazheve duket se ka përçuar një mesazh edhe Arben Ahmetaj. Ish-ministri i Financave është fotografuar në një kafene në shoqërinë e Ervin Salianjit. Se çfarë i ka lidhur bashkë, përsa kohë nuk ka asnjë koment prej tyre, mund të hamendësohet plot.

Në listën e të pakënaqurve futet edhe Ditmir Bushati. Ai sinjalin e parë e dha me gjuhë diplomatike në ditën kur pasohej nga Gent Cakaj me kompetenca të deleguara nga Edi Rama. “S’ka garanci se ajo që kemi para është më e mirë se ajo që lamë pas”, deklaronte ai.

As Damian Gjiknuri s’mund të përfshihet në listën e të kënaqurve megjithëse u shkarkua nga posti i ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës me lavdet më të mëdha prej Ramës. Megjithatë, deri më tani ai ka heshtur dhe ka shmangur daljet publike.

Këto janë vetëm sinjalet e para kundër Ramës brenda PS-së, të nxitura sidomos nga ndryshimet e fundit në Qeveri. Mbetet për t’u parë nëse këto zëra do të arrijnë që të shndërrohen në një lëvizje të mirëfilltë brenda PS-së kundër kryetarit, që e mban këtë post prej 2005, apo do të shuhen njësoj si herët e tjera. Për të shuar LMN-në, Edi Ramën e ndihmoi edhe fakti që ndodhej në opozitë, por sot ai është në pushtet dhe koha ka provuar në të shkuarën se kur janë të vetëm në pushtet, socialistët armikun më të madh kanë “përçarjen”.

Gjithsesi, me kaq sinjale kërcënimi që i kanoset karriges së tij si kryetar partie e rrjedhimisht edhe karriges si Kryeministër mbetet minimal, përsa kohë ka në krah emrat që mbajnë postet kyçe në parti, Qeveri e Parlament.

Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Erion Braçe mbeten emrat më me peshë në këtë pjesë. I pari si kryetar Kuvendi nuk bën pjesë tek deputetët dhe anëtarët socialistë të zellshëm pro Ramës, por deri më tani nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim autoritetin e kryetarit në drejtimin, të paktën publikisht në drejtimin e seancave. Për më tepër, Ruçi e ka treguar besnikërinë kur pasoi Ben Blushin si kryetar i Grupit Parlamentar, duke e mbledhur grupin e socialistëve, të përçarë nga rrjedhja e 6 votave që shkuan për Bamir Topin President në 2007.

Me marrjen e postit të zv.Kryeministrit Erjon Braçe është praktikisht krahu i djathtë i Ramës në ekzekutiv. Por, edhe nëse nuk do të ishte kështu, historiku në krye të Komisionit të Ekonomisë ka treguar se ai nuk përplaset me Kryeministrin, por me ministrat e tij, si në rastin e Arben Ahmetajt.

Kryeministri, Edi Rama, zv/kryeministri, Erion Braçe, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjatë një seance parlamentare, ku ka pasur përplasje të forta ndërmjet mazhorancës dhe opozitës

Sa për Taulant Ballën, kreu i Grupit Parlamentar mbetet njeriu më besnik i Kryeministrit Rama. Që prej 2005, kur Rama mori në kontroll Partinë Socialiste ai i ka qëndruar në krah dhe mbështetës i çdo aksioni politik, qoftë në opozitë, qoftë në pushtet, duke u përballur gjithmonë si me opozitën politike, ashtu edhe me atë brenda partisë, si në rastin e LMN-së.

E përbashkëta e Braçes dhe Ruçit është se që të dy ata janë në PS prej ditëve të para të Fatos Nanos, por nuk arritën që të mbrojnë atë nga përplasja me Ilir Metën dhe as nga largimi prej kryetarit të partisë në 2005.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë