Kinema

Lulzim Zeqja në dramën e një burri  pa fëmijë

Me mbylljen e sezonit artistik në Teatrin Kombëtar , do të stacionohej në bregdetin e Sarandës. Arsyeja –me gjithë detin tundues dhe temperaturat e larta – nuk ishin pushimet, por xhirimet e një filmi të ri, ku aktori Lulzim Zeqja vjen në një rol protagonist.

“Më pëlqeu skenari, pasi trajton një temë sociale.” –rrëfen  aktori, i cili sapo është kthyer nga xhirimet e filmit, duke zbuluar diçka më shumë rreth subjektit, i cili sillet rreth marrëdhënies së një çifti dhe pamundësisë së tyre për të ngjizur fëmijë. Narrativa filmike e  regjisorit  Luan Kryeziu, i cili ka shkruar edhe skenarin, sjell kalvarin e përpjekjeve deri në pranimin e këtij realiteti dhe vendimit për të birësuar.

Najada Elmazi dhe Lulzim Zeqja në filmin "Unë, si ti". 

 “Filmi  ka surpriza dhe mendoj se e trajton në mënyrë të vërtetë marrëdhënien që kanë sot çiftet e rinj” –thotë  Zeqja, ndërsa shton se është hera e parë që bashkëpunon me regjisorin Luan Kryeziu, i njohur për filma si “Heroi” vlerësuar me çmime në festivale ndërkombëtare, por edhe për prodhime amerikane si “Squatters” apo “Clash of the  Vampires”, duke u bërë kështu i pari  regjisor nga Kosova që realizon një film amerikan.

“Gjeta tek ai një profesionist shumë  serioz dhe kërkues në  sheshxhirim, novator  e që kërkon t’i qaset filmit të kohës. Kam qenë i nderuar dhe shumë i kënaqur nga procesi”, rrëfen aktori.

Në filmin “Unë, si ti” të  regjisorit nga Kosova, i cili për këtë projekt ka bashkëpunuar me regjisoren Najada Elmazi, e cila edhe interpreton në film, aktori Lulzim Zeqja vjen në rolin e Jetmirit, ndërsa kastës i janë bashkuar aktorë si Mariana Kondi, Eva Murati, Daljana Sejdia, Teuta Krasniqi, etj.

Ky film vjen si prodhim i “Iliria Film” me qendër në Kosovë dhe është i  gjinisë omnibus- ku vijnë të zhvilluara paralelisht tri linja veprimi.  Përveç Sarandës ngjarjet janë vendosur edhe Tiranë.

Për sa u  përket projekteve skenike, Zeqja zbulon se do të jetë i angazhuar në disa vepra sezonin e ri artistik, por shton se “mbetet për t’u qartësuar në shtator”, muaj kur edhe nis zyrtarisht sezoni i ri artistik i Teatrit Kombëtar. “Kam kërkesa nga tre regjisorë”, vijon aktori.

Ky sezon i ri artistik nuk do i gjejë më aktorët në godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, por për të gjitha shfaqjet do të shërbejnë sallat e “ArtTurbinës”. Për herë të fundit në skenën e godinës së vjetër do të ngjitej në petkat e  Henry Carvil, shokut të fëmijërisë së shkencëtarit të çmendur Victor Frankenshtajn, në dramën “Frankenshtajn” , me regji të Ilir Bokshit.

Lulzim Zeqja dhe Helidon Fino në dramën "Frankenshtajn". 

“Sa i përket historisë së teatrit, unë jam shprehur qartë se do të më pëlqente një teatër i ri.”, thekson Zeqja, ndërsa e sheh debatin mbi shembjen e godinës aktuale ende të paqartë. “Megjithatë ka pasur anën e mirë të tij edhe ky debat. Ka sjellë një vëmendje të shtuar për artistët, për kërkesat e tyre, kushtet ku punojnë dhe pagesat e vogla, shpesh të pamjaftueshme për të realizuar projektet e tyre.”, është i mendimit aktori, i cili gjatë karrierës së tij është përfshirë në teatër, kinematografi dhe në komedi televizive.

Ka pasur dhjetë role kinematografikë në filma që kanë pasur sukses brenda e jashtë vendit si “Lindje- Perëndim – Lindje”  me regji të Gjergj Xhuvanit apo “Nata pa hënë”  e Artan Minarollit. Ky vit e ka parë të angazhuar edhe në një tjetër projekt filmik më herët, “Ndërkombëtarët” me regji të Pluton Vasit dhe skenar të Ylljet Aliçkës.

Shton se pret të përfshihet në të tjerë projekte kinematografikë, “por nuk është e lehtë t’i thuash tani, sepse gjithçka varet nga buxhetet e kjo e bën të vështirë ta thuash që tani se në cilat filma do të luaj, në të ardhmen e afërt.”, përfundon aktori. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë