Kinema

Luke Perry, që ua rrëmbeu zemrat edhe adoleshenteve shqiptare

Ishte fundi i viteve ’90,  sapo kisha hyrë në adoleshencë, ku nisa të shihja serialin “Beverly Hills, 90210”, nga një prej stacioneve televizive italiane, që na kishte hapur më në portat – qoftë edhe virtuale – drejt Perëndimit. Tema kryesore në orën e pushimit, mes gocave, ishte seria e një pasditeje më parë, ku diskutoheshin dinamikat e ngjarjeve dhe dilemave sentimentale e Brenda-s, Brendon-it, Donna-s, Kelly-it dhe atij, që na kishte rrëmbyer të gjithave zemrat; i pashmi me një joshje prej djali rebel, Dylan-it. Jo vetëm që bëheshim xheloze për të dashurat e tij dhe ecejaket nga Kelly te Brenda, por bëheshim xheloze edhe për njëra-tjetrën, kur zbulonim se ishim shumë, ne  që e dashuronim në mënyrë platonike Dylan-in.

Luke Perry në rolin e Dylan

Sado i mirë, altruist, i pashëm me sy të kaltër magnetik të ishte Brendon, ishte sjellja epandreqshme e Dylan McKay, një farë James Dean modern, që na kishte bërë për vete...Ndërsa djemtë rretheqark në shkollë as i afroheshin s hëmbëllimit më të largët të amerikanit që na kishte marrë zemrat, por që ne e ndienim fare të afërt përmes emocioneve që përcillte e jo si të ishte aq larg, përtej oqeanit.

Nëse do të kishim qenë edhe njëherë në oborrin e shkollës, si dikur, do të diskutonim të pikëlluara për vdekjen e të dashurit platonik, të atyre viteve të pafajshme e ëndërrimtare të adoleshencës.Aktori Luke Perry, i cili e vulosi famën  e tij në kinematografi përmes serialit televiziv “Beverly Hills, 90210”, u nda nga jeta më 4 mars, në moshën 52 -vjeçare, pas një hemorragjie cerebrale, siç bëri të ditur publicisti i tij.

“Aktori Luke Perry, 52 vjeç, u nda nga jeta pas një hemorragjie cerebrale” ,thuhej në deklaratën për shtyp. “Ai ishte i rrethuar nga fëmijët e tij, Jack dhe Sophie, e fejuara Wendy Madison Bauer, ish- bashkëshortja  Minnie Sharp, e ëma  Ann Bennett, njerku  Steve Bennett, i vëllai  Tom Perry, e motra  Amy Coder, dhe miqtë e të afërmit.”

Ylli i serialeve televizive u dërgua në  një spital në Kaliforni, të mërkurën e javës së shkuar, pasi pësoi një hemorragjie cerebrale, në shtëpinë e tij, në Sherman Oaks,  në periferi të Los Anxhelosit. Në këto ditë zije, familja ka kërkuar të respektohet privatësia. Kolegët aktorë, përfshi edhe ata që kishin interpretuar me të në serialin “Beverly Hills, 90210”, ku nisi edhe karriera e tij në vitet ’90 si rrëmbyesi i zemrave të adoleshenteve, reaguan në mediet sociale, duke postuar mesazhe dashurie dhe shprese se  Perry do ta rimerrte veten.

Pasditen e së hënës, urimet nga bota e spektaklit për konvaleshencën e Perry-it u kthye në postime tronditjeje dhe ngushëllimi. Ylli i Beverly Hills, 90210 Ian Ziering, i njohur nga fansat si Steve, do të shkruante në twitter: “I dashuri Luke, gjithmonë do të mbështetem tek kujtimet e dashura që kemi ndarë në tridhjetë vitet e fundit. U pasuroftë udhëtimi yt për të nga shpirtrat madhështorë që kanë iku përpara teje, ashtu siç po bën ti, për ata që po lë pas”.

Brenda dhe Dylan

Aktorja Shannen Doherty, e njohur në serial si Brenda Walsh dhe e dashura e Dylan-it, do të thoshte “Jam në shok. Zemërthyer. E shkatërruar nga humbja e mikut tim. Kam shumë kujtime me Luke-un që më bëjnë të buzëqesh e që janë të vulosura përgjithnjë në zemrën dhe mendjen time”, do të thoshte aktorja ,e cila vetë është në një betejë të gjatë me kancerin. “Luke ishte inteligjent, i qetë, i përulur dhe një njeri kompleks me zemër të artë dhe një burim  i pafund integriteti dhe dashurie. Ai më vizitoi gjatë rrugëtimit tim me kancerit dhe u rikthyem një kohët e vjetra, megjithëse me të vjetër e më të pjekur, por ajo lidhje kishte mbetur e pacenuar”, ka thënë aktorja, ndërsa ka shtuar në lot, “Ai është Luke dhe është Dylan-i im.”

Kelly dhe Dylan

Edhe aktorja Jennie Garth, e njohur si Kelly Taylor në serial, do të shprehej “Zemra ime është  thyer. Ai ishte i rëndësishëm për shumë njerëz. Një njeri i veçantë. Ndaj trishtim të thellë me familje ne tij dhe të gjithë ata që e deshën. Një humbje e tmerrshme”Në rrjetet sociale ka reaguar edhe aktori Leonardo Di Caprio. “Luke Perry ishte një artist me zemër të madhe dhe shumë i talentuar. Ka qenë nder që kam punuar me të. Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë me të dhe të dashurit e tij.”

Perry u lind më 11 tetor të vitit 1966, në Mansfield, Ohio, me emrin Coy Luther Perry III. Nga viti 1993 deri më 2003-shin ai ka qenë i martuar me aktore Rachell Minnie Sharp dhe kanë dy fëmijë së bashku. Perry interpreton në filmin, që pritet të dalë në kinema “Once Upon a Time in Hollywood”, me regji të Quentin Tarantino-s. Aktorja Sarah Michelle Gellar, e prekur nga kjo humbje e parakohshme do të thoshte se vitet e saj të gjimnazit u formësuan nga Brenda dhe Dylan. “Tani më duhet të shtrëngoj dorën e shoqes sime të ngushtë, ndërsa vajton humbjen e Luke Perry”, thotë ajo ndërsa i është referuar aktores Shannon Doherty.

https://www.youtube.com/watch?v=d3LL2Duy_bE

“Shpresoj që familja e tij ta dijë sesa jetë ka prekur ai”, ka thënë Gellar, ndërsa ka cituar një shprehje të Dylan-it. “Të zgjedh ty, të zgjedh ty. Të dua ty. Gjithnjë të kam dashur ty”.  E ndërsa kujtoj këtë postim të ndjerë të aktores amerikane, ndërmend shoqen time të ngushtë, me të cilën ndanim shpesh bisedat për  Beverly Hills dhe dashurinë e përbashkët, Dylan-in dhe sesi magjia e ekranit, e kthen një njeri në një simbol që gdhend një epokë, po aq sa edhe tiparet që adoleshentet kërkonin tek një mashkull, me Dylan-in në mendje. U prehsh në paqe!

*Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë