Rend dhe Ligj

Lufta mes bandave, Shkodra peng i vrasjeve mafioze

Shkodra u trondit përsëri nga vrasja e dy vëllezërve, Ibrahim (Baç) dhe Astrit Bilali. Krimi i ndodhur në një zonë periferike, i njohur si ish-Zooteknika, apo lagja e Kirasit shënon vrasjen e 11-të në qytetin më të madh verior brenda një viti, që sipas të gjitha gjasave vijnë nga përplasjet më të forta mes grupeve apo bandave rivale.

Ndaj tyre mësohet se janë zbrazur më shumë se 10 plumba, ndërsa grupi i ekspertizës në vendin e ngjarjes pritet të saktësojë se me çfarë arme janë qëlluar dy vëllezërit.
Autorët kanë studiuar shumë mirë lëvizjet, dhe kanë pritur që dy vëllezërit të dalin nga banesa. Aty i kanë qëlluar me armë duke i lënë të vdekur në vend.

Pas vrasjes së dy vëllezërve, në afërsi të vendngjarjes është gjetur një makinë, të cilës i është vënë flaka. Një skenar tipik mafioz, që ka ndodhur edhe në vrasjet e mëparshme në qytetin e Shkodrës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë këtë të shtunë në Shkodër. Më herët në qytetin e tronditur nga vrasja e dy vëllezërve Bilali, ka mbërritur edhe drejtori i përgjithshem i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ai i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Ministri Lleshaj së pari është ndalur në drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Deri tani, përvec gjetjes së mjetit të djegur me të cilin dyshohet se u larguan autorët e krimit, nuk ka të dhëna rreth të dyshuarve të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Foto nga vendi i ngjarjes ku u ekzekutuan vëllezërit Bilali

Ndaj dy vëllezërve nuk kishte ndonjë ndjekje penale. Brahim Balili njihej në Shkodër si pjesëtar i lëvizjes demokratike rrreth tre dekada më parë. Ai ishte kryetar i Shoqatës "2 prilli 1991" në Shkodër. Si Astriti dhe Brahimi kishin pasion kuajt dhe merreshin me sportin e hipizmit.
Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, boksieri që ishte në atentatin që iu biznesmenit Arjan Ferracaku më 1 shtator 2018.

Vëllezërit Astrti dhe Brahim Bilali që u ekzekutuan sot

Ai është ish-kampion boksi, emër i njohur i sportit në Shkodër. Në vitin 2012 ai ishte boksieri i vetëm nga katër shqiptarët që arriti të kualifikohej në turneun kualifikues të Lojërave Olimpike “Londër 2012”.

Ish- boksieri Bilali u arrestua si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër. Ndërkohë që në këtë konflikt përmendet dhe familja Licaj. Fisi Licaj, të njohur në Shkodër jetojnë po në zonën e lagjes Guerrile, të njohur ndryshe si Kiras.


Astmer Bilali, ish-boksieri

Shkodra prej kohësh po vuan dhe është nën ndikimin e pushtetit të grupeve rivale, që tashmë në qytet njihen me termin “familje mafioze”, edhe pse nuk operojnë në mënyrë klasike të tilla, por që ndër vite kanë pasur edhe mbështetjen e partive politike.

Zanafilla e këtyre vrasjeve nis me Mehdi Kavajën në 18 qershor të vitit të kaluar. Ngjarja që do të trondiste Shkodrën do të ishte vrasja e ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvi Ndoci.

Pikërisht ky atentat mafioz, i kryer në orët e vona, ku dy viktimat gjendeshin brenda në makinë, mendohet edhe sipas policisë se ka lidhje me vrasjet e tjera të ndodhura në Shkodër, edhe pse hetimet nuk kanë një konkluzion përfundimtar.

Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, të vrarë vitin e kaluar


Një muaj më vonë pas kësaj ngjarjeje vritet Fatbardh Lici; ai sapo kishte dalë nga shtëpia e tij në mëngjesin e 10 gushtit për t’u ulur pranë një lokali te zona e njohur si ish-Poçeria. Ai qëllohet me automatik “Skorpion”, autorët djegin makinën jo shumë larg ngjarjes së ndodhur.
Lici është kunati i Lulzim Kullës, i njohur si njeri me precedentë penalë. Të “fortit” të Shkodrës iu vendos një moto-bombë më 13 janar 2018 në zonën e lagjes “Partizani”. Shpërthimi i sasisë prej 400 gramësh tritoli ndodhi pikërisht në momentin kur Kulla po hipte në makinën e tij. Ai dërgua për mjekim në spital në Tiranë, ndërsa muaj më vonë do të arrestohej nga policia në pikën kufitare të Kakavijës gjatë tentativës për të ikur nga Shqipëria.

Vendi ku u vra Fatbardh Lici (lart në foto)


Por vrasjet nuk do të ndaleshin, më 1 shtator të vitit të kaluar qëllohet për vdekje biznesmeni Arjan Ferracaku, 31 vjeç. I njohur si pronar lokalesh dhe hotelesh në zonën e Velipojës, Ferracaku, u vra në një atentat mafioz teksa ishte duke kalëruar në një rezort hipizmi në Shkodër, në pronësi të Astrit Bilalit, 59-vjeçarit që u ekzekutua sot bashkë me të vëllanë e tij, Brahimin, 61 vjeç. Policia dyshonte se objektivi i ekzekutorëve ishte Astmer Bilali.

Arjan Ferracaku, biznesmeni i vrarë


Pas kësaj ngjarjeje, policia ndalon nipat e Fatbardh Licit. Por këto ndalime do të sillnin reagimin e Mustafa Licit, të vëllait të Fatbardh Licit, i cili do të deklaronte se sa herë ndodhin vrasje në Shkodër, policia i mësyn dhe i arreston familjarët e tyre. Mustafa Lici është anëtar i Këshillit Bashkiak, kryetar i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal.
Ai hodhi poshtë që të kishte një konflikt mes grupesh dhe veçanërisht me fisin Bajraj, duke akuzuar shtetin se po bashkëpunon me bandat kriminale.

Mustafa Lici


Pas këtyre ngjarjeve do të vinte edhe reagimi i opozitës, e cila akuzonte lidhjet qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për lidhjet me bandat e krimit në Shkodër, e veçanërisht me Bajrajt. Opozita do të shigjetonte lidhjet e ish-ministrit të Jashtëm, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati me bandat e Bajrave. PD deklaronte se Bajraj janë grupi i fuqishëm që përdorej për zgjedhje dhe blerje votash dhe në këmbim gëzonin mbrojtje, duke qenë të paprekshëm.

Enver Bajri


Më 22 shtator, policia do të arrestonte 11 pjesëtarët e bandës së “Bajrave”, gjatë Operacionit “OAZ”. I organizuar në kuadër të nismës “Forca e Ligjit” ndaloi dy prej të cilëve në Roterdam të Holandës, ndërsa të tjerët në Tiranë dhe Shkodër. Në pranga përfunduan Behar dhe Safet Bajri, një prej personave të shumëkërkuar nga policia belge dhe holandeze. Në mes të të ndaluarve ishte edhe Astmer Bilali. Gjithashtu në kërkim u shpall Enver Bajri, i cilësuar si koka e këtij grupi mafioz që operon dhe në shtetin e Belgjikës. Enver Bajri do të arrestohej më 27 tetor të vitit të shkuar në Spanjë, në San Huan, Alicante.

Safet Bajri


Këto vrasje dhe luftë mes bandash lidhen më tepër me dominimin e territoreve apo dhe trafiqet e paligjshme kryesisht të lëndëve narkotike. Shkodra si një vend kufitar me Malin e Zi njihet edhe si pikë tranziti i kalimit të lëndës narkotike, jo vetëm të kanabis sativas.
Raportet e policisë tregojnë se gjobëvëniet janë edhe një formë e operimit të bandave të ndryshme në Shkodër. Tashmë përflitet se qyteti është ndarë në disa zona, ku bizneset detyrohen të paguajnë për ushtrimin e aktivitetit apo ruajtjen e dyqaneve. Dominimi apo kontrollimi i terrorit, mendohet se mund të jetë pjesë e këtij konflikti.


Dy vite më parë policia do të ndërmerrte operacionin “Illegal bill” më 4 mars të vitit 2017, ku do të arrestoheshin 7 anëtarët i një grupi gjobëvënësve që operonte në zonën tregtare pranë stadiumit “Loro Boriçi”. Koka e këtij grupi për Policinë do të ishte Muhamet Lici, i biri i Mustafa Licit.
Këto vrasje zinxhir që tronditën Shkodrën duket se nuk do të kenë fund, pasi tashmë përplasjet kanë përfunduar në zbatimin e "ligjit" të Gjakmarrjes.

Vrasjet e bujshme në Shkodër
18 qershor 2018 - Vritet me armë zjarri Mehdi Kavaja, pronari i servisit të makinave
15 korrik 2018 - Ekzekutohet me armë zjarri në makinë Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci
10 Gusht 2018 - Fatbardh Lici mbeti i vrarë si pasojë e 6 plumbave
Në 23 gusht 2018 - Zhduken Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa
Në 27 gusht 2018 - U vra Prendush Fusha
1 shtator 2018 - Vritet Arjan Ferracaku 31 vjeç
14 nëntor 2018 - Vritet Fatos Ferracaku 40 vjeç kushëri i biznesmenit Arjan Ferracaku
20 mars 2019 - Vritet Ferdinand Polia
30 mars 2019 - Vriten me breshëri automatiku Ibrahim dhe Astrit Bilali


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë