Lajme

Prifti katolik apel vrasësve: Zoti s’ju fal

Situata tejet e rëndë në qytetin verior të Shkodrës, e “mbytur” nga vrasjet e shumta, u prek edhe në meshën e mbajtur në dy vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Prifti katolik, dom Artur Jaku, ka bërë apel për t’u dhënë fund vrasjeve që kanë tronditur kryeqendrën e Veriut.

“Sot nuk e kam një apel për qeverinë, sepse ajo do të gjykohet ditën e zgjedhjeve, por e kam për ata që vrasin, marrin një jetë. Ju mund t’i shpëtoni policisë, drejtësisë, mund të jeni të lirë pas një krimi, por mos harroni se ka një Zot që nuk fal marrjen e një jete. Dhuna, terrori, vrasjet në Shkodrën tonë e vendin tonë duhet të ndalen ”, deklaron ndër të tjera dom Artur Jaku.

Ai e vijoi fjalën e tij, duke nxjerrë në pah punën e palodhur të Nënë Terezës si dhe duke theksuar se Nënë Tereza nuk do ta donte këtë skenë vrasjesh dhe terroresh.

FNSH dhe Forcat Shqiponja “blindojnë” Shkodrën

Këtë të mërkurë policia ka  blinduar qytetin e Shkodrës.

Forcat Shqiponja dhe Forcat Operacionale të Tiranës u janë bashkuar Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës që patrullojnë në zonë prej një jave.

Përforcimi i trupave është bërë me urdhër të Ministrisë së Brendshme. Po ashtu, FNSH ka ushtruar kontrolle gjatë natës në disa zona të Shkodrës, konkretisht në Livadhe, Dobraç dhe disa zona të qytetit.

Mësohet se efektivë me snajperë dhe makina të blinduara ndodhen në këto dy lagje për të bërë kontrolle pas vrasjeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në Shkodër.

Vrasjet në Shkodër

Në dy muaj në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje, ndërkohë që dy persona janë shpallur të zhdukur prej më se dy javësh. Ende asnjëra nga vrasjet nuk është zbardhur nga policia.

Në datë 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i servisit të makinave, 60-vjeçari u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij.  Mehdi Kavaja dyshohet se është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Fillimisht u dyshua se vdekja e tij erdhi për shkak të hemorragjisë nga ndonjë aksident në punë.

Por, pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, u zbulua se viktima kishte plagë arme zjarri në kokë. Po ashtu, mjekët konstatuan se ai kishte në brendësi të kokës ende plumbin. Por ende nuk dihen motivet dhe autorët.

Në 15 korrik u shënua një tjetër ngjarje e rëndë, pasi u ekzekutuan me armë zjarri në makinë çifti Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci. Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja 25-vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri automatike e llojit "M5P", ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 23 gëzhoja.

Në 10 gusht, Shkodra u trondit sërish nga një tjetër vrasje mafioze. I vrarë në një atentat mbeti 53-vjeçari Fatbardh Lici. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër kur u ekzekutua, ndërsa ende nuk janë arrestuar autorët.

Policia dhe prokuroria ngrënë dyshime se në krim janë përfshirë tre persona, autori dhe dy bashkëpunëtorë të tij. I dyshuari i parë është personi që njoftoi autorin se Fatbardh Lici do të ishte në kafene. Ndërsa, i dyshuari i dytë si bashkëpunëtor, është personi që e priti autorin pas krimit, ku edhe dogji makinën tip “Benz”, e cila dyshohet se ishte vjedhur në Tiranë. Ndërkohë që autori mendohet të jetë vrasës me pagesë. Lici dyshohet se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Gjithashtu, Fatbardh Lici është kunati i Lul Kullës, i njohur si i “forti” i Shkodrës.

Ndërkohë, që prej datës 23 gusht janë zhdukur daja me nipin, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa. Familjarët në denoncimin e tyre në polici u shprehën se prej datës 23 gusht nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërsa edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tyre.

Më 27 gusht pas një konflikti u vra Prendush Fusha 55 vjeç. Autori është Alfred Pëllumbi, rreth 30 vjeç, i cili u arrestua 24 orë më pas. Prendush Fusha me autorin kanë qenë fqinj me njëri-tjetrin. Dy shtetasit kishin prej kohësh konflikte pronësie dhe sherri kulmoi pas denoncimit të viktimës në polici për vjedhje.

Më 1 shtator kryeqendra e Veriut u trondit nga një tjetër vrasje me armë zjarri. Viktima është Arjan Ferracaku 31 vjeç. Dyshohet se vrasja ndodhi si pasojë e përplasjes së bandave. Biznesmeni i njohur u gjet i ekzekutuar në Livadhe, në periferi të qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë