Rend dhe Ligj

Jehona belge e Safet Bajrit, kush e mbrojti në Shqipëri?

Nga një kërkim i thjeshtë në Google në faqet e para të mediave kryesore belge del e njëjta foto dhe thuajse të njëjtat tituj në lidhje me Safet Rustemin, njohur ndryshe edhe si Safet Bajri, i arrestuar këto ditë nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Oazi”.

Policia shqiptare thotë se operacioni ishte finalizimi i një hetimi disamujor përmes përgjimeve e deri tek vrojtimet me dron. Edhe deklarata e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për këtë aksion është pasqyruar në një pjesë të mediave belge, të cilat veç kësaj ndalen gjatë edhe tek CV e pasur kriminale e klanit “Bajri” dhe aktiviteti i tyre në Bruksel e Shkodër.

“Gazet van Antwerpen” rrëfen se si Safet Bajri mori nën kontroll me shpejtësi gjysmën e tregut të drogës, prostitucionit dhe gjobëvënies në kryeqytetin belg. “Metodat e tij ishin të dhunshme, që nga vrasjet e dyshuara, tentativat për vrasje, e deri tek kanosja dhe kërcënimet nga më mizoret”, shkruan ajo.

Si pjesë të kërcënimeve kjo gazetë sjell rastin e një pronari lokali në qendër të Brukselit. Ky i fundit, thuhet në artikull kishte refuzuar që ta paguajë gjobën e vendosur nga Bajri deri në momentin që i kishte ardhur kërcënimi që e kishte gjunjëzuar. “Mos na detyro që të të përdhunojmë vajzën 12-vjeçare”, ishte mesazhi që kishte marrë ai, e fill pas të cilit, sipas gazetës, kishte paguar “haraçin”.

“Het Nieuësblad’, në arkivën e saj online ka një “repertor” më të zgjeruar artikujsh për Safet Rustemin dhe “bëmat” e tij në Bruksel, por edhe në Shqipëri. Për Shqipërinë i referohet një ngjarjeje të denoncuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha përmes rrjeteve sociale. Bëhet fjalë për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në ambientet e një lokali në qytetin e Shkodrës dhjetorin e vitit të kaluar.

Duke iu referuar një denoncimi nga “qytetari digjital”, Berisha thotë se Safet Bajri ka plagosur një shtetas tjetër në lokalin Evasion në qendër të qytetit të Shkodrës. Policia, sipas tij, ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka identifikuar autorin, por nuk ka ndërhyrë për shkak të një urdhëri të marrë për të mos e ndaluar atë.

Dukshëm referuar këtij postimi të Sali Berishës, gazeta shkruan se “Safet Rustemi u la i lirë pas një telefonate të bërë nga një zyrtar i lartë në drejtim të forcave të Policisë”. Por cili është ky zyrtar i lartë. Në postimin e tij, Sali Berisha përmend deputetin socialist, Luan Harusha, që sipas denoncimit po të “qytetarit digjital” është ndihmuar nga Safet Bajri gjatë fushatës elektorale të 2017.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/925136264313948

Nëntë muaj nga kjo ngjarje dhe ky denoncim i Sali Berishës, Lulzim Basha flet për një lidhje akoma më të fortë mes bandës së Bajrave dhe mazhorancës. Ai fijet e lidhjes së këtij grupi kriminal i çon deri në Qeveri.

“Pse nuk na tregojnë ne përgjimet me Bajrat?! Kush del në përgjimet me ta? Del Ditmir Bushati. E di gjithë Shkodra që makinat e blinduara të Bajrajve ishin truprojat e Ditmir Bushatit në fushatë. Dihet që nën ndërmjetësinë e Pëllumb Gjokës dhe të tjerëve, Ditmir Bushati vendosi marrëdhënie të drejtpërdrejta me Bajrajt dhe kërkoi prej atyre ndihmë në fushatë, në këmbim për t’ju hapur krahun dhe për të kontrolluar interesat në qytetin e Shkodrës”, deklaroi kreu i PD-së mbrëmjen e së hënës në emisionin “Open” të Eni Vasilit.

Basha i drejtoi disa pyetje shefit të diplomacisë shqiptare, që është edhe deputet i Qarkut të Shkodrës dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për këtë qark.

“Sa herë ka komunikuar me Bajrajt? Sa herë është takuar me ta? Çfarë porosie u ka dhënë në emër të Edi Ramës? Çfarë falënderimesh u ka përcjellë në emër të Edi Ramës? Cili ka qënë komunikimi i tij i fundit me Bajrajt?”, pyet Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë