Observatori i Futbollit Cies ka publikuar listën e lojtarëve më të shtrenjtë në qarkullim. Pas analizimit të një serie të dhënash dhe statistikash, Cies ka nxjerrë sulmuesin e PSG, Kilian Mbape si futbollistin më të shtrenjtë të momentit. Francezi verën e shkuar kaloi nga Monako te PSG për një shifër rekord, por vlera e tij në tregun e transferimeve ka vijuar të rritet, falë punës që ai ka bërë në fushën e lojës, si me ekipin e tij, ashtu edhe me kombëtaren franceze. Sipas këtij studimi, Mbape vlerësohet në shifrën e 216 milionë eurove. Për të arritur në këtë shifër është marrë parasysh mosha dhe aftësitë e tij në fushën e lojëse.
Pas Mbape është një emër surprizë. Herri Kejn që ka disa vite është në listën e dhjetë lojtarëve më të shtrenjtë, në këtë klasifikim është ngjitur në vendin e dytë. Pas anglezit është braziliani Nejmar. Sulmuesi brazilian u ble një vit më parë nga PSG për 222 milonë euro, por vlera e tanishme e tij nuk është më shumë se 197 milionë euro. Salah dhe Kutino ndjekin Nejmar në këtë ranglistë.
Ndërsa për Lionel Messi-n, vetëm vendi i gjashtë, me një rënie në pozicion dhe vlerë, për shkak edhe të moshës së tij. Argjentinasi ndiqet nga tre futbollistë që aktivizohen në Premier League, Sterling, Lukaku dhe Dele Ali. Pas shumë vitesh në krye ose prezent këtë vit, Ronaldo nuk është më pjesë e kësaj renditje, sigurisht për shkak të moshës së tij, që po shkon drejt 34 vjeçëve edhe pse portugezi nuk e reflekton aspak me atë që bën në fushën e lojës.
Sipas këtij studimi të CIES mbrojtësi qëndror më i shtrenjtë është Samuel Umtiti, ndërsa mbrojtësi anësor më i mirë është Aleksandër Arnold. Në këtë renditje të mbrojtësve anësorë më të shtrenjtë në botë është përfshirë edhe futbollisti shqiptar Elseid Hysaj. Shkodrani vlerësohet në shifrën e 51.3 milionë eurove dhe është i shtati në renditje. Edhe pse këtë sezon nën drejtimin e Ançelotit, Hysaj nuk ka shkëlqyer, përsëri ka vijuar të jetë shumë i vlerësuar në aspektin financiar, kjo e ndikuar edhe për shkak të moshës së tij të re. Në merkaton e verës ai u përfol për një largim të mundshëm drejt Premier League, aty ku Chelsea ishte skuadra më e interesuar për të marrë shërbimet e futbollistit kuq e zi.
Sakaq në renditjen që CIES ka bërë edhe për portierët më të shtrenjtë, dominon Ederson Moraesh, që ndiqet nga Ter Shtegen dhe Alison Beiker.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.